Lajme nga vendi
Samiti i Diasporës dhe protesta për Gjuhën Shqipe e studentëve në Maqedoninë e Veriut!
Protesta për gjuhën shqipe në dhënien e provimit të jurisprodencës e studentëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, u bë objekt diskutimi dhe shqetësimi edhe në Samitin e IV të Diasporës Shqiptare të së martës në Tiranë.
Foli për këtë temë fillimisht ministri i Punëve të Jashtme dhe Europën, Ferit Hoxha. Më pas kryeministri dhe nuk pushuan së foluri edhe Ali Ahmeti e Dritan Abazoviç. Por këtë temë nuk e pashë shqetësuese për ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauck Konjufcën, as për kreun e parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi. Ky i fundit madje kërkoi që të mos politizohet çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në këtë vend, ndërkohë që Ali Ahmeti “ishte i shqetësuar” se po bëhen përpjekje për ta zhvleftësuar Marrëveshjen e Ohrit të gushtit 2001.
“Turp apo jo, ne nuk e dimë ku i kemi qytetarët tanë” – Hoxha: Platformë për regjistrimin vullnetar të shqiptarëve jashtë vendit
Kanë kaluar 25 vite që kur është nënshkruar Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund luftës civile në Maqedoni. Gjatë kësaj kohe për 22 vite Ali Ahmeti ka qenë në pushtet. Megjithatë ai nuk e zgjidhi përfundimisht çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në administratën dhe veprimtaritë institucionale maqedonase. Tani del e thërret alarmin se po i kontestohet marrëveshja në fjalë. Që këtu më bëhet të besoj se dikush po i fryn konfliktit midis shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoninë e Veriut. Kush është ky dikushi? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e dha po në këtë samit të diasporës ish-kryeministri pro-serb i Malit të Zi, por me emrin shqiptar Dritan dhe mbiemrin e përzier shqiptaro-serb, Abazoviç.
Dritan Abazoviç bëri thirrje që të mbrohet gjuha shqipe. Pra ai nxiti palën e persekutuar, studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, që ta intensifikojnë luftën “për gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj në provimet e jurispridencës”! Që studentët dhe qytetarët me kombësi shqiptare duhet të luftojnë për të drejtat e tyre jo vetëm kulturore e gjuhësore, por edhe kushtetuese, politike, administrative e të përfaqësimit, kjo është një e drejtë e patjetërsueshme. Por pa u ndikuar nga Ali Ahmeti, i cili i kishte të gjitha mundësitë që në pranverë-verën e vitit 2001 të impononte një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të plotë, pa dilema dhe pasoja për të ardhmen. Kishte mundësi madje që të impononte ndryshime kushtetuese me të cilat deputetët shqiptarë duhej të votonin me 2/3 për ndryshimin e Kushtetutës. Por nuk e bëri këtë. Nga padija, nga pamundësia apo me dashje, kjo le të jetë pjesë e ndërgjegjes së tij. Megjithatë Ali Ahmeti ka për detyrë që të kërkojë ndjesë para se të flasë e të nxitë konflikte të tjera të radhës në Maqedoninë e Veriut.
Ndërsa rekomandimi i Dritan Abazoviç më ngjan si porosi e Aleksandër Vuçiq. Prandaj thashë se përgjigjen pse dikush kërkon konflikt shqiptaro-maqedonas tashmë e kam kuptuar nga ajo që thotë ish-kryeministri aksidental i Malit të Zi. Në fakt jo dhe aq aksidental, po të kemi parasysh se Abazoviç riktheu Kishën Ortodokse Serbe në Cetinjë, ose po të kemi parasysh se ai ishte gati të hynte në Open Balkanin e Aleksandër Vuçiq dhe Edi Ramës, nëse do ta lejonte presidenti i Republikës i asaj kohe, Milo Gjukanoviç. Shkurt, mendja të shkon se Serbia po përpiqet që ta shfrytëzojë këtë moment delikat në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve me qëllim shpërbërjen e këtij shteti.
Duhet të kemi parasysh se në Perëndim është e përhapur narrativa, sipas së cilës “Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk do të pranojnë të qëndrojnë në të njëjtin shtet me maqedonasit”! Një gazetare shumë e njohur e Spiegel më thoshte para disa vitesh se nëse flet me shqiptarët në Maqedoni, vetëm 5 minutat e para të flasin për bashkëjetesë, tolerancë dhe më pas ata harrojnë e shprehen ashpër kundër maqedonasve. Në fakt ajo gabonte kur thoshte “maqedonasve”! Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut shprehen kundër politikave diskriminuese të elitës maqedonase ndaj tyre. Kjo dihet.
Megjithatë është interes i shqiptarëve kudo që ata jetojnë, që shteti i Maqedonisë të ekzistojë. Madje të forcohet dhe të integrohet edhe në Bashkimin Europian, përveçse në NATO. Ndërkohë që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut i kanë të gjitha mundësitë dhe aftësitë t’i avancojnë të drejtat e tyre dhe të imponojnë deri ndryshime kushtetuese për këto të drejta, por pa provokuar dhunën ose federalizmin ose shpërbërjen e shtetit. Të qenit i barabartë në një shtet të përbashkët është në dobi të shqiptarëve. Ndërsa serbët kanë interes zhbërjen e këtij shteti dhe shpërbërjen e tij! Dhe një pjesë e elitës maqedonase dëshiron pikërisht ta realizojë narrativën serbe. Prandaj duhet kujdes, siç thuhet: – Mishi të piqet dhe helli të mos digjet!
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

