Lajme nga vendi
SPB ; Kronika e zezë për ditën e djeshme 10 Prill Tetovë dhe Gostivar
Dje, në ora 01:10 në SPB Tetovë, mkë 48-vjeçare nga fshati Cerovë ka raportuar se më 09 Prill rreth orës 23:30 në rrugën “Ilindenska” në Tetovë, djali i saj i mitur dhe shoku i tij janë sulmuar fizikisht nga tre persona, me ç’rast shoku i tij, në përpjekje për t’u vetëmbrojtur, ka pësuar lëndim në dorë. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në ora 09:45 në rrugën “Jane Sandanski” në Tetovë, punonjësit policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 38-vjeçar nga fshati Çellopek, pasi drejtonte veturën “BMV” me targa të Tetovës pa patentë shoferi, me çka ka kryer vepër penale sipas nenit 297-a të Kodit Penal. Automjeti është sekuestruar.
…..
Dje, në ora 13:30 në Stacionin Policor të Grupçinit, një 58-vjeçar nga fshati Zhelinë e Tetovës, ka raportuar se në fshat, pas një debati të shkurtër , ka ndodhur një përleshje fizike, pas së cilës janë drejtuar për në Spitalin Klinik të Tetovës për ndihmë mjekësore. Të dy janë privuar nga liria dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……
Dje në ora 14:00 në rrugën “Gjorçe Petrov” në Tetovë, punonjësit policorë kanë privuar nga liria një të mitur 16-vjeçar nga Tetova, i cili drejtonte një motoçikletë pa pasur leje. Në prani të prindit dhe avokatit, me të miturin është kryer bisedë zyrtare në ambientet e SPB Tetovë. Motoçikleta është sekuestruar dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
…..
Dje, në ora 18:00 në Stacionin Policor të Gostivarit, një 48-vjeçar nga Gostivari ka raportuar se rreth orës 17:40, në ambientet e një kompanie taksish në Gostivar, është sulmuar fizikisht nga kolegu i tij. Më vonë, në ora 19:20, kolegu është privuar nga liria dhe është ndaluar në stacionin policor.
…..
Dje, në ora 20:30 në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë, afër fshatit Leshkë, punonjësit policorë kanë ndaluar veturën “Audi” me targa të Shkupit, e drejtuar nga një 15-vjeçar nga fshati Pallaticë. Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur mbetje të marijuanës, pas së cilës i mituri dhe tre bashkudhëtarë 20-vjeçarë të gjithë nga fshati Sllatinë, janë privuar nga liria. Është gjetur dhe sekuestruar një “boks” metalik. Automjeti është sekuestruar përkohësisht për procedurë të mëtejshme.
…….
Dje, punonjësit policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 38-vjeçar në Gostivar. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij dhe në një objekt hotelerik, të kryer me urdhër gjyqësor, janë gjetur dhe sekuestruar disa paketime me marijuanë dhe një lëndë pluhur e bardhë, ndërsa në objektin hotelerik është gjetur marijuanë.
Gjithashtu, sot në ora 02:00 të mëngjesit, punonjësit policorë nga Stacioni Policor i Çegranit kanë privuar nga liria një 57-vjeçar nga fshati Forinë e Gostivarit. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, janë gjetur dhe sekuestruar një lëndë pluhur e bardhë dhe një lëndë e bardhë e ngurtë.
Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të ngrihen kallëzimet përkatëse.
…..
Dje në ora 22:00 në rrugën “Jasht Vardarit” në Tetovë, punonjësit policorë kanë privuar nga liria një 38-vjeçar nga fshati Rogle. Ai dyshohet se rreth orës 19:00, në një parking në Tetovë, me një veturë “Volksvagen Golf” ka goditur qëllimisht djalin e mitur të një 52-vjeçari nga fshati Dëbërcë.
…..
Dje, në ora 22:00 në rrugën lokale drejt fshatit Kamjan, punonjësit policorë nga Stacioni Policor i Kamjanit kanë ndaluar veturën “Golf” me targa të Tetovës, të drejtuar nga një 19-vjeçar nga fshati Ozormisht, i cili nuk posedonte patentë shoferi. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit është gjetur një qen i lënduar i racës “Pit Bull”, për të cilin personat në automjet kanë deklaruar se është lënduar gjatë ndeshjeve me qen në fshatin Kamjan. Së bashku me shoferin, janë privuar nga liria edhe dy bashkudhëtarë 17-vjeçarë nga fshati Zhelinë. Është njoftuar inspektori veteriner dhe po merren masa për trajtimin e duhur të kafshës dhe dokumentimin e rastit, ndërsa ata së bashku me automjetin janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
Lajme nga vendi
Pas shkumës së bardhë në lumin Vardar, analizat paraprake brenda normave, priten rezultatet përfundimtare
Shkuma e bardhë u shfaq më 24 korrik, ndërsa Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, në koordinim me institucionet kompetente, ndërmori inspektime të jashtëzakonshme në terren dhe analiza laboratorike për të përcaktuar shkakun e rastit.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve të kryera te subjektet industriale në zonën që janë nën kompetencë shtetërore nuk janë konstatuar parregullsi ligjore. Autoritetet bëjnë të ditur se subjektet kanë vepruar në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet ekologjike për menaxhimin e ujërave të ndotura.
Institucioni thekson se cilësia e ujit në këtë pjesë të Vardarit ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë ujërat komunale dhe atmosferike, si dhe aktiviteti i një numri të madh subjektesh afariste në zonën përreth, prandaj të gjitha institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Raporti paraprak i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, i dorëzuar më 29 korrik në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, konstaton se parametrat fiziko-kimikë të analizuar nuk i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara.
Njëkohësisht, me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, mostra janë analizuar edhe nga një laborator i akredituar. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet Inspektoratit dhe Ministrisë më 4 gusht, pas së cilës institucionet kanë paralajmëruar se do ta informojnë opinionin për rezultatet përfundimtare.
Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor bëri të ditur se do të vazhdojë me inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për të siguruar mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.
Ndryshe, në lumin Lepenc, i cili e furnizon Lumin Vardar, u shfaq një vëllim i madh i shkumës së bardhë në rrjedhjen e tij në Shkup. Shkuma u raportua si ndotje e madhe e lumit, lum i cili në Karposh bashkohet me Vardarin. Rasti ishte raportuar në orën 14:10./portalb.mk/
Lajme nga vendi
Dyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
Një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova është helmuar pasi ka konsumuar një mjet për tretjen e ngjyrës, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, rasti është raportuar dje rreth orës 14:00, kur Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka njoftuar SPB Kumanovë se tek ta ishte sjellë për trajtim një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova me shenja helmimi.
Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, fëmija është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup për trajtim të mëtejshëm.
Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ky nuk është rasti i parë i helmimit të fëmijëve në rajonin e Kumanovës. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan disa raste të ngjashme, ku fëmijë të moshave të ndryshme u helmuan pasi konsumuan mjete për pastrim, dezinfektues ose tableta të lëna në vende të arritshme për ta.
Autoritetet shëndetësore dhe institucionet kompetente apelojnë që produktet kimike, barnat dhe substancat e rrezikshme të ruhen gjithmonë jashtë mundësisë së fëmijëve, për të parandaluar raste të tilla.
Lajme nga vendi
KUJDES MAKSIMAL NGA ZJARRET: NJË SHKËNDIJË MUND TË SHKAKTOJË TRAGJEDI!
Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura në ditë. Falë ndërhyrjeve të shpejta të zjarrfikësve dhe mbështetjes nga mjetet ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), të gjitha zjarret janë vënë me sukses nën kontroll dhe janë shuar. Reshjet e shiut gjatë periudhës së kaluar ndikuan në uljen e numrit të zjarreve dhe ngadalësuan përhapjen e tyre, njoftojnë nga DMSH-ja. Megjithatë, periudha me reshje ka përfunduar. Mjafton vetëm një shkëndijë! – thonë autoritetet.
Zjarri në Leshnicë të Tetovës është lokalizuar –thuhet në njoftimin në Facebook të Komandantit të Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, I cili thotë se në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse, në terren intervenuan dy avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ekipet e zjarrfikësve të Tetovës, të cilat punuan pa ndërprerje dhe me përkushtim maksimal.
“U bëj apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve në vijim të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarr në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo tym apo vatër zjarri në numrin emergjent 112” – thotë Avni Ameti.
Por, jo vetëm kaq!
Sipas tij, pas çdo zjarri që shuhet, fshihet një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi.
Zjarrfikësit përballen çdo ditë me rrezikun për të mbrojtur jetën, familjet dhe pronën e qytetarëve. Nuk është thjesht një profesion – është një mision që kërkon zemër, disiplinë dhe vendosmëri.
Shumica e zjarreve shkaktohen pa qëllim. Qytetarët zakonisht nuk synojnë të shkaktojnë zjarr, por një pakujdesi e vetme mund të ketë pasoja të rënda.
Prandaj bëhet thirrje që të mos hidhen bishta cigaresh në hapësira të hapura, veçanërisht nga automjetet në lëvizje.
-Mos ndizni zjarr apo skara në pyje dhe në vende me bimësi të thatë.
-Pastroni barin e tharë dhe shkurret rreth shtëpive dhe uikend-shtëpizave -dhe krijoni një brez mbrojtës.
-Mos digjni kashtën dhe kullotat. –
-Tregoni kujdes gjatë përdorimit të veglave që krijojnë shkëndija, si gurët prerës dhe aparatet e saldimit.
-Fermerët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të pajisjeve për largimin e shpendëve, të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
U bëhet thirrje qytetarëve që çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin 112.
Raportoni persona që mbajnë lëndë të dyshimta të lëngshme, pishtarë, fishekzjarre të mëdha ose mjete e aktivitete të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta kërkohet kujdes maksimal.
Një shkëndijë mund të shkaktojë një tragjedi të madhe!” – apelojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim./Tv Koha/

