Lajme nga vendi
SPB ; Kronika e zezë për ditën e djeshme 17 Prill Tetovë dhe Gostivar
Më 17.04.2026, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria personin J.A.(28) nga fshati Senokos i Gostivarit. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij dhe objektet ndihmëse, të kryer me urdhër gjyqësor, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar marihuanë. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të paraqitet kallëzim përkatës.
…..
Më 17.04.2026 në ora 10:20, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë arrestuar personat A.B.S.(55) dhe L.I.(60), të dy nga fshati Çajlë i Gostivarit, të cilët kanë prishur rendin dhe qetësinë publike me një përleshje fizike mes vete. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
…..
Më 17.04.2026 në ora 13:15 në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria personin H.K.(24) nga Tetova. Gjatë ndërmarrjes së masave, zyrtarët policorë kanë ndaluar një motoçikletë me targa të Tetovës, të cilin e drejtonte H.K., ku është konstatuar se e drejtonte pa leje drejtimi. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë kallëzim përkatës.
……
Më 17.04.2026 në ora 16:30 në rrugën “Risto Oxhaklieski” në Gostivar, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë arrestuar Gj.A.(45) nga Gostivari pasi ka prishur rendin dhe qetësinë publike dhe pas marrjes së masave është konstatuar se është nën ndikimin e alkoolit, gjegjësisht i janë matur 1.67 promilë alkool në gjak. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….
Më 17.04.2026 në ora 21:20 në Gostivar, në vendin e quajtur “Qelqore”, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria personin N.R.(34) nga Gostivari, i cili drejtonte automjetin e udhëtarëve “Fiat” me targa të Gostivarit pa pasur të dhënë provimin për patentë shoferi. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë kallëzim përkatës.
……
Më 17.04.2026 në ora 22:40, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë arrestuar personin L.E.(39) nga fshati Banjicë e Epërme e Gostivarit, pasi që ka prishur rendin dhe qetësinë publike me sjellje agresive. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……
Më 17.04.2026 në ora 14:55 në SPB Tetovë, personi L.I.(44) nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 12:00 në një shkollë fillore, djali i tij i mitur është sulmuar fizikisht nga një bashkënxënës i tij. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……
Më 17.04.2026 në ora 20:15, zyrtarë policorë nga Departamenti i Policisë Galatë kanë privuar nga liria personin E.M. nga një fshat i Gostivarit, duke vepruar sipas denoncimeve paraprake se ka drejtuar kërcënime ndaj ish-partneres së tij 35-vjeçare dhe familjes së saj. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
…..
Më 17.04.2026 në ora 19:00 në Departamentin e Policisë Rostushë, A.B.(21) ka denoncuar se në vendin e quajtur “Çeshma e Poshtme” në fshatin Skudrinjë, pas një mosmarrëveshjeje paraprake për vendparkim, është sulmuar fizikisht nga A.R.(50), të dy nga fshati Skudrinjë, komuna e Mavrovës dhe Rostushës. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……
Më 17.04.2026 në ora 22:15 në DPB Gostivar është denoncuar prishje e rendit dhe qetësisë publike me përleshje fizike mes E.A. dhe L.”x”. Gjatë ndërmarrjes së masave, zyrtarët policorë kanë gjetur të lënduar L.”x”, të cilit i është dhënë ndihmë nga qytetarët, ndërsa personi tjetër është larguar nga vendi i ngjarjes. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……
Më 17.04.2026 në ora 22:50 në fshatin Pallçisht i Poshtëm, komuna e Bogovinës, zyrtarë policorë nga Departamenti i Policisë Kamjan kanë privuar nga liria personat M.A.(27), Sh.H.(35), S.R.(43) dhe A.D.(36), të gjithë nga fshati Toplicë, pasi gjatë kontrollit të automjetit të udhëtarëve “Opel” me targa të Gostivarit, të cilin e drejtonte Sh.H., ndërsa të tjerët ishin pasagjerë, në automjet është gjetur dhe sekuestruar marihuanë. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……
Më 17.04.2026 në ora 16:00 në rrugën rajonale Shkup-Tetovë, në fshatin Zhelinë, zyrtarë policorë kanë ndaluar automjetin e udhëtarëve “Mercedes” me targa të Tetovës, të drejtuar nga K.Sh.(31) nga fshati Rogle, komuna e Zhelinës. Gjatë kontrollit të ushtruar, zyrtarët policorë kanë konstatuar se i denoncuari kryen transport publik të udhëtarëve pa licencë. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë kallëzim përkatës.
…..
Më 18.04.2026 në ora 00:40 në DPB Gostivar, nga Qendra Urgjente Gostivar është denoncuar se tek ata është dërguar me lëndime të rënda trupore 42-vjeçarja V.N.. Sipas denoncimit, ajo i ka marrë lëndimet nga shpërthimi i një bombole gazi dhe për shkak të seriozitetit të lëndimeve është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup. Këqyrja e vendit të ngjarjes është kryer nga ekipi i DPB Gostivar.
Lajme nga vendi
KRIZA ME PATENTAT NË ITALI: MIJËRA SHTETAS TË RMV-së RREZIKOJNË TË MBESIN PA PUNË
Në Itali tashmë nuk njihen patentat e shoferit të Maqedonisë së Veriut, pavarësisht se ekziston një marrëveshje për njohjen dhe zëvendësimin e ndërsjellë të tyre.
Shtetasit e Maqedonisë së Veriut me qëndrim të përhershëm në Itali nuk mund ta zëvendësojnë më lejen e vozitjes me atë italiane dhe detyrohen t’i nënshtrohen sërish provimit për patentë.
Ky problem konfirmohet edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku thuhet se Maqedonia e Veriut ka marrëveshje me Italinë, por se “aktualisht në Republikën e Italisë nuk është e mundur zëvendësimi i patentave të shoferit me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe po punohet për zgjidhjen e kësaj situate”.
Problemi me mosnjohjen dhe pamundësinë për zëvendësimin e patentave të Maqedonisë së Veriut në Itali po ndikon seriozisht te mërgimtarët, pasi disa prej tyre tashmë po humbin vendet e punës nëse puna e tyre varet nga drejtimi i automjeteve.
Njëri prej tyre është edhe Besir Esati nga Reçica e Madhe, i cili po përballet me vështirësi të shumta për shkak të kësaj procedure.
“Për momentin ne kemi problem me konvertimin, ta kthejmë patentën prej Maqedonisë ta bëjmë të Italisë, ne që kemi ardhë kohëve të fundit, pasi Maqedonia e ndryshoi emrin. Italia thotë duhet të bëhet përditësimi, duhet të bëhet një marrëveshje me emrin e ri. Kur do të bëhet kjo nuk e dijmë. E thirrim Ambasadën nuk na jep asnjë ndihmë, asnjë lajm të na tregojë se kur do të bëhet konvertimi dhe marrëveshja e re”
Besir Esati për Tv Koha sqaroi edhe procedurën italiane lidhur me njohjen e patent shoferit të marrë në Maqedoninë e Veriut.
Unë për shembull jam dy vite në Itali, prej ditës së parë pasi bëhesh rezident, ke kohë 1 vjet që ta drejtosh automjetin me leje të Maqedonisë. Pas një viti, nëse të zënë, për shembull mua më skadon pas një muaji dhe me më kap policia ma marrin automjetin, më shqiptojnë dënime. Problemi është se unë jam shofer autobusi. Unë duhet ta ndërroj edhe punën, duhet të gjej punë tjetër, se me cfarë do të udhëtoj në punë atje larg”
Ai thotë se janë mbi 4.000 shtetas të Maqedonisë së Veriut që përballen me këtë problem në Itali dhe të cilëve u rrezikohet edhe vendi i punës. U bën thirrje autoriteteve të vendit që urgjentisht ta zgjidhin këtë cështje.
Me këtë problem ka më shumë se 4 mijë. Nuk e di numrin e saktë, por janë mbi 4.000. Të ishte p.sh vetëm kategoria B ose C ndoshta do ta bëja nga fillimi, se kam problem për t`i bërë, por i kam të gjitha kategoritë dhe jam shofer autobusi këtu dhe duhet shumë kohë për t`i bërë, duhen termine kurse terminet në Itali janë shumë të gjata vecanërisht për shoferat e autobusëve. Bëj apel që ta bëjnë këtë marrëveshjen. Problemi është nga ana e Maqedonisë, ta bëjnë konvertimin pasi mbi 4.000 që jemi në Itali kemi të njëjtin hall. Isha në pushim në Maqedoni, jemi munduar që vet ta zgjidhim. I kam shkruajt edhe Ministrisë së Transportit por nuk më kanë kthyer përgjigje, vetëm tek ju mediat e kemi shpresën”
Sipas informacioneve të deritanishme, problemi qëndron në papajtueshmërinë teknike ndërmjet dy modeleve të patentave, pasi pala maqedonase ka shtuar kategori shtesë që nuk ekzistojnë në patentën evropiane.
Për këtë arsye, autoritetet italiane kanë kërkuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të re, gjë që nënkupton përsëritjen e plotë të procedurës për njohjen e dokumentit.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme bëhet e ditur, se janë në fazën përfundimtare harmonizimet e Marrëveshjes për njohjen e patentave të shoferit ndërmjet dy shteteve, të cilat pritet të përfundojnë nga pala italiane.
Qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se ditëve të fundit janë përpjekur të marrin me qira një automjet me patentë nga Maqedonia e Veriut, por kompanitë italiane të rent-a-car u kanë bërë të ditur se prej disa muajsh kanë marrë udhëzim të mos japin automjete me qira nëse patenta nuk është lëshuar nga një vend i Bashkimit Evropian. Në këto raste, qytetarët duhet të kenë patentë ndërkombëtare për të marrë një automjet me qira./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Gashi: Ligji për përfaqësim të drejtë mund të ketë mangësi, nuk tentojmë ta kontrabandojmë
Shumica parlamentare nuk e ka për qëllim të kontrabandojë ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, thotë kreu i Kuvendit, Afrim Gashi, duke ju përgjigjur kritikëve opozitarë të cilët e akuzojnë pushtetin për kontrabandim të këtij ligji.
Gashi thotë se shumica është e përkushtuar dhe po punon në çdo detaj të këtij ligj me ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë.
“Nuk është ideja që të kontrabandohet diçka që ne e kemi filluar tashmë dy vite dhe po punojmë në mënyrë të detajuar, me prezencë dhe participim të ekspertëve të Komisionit të Venecias, ligji i sjellur në procedurë të rregullt me debat publik e me të gjitha këto nishane, askush nuk e ka idenë dhe qëllimin që ta kontrabandojë, përshkak se e githë kjo procedurë, gjithë kjo përgatitje për atë ligj, nuk mund të cilësohet në atë mënyrë”.
Ai tha se si kryetar Kuvendit tenton për çdo ditë të normalizojë komunikimin mes grupeve parlamentare për këtë dhe ligje të tjera. Gashi është i mendimit që ligji duhet të miratohet sepse bëhet fjalë për përfaqësim e drejtë që është edhe kategori kushtetuese.
“Në asnjë moment nuk kemi thënë se ligji është perfekt. Ai mund të ketë mangësi, por mangësitë po presupozohen apo po prejudikohen. Unë mendoj se duhet të kemi një ligj, sidomos për parimin kushtetues përfaqësim të drejtë dhe adekuat, shumë më mirë është të kemi një ligj, sesa mos të kemi fare”.
Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i miratuar në Qeveri dhe që ka marrë edhe dritën jeshile të Komisionit të Venecias është në procedurë parlamentare, po i njëjti nuk është miratuar në Kuvend, përshkak të nevojës së votimit të dyfishtë. Ky ligj hyn për herë të parë në procedurë parlamentare që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001./Tv Koha – Shkup/
Lajme nga vendi
Ahmeti takoi ambasadoren e Holandës: Rruga evropiane dhe Marrëveshja e Ohrit janë themelet e të ardhmes së vendit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zhvilloi sot një takim të hapur dhe përmbajtësor me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, znj. Özlem Canel.
Në qendër të takimit ishte domosdoshmëria që vendi të gjejë sa më parë rrugën për vazhdimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ahmeti theksoi se çdo vonesë e mëtejshme në procesin integrues e largon vendin nga perspektiva evropiane, dobëson institucionet dhe krijon pasiguri politike, ekonomike dhe shoqërore.
Gjatë takimit, Ahmeti ka ngritur siç thuhet shqetësimin serioz lidhur me goditjet e vazhdueshme ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjeve që garantojnë barazinë, kohezionin ndëretnik dhe stabilitetin e vendit.
Ai theksoi se Marrëveshja e Ohrit është themeli i paqes dhe i funksionimit demokratik të shtetit, ndërsa çdo cenim i saj prek drejtpërdrejt stabilitetin e përgjithshëm dhe marrëdhëniet ndëretnike.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet aktuale politike, sundimin e ligjit, sigurinë dhe sfidat me të cilat përballet rajoni.
Ahmeti nënvizoi se partnerët ndërkombëtarë duhet ta dëgjojnë qartë alarmin për zhvillimet në vend.
“Rruga evropiane dhe Marrëveshja e Ohrit janë dy shtyllat mbi të cilat qëndrojnë stabiliteti, demokracia dhe e ardhmja e vendit”, theksoi Ahmeti.(INA)

