Lajme nga vendi
Nxënësit më të mirë garojnë në Olimpiadën Kombëtare të Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut
Gara Kombëtare e Olimpiadës së Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut u mbajt me sukses të shtunën me date 18.04.2026, në kampusin e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, duke bashkuar nxënësit më të talentuar të shkollave të mesme të vendit në fushën e ekonomisë.
Pas fazës rajonale shumë konkurruese të zhvilluar në 7 qendra rajonale (Shkup, Tetovë, Kumanovë, Shtip, Prilep, Strugë dhe Gostivar), nxënësit më të mirë garuan në nivelin kombëtar, duke shënuar kulmin e muajve të përgatitjes, të mësuarit dhe të garimit.
Ngjarja mblodhi nxënës, mësues, partnerë institucionalë dhe mbështetës të sektorit privat, duke theksuar rëndësinë në rritje të aftësive të edukimit ekonomik dhe të të menduarit kritik tek të rinjtë në Maqedoninë e Veriut.
Në nivel rajonal, tre studentët më të mirë në secilin prej shtatë rajoneve u vlerësuan me:
Vendi i parë: Laptop
Vendi i dytë: Tablet
Vendi i tretë: Orë të mençur
Në nivel kombëtar, gara vazhdoi me një garim edhe më konkurrues. 10 nxënësit më të mirë në nivel kombëtar u shpërblyen me kuponë prej 200 eurosh, të mbështetur nga kompani nga sektori privat, duke njohur performancën e tyre të shkëlqyer.
5 nxënësit më të mirë do të përfitojnë më tej nga pjesëmarrja në një kamp përgatitor dhe mundësinë për të përfaqësuar Maqedoninë e Veriut në Olimpiadën Ndërkombëtare të Ekonomiksit në Greqi, duke i vendosur ata në një skenë globale së bashku me kolegë nga e gjithë bota. Në partneritet me Universitetin e Evropës Juglindore, gara gjithashtu ofron mundësi të konsiderueshme akademike për tre nxënësit më të mirë, ku vendi i parë përfitoi bursë 100% në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë, vendi i dytë bursë 70% dhe vendi i tretë bursë 50%. Këto bursa synojnë të mbështesin dhe inkurajojnë zhvillimin e vazhdueshëm akademik të ekonomistëve të rinj më të shkëlqyer të vendit.
Duke njohur rolin thelbësor të edukatorëve, kjo garë e Olimpiadës dha edhe Çmimet e Koordinatorëve apo mentorëve më të Mirë në secilin prej 7 rajoneve, secili duke marrë një çmim prej 200 dollarësh, si dhe Koordinatori më i Mirë në nivel kombëtar, i cili shpërbleu një udhëtim për dy persona në Stamboll. Këto çmime njohin përkushtimin dhe ndikimin e profesorëve në përgatitjen dhe mentorimin e nxënësbe gjatë gjithë procesit të Olimpiadës.
Olimpiada e Ekonomiksit në Maqedoninë e Veriut organizohet nga Instituti i Alternativës Liberale (LAI) dhe mbështetet nga Iniciativa e Bazave Ekonomike (EFI), në partneritet me Universitetin e Evropës Juglindore dhe një rrjet të gjerë partnerësh dhe sponsorësh.
Lajme nga vendi
Gashi: Ligji për përfaqësim të drejtë mund të ketë mangësi, nuk tentojmë ta kontrabandojmë
Shumica parlamentare nuk e ka për qëllim të kontrabandojë ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, thotë kreu i Kuvendit, Afrim Gashi, duke ju përgjigjur kritikëve opozitarë të cilët e akuzojnë pushtetin për kontrabandim të këtij ligji.
Gashi thotë se shumica është e përkushtuar dhe po punon në çdo detaj të këtij ligj me ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë.
“Nuk është ideja që të kontrabandohet diçka që ne e kemi filluar tashmë dy vite dhe po punojmë në mënyrë të detajuar, me prezencë dhe participim të ekspertëve të Komisionit të Venecias, ligji i sjellur në procedurë të rregullt me debat publik e me të gjitha këto nishane, askush nuk e ka idenë dhe qëllimin që ta kontrabandojë, përshkak se e githë kjo procedurë, gjithë kjo përgatitje për atë ligj, nuk mund të cilësohet në atë mënyrë”.
Ai tha se si kryetar Kuvendit tenton për çdo ditë të normalizojë komunikimin mes grupeve parlamentare për këtë dhe ligje të tjera. Gashi është i mendimit që ligji duhet të miratohet sepse bëhet fjalë për përfaqësim e drejtë që është edhe kategori kushtetuese.
“Në asnjë moment nuk kemi thënë se ligji është perfekt. Ai mund të ketë mangësi, por mangësitë po presupozohen apo po prejudikohen. Unë mendoj se duhet të kemi një ligj, sidomos për parimin kushtetues përfaqësim të drejtë dhe adekuat, shumë më mirë është të kemi një ligj, sesa mos të kemi fare”.
Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i miratuar në Qeveri dhe që ka marrë edhe dritën jeshile të Komisionit të Venecias është në procedurë parlamentare, po i njëjti nuk është miratuar në Kuvend, përshkak të nevojës së votimit të dyfishtë. Ky ligj hyn për herë të parë në procedurë parlamentare që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001./Tv Koha – Shkup/
Lajme nga vendi
Ahmeti takoi ambasadoren e Holandës: Rruga evropiane dhe Marrëveshja e Ohrit janë themelet e të ardhmes së vendit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zhvilloi sot një takim të hapur dhe përmbajtësor me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, znj. Özlem Canel.
Në qendër të takimit ishte domosdoshmëria që vendi të gjejë sa më parë rrugën për vazhdimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ahmeti theksoi se çdo vonesë e mëtejshme në procesin integrues e largon vendin nga perspektiva evropiane, dobëson institucionet dhe krijon pasiguri politike, ekonomike dhe shoqërore.
Gjatë takimit, Ahmeti ka ngritur siç thuhet shqetësimin serioz lidhur me goditjet e vazhdueshme ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjeve që garantojnë barazinë, kohezionin ndëretnik dhe stabilitetin e vendit.
Ai theksoi se Marrëveshja e Ohrit është themeli i paqes dhe i funksionimit demokratik të shtetit, ndërsa çdo cenim i saj prek drejtpërdrejt stabilitetin e përgjithshëm dhe marrëdhëniet ndëretnike.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet aktuale politike, sundimin e ligjit, sigurinë dhe sfidat me të cilat përballet rajoni.
Ahmeti nënvizoi se partnerët ndërkombëtarë duhet ta dëgjojnë qartë alarmin për zhvillimet në vend.
“Rruga evropiane dhe Marrëveshja e Ohrit janë dy shtyllat mbi të cilat qëndrojnë stabiliteti, demokracia dhe e ardhmja e vendit”, theksoi Ahmeti.(INA)
Lajme nga vendi
SHKUP: MUNGESA E VENDPARKIMEVE NË QENDRËN KLINIKE SFIDË SERIOZE!
Parkingu në Qendrën Klinike vazhdon të jetë sfidë për pacientët po edhe për të punësuarit. Edhe pse është premtuar disa herë zgjidhje, ajo nuk erdhi kurrë.
Për mungesën e vendparkimeve biseduam me disa qytetarë, të cilët kishin ardhur në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” për të marrë shërbime shëndetësore. Ata thonë se gjetja e një vendi për parkim është bërë një sfidë e përditshme, duke u shkaktuar vonesa në arritjen e termineve të caktuara tek mjeku.
Sipas tyre, në shumë raste u duhet të kalojnë më shumë se 30 minuta duke kërkuar një vend të lirë për të parkuar automjetin.
Këtu, me të vërtetë, është problem i madh të gjesh parking, por disi gjindemi, humba më shumë se gjysmë ore, deri sa gjeta parking.
Po, ka çdoherë, pasi që vi çdo muaj për të marrë shërbime shëndetësore, gjithnjë kam problem, shëtitem mbi gjysmë ore për të gjetur vend të lirë për parkim.
Shumë rëndë, humba gjysmë ore për të gjetur vend të lirë për t’u parkuar
Përveç ankesave, qytetarët kanë edhe kërkesa konkrete ndaj institucioneve kompetente. Ata vlerësojnë se ka ardhur koha që ky problem të marrë një zgjidhje përfundimtare, qoftë përmes krijimit të hapësirave të reja për parkim, qoftë me ndërtimin e garazheve në kate.
Të ndërtohet ndonjë garazh, këtu ka hapësirë, mund të bëhet një parking me kate.
Të bëhet zgjidhje me parking, këtu, të jetë i qasshëm në çdo kohë për secilin.
Duhet të ndërtohet parkingu, është koha që përfundimisht të zgjidhet problemi.
Zgjidhje për problemin e parkimit dhe kaosin që krijohet çdo ditë në Qendrën Klinike kanë premtuar pothuajse të gjithë ministrat e Shëndetësisë ndër vite. Megjithatë, pavarësisht premtimeve dhe paralajmërimeve për projekte të ndryshme, pacientët, familjarët e tyre dhe punonjësit vazhdojnë të përballen me të njëjtin problem./Tv Koha – Shkup/MEVLUDIN IMERI – GAZETAR

