Lajme nga vendi
Mickoski: Gjendja me derivatet është jashtëzakonisht e mirë!
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se shteti nuk ka kurrfarë sfidash në zinxhirin e furnizimit me naftë dhe derivate të naftës dhe se kemi karburante më të lira në rajon, duke potencuar se me vajgur te ne furnizohen disa aeroporte nga rajoni krahas furnizimit që e bëjnë qytetarët nga shtete fqinje te ne në pompat e benzinave në vendet kufitare.
Nëse ndodh një sfidë e tillë, tha sot Mickoski, atëherë me kohë do të “ripaketohemi” dhe do të përgatisim strategji të re.
“Situata me naftën dhe derivatet e naftës – karburantet dizel, benzina pa plumb, vajguri, … janë në gjendje jashtëzakonisht të mirë. Si shtet, në këtë moment nuk shohim ndonjë sfidë në zinxhirin e furnizimit. Jemi në koordinim të vazhdueshëm me furnizuesit. Nga ky aspekt, nuk shohim ndonjë rrezik për qytetarët dhe bizneset tona. Ka sasi të mjaftueshme në rezervat shtetërore, por edhe në tubacionin që lidh portin e Selanikut me rafinerinë OKTA, e cila tashmë është funksionale dhe operative”, deklaroi Mickoski, pasi mori pjesë në vendosjen e gurthemelit për zgjerimin e Shkollës Fillore Komunale “Strasho Pinxhur” në Gjorçe Petrov.
Jo vetëm që kemi sasi të mjaftueshme për qytetarët dhe bizneset tona, theksoi kryeministri, por edhe konsumi është rritur, në ditë të caktuara me 30 për qind, sepse shumë qytetarë nga vendet fqinje vijnë tek ne dhe furnizohen me karburant. Presioni është më i madh në kufijtë veriorë, jugorë dhe perëndimorë sepse si nafta ashtu edhe karburantet pa plumb janë dukshëm më të të lira këtu, tha Mickoski, duke theksuar se çmimi i karburantit dizel këtu është më i ulët me mbi 0,6 euro për litër krahasuar me atë te fqinji ynë jugor, dhe me 0,3 euro për litër krahasuar me atë në Serbi.
“Gjithashtu, me vajgurin që eksportojmë, disa aeroporte marrin vajgur, siç është aeroporti i Prishtinës dhe disa të tjerë. Pra, në këtë moment, fakti numër një është se qytetarët tanë përdorin karburantet më të lira në rajon dhe fakti numër dy është se kemi sasi të mjaftueshme dhe për momentin nuk shohim ndonjë sfidë që lidhet me mungesën. Nëse ndodh një sfidë e tillë, atëherë do ta ripaketojmë në kohën e duhur dhe do të përgatisim një strategji të re”, deklaroi Mickoski.
I pyetur nëse mendohet për kufizim të mbushjes së karburanteve në vendet kufitare, përsërit se për momentin jemi të qëndrueshëm dhe se nuk sheh sfida nga aspekti i mungesës së karburanteve.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

