Lajme nga vendi
Merko akuzon BDI-në për standarde të dyfishta: Pse unë nuk u mbrojt nga pushteti, ndërsa Bexheti dhe Dehari po mbrohen nga opozita?
Ish-kryetari i Komunës së Strugës nga radhët e BDI-së, Ramiz Merko ka shprehur revoltën e tij ndaj integristëve, duke i akuzuar për standarde të dyfishta, pasi sipas tij ata nuk e kanë mbrojtur në rastet e kallëzimeve penale, ndërsa tani partia po mbron deputetin Blerim Bexheti dhe ish-kryetarin e komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka reaguar duke thënë se ka ndjekur me vëmendje reagimet e BDI-së lidhur me kallëzimet penale ndaj Bexhetit dhe Deharit, për të cilat partia thotë se bëhet fjalë për presion politik, ndërsa ai vetë nuk ka pasur asnjë mbështetje partiake.
https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=1553061386827000&id=100063694600962&ref=embed_post
“Pse, Unë, Ramiz Merko nuk u mbrojt nga pushteti, ndërsa dy kryetarë po mbrohen nga opozita? Pse ky standard i dyfishtë? Deklaratat e fundit të BDI-së për presion politik ndaj ish-funksionarëve si Blerim Bexheti dhe Fatmir Dehari i kam ndjekur me vëmendje. Kërkesa për drejtësi të barabartë dhe mosndërhyrje politike në institucione është e drejtë dhe e nevojshme. Por pyetja që lind natyrshëm është: pse këto parime nuk vlejnë për të gjithë njësoj? Unë, si dikush që për më shumë se dy dekada kam qenë pjesë aktive e jetës politike, që kam mbajtur përgjegjësi institucionale dhe kam kontribuar në fitore të rëndësishme elektorale në Strugë dhe në zonën zgjedhore 5, e kam përjetuar drejtpërdrejt këtë standard të dyfishtë. Për vite me radhë kam qenë ndër zërat më të fuqishëm në terren, duke mbajtur gjallë strukturën dhe duke siguruar rezultate konkrete. Në disa cikle zgjedhore, pikërisht zona jonë ka bërë diferencën në balancën e mandateve. Por në momentin kur u përballa me procese gjyqësore, mbështetja mungoi. Përkundrazi, u krijua një distancim i hapur, madje deri në mohimin e lidhjes sime me strukturat. Dhe këtu lind problemi kryesor: standardi i dyfishtë. Sepse ndërkohë që sot flitet për presion politik ndaj disa ish-funksionarëve, për rastin tim nuk pati asnjë reagim, edhe pse proceset ndaj meje janë perceptuar gjerësisht si të motivuara politikisht nga periudha e qeverisjes LSDM-BDI. Akuzat ndaj meje nuk kanë qenë për korrupsion të provuar apo krime financiare, por për çështje administrative dhe vendimmarrje institucionale si emërime drejtorësh apo vendosje simbolesh që lidhen me historinë dhe identitetin shqiptar. Vendime që i kam marrë në funksion të përfaqësimit dhe mbrojtjes së gjuhës shqipe në institucione, si dhe për respektimin e ngjarjeve historike si një vlerë e njohur dhe e pranuar në nivel shtetëror. Megjithatë, këto u trajtuan si probleme, ndërkohë që në praktikë janë pjesë e përditshmërisë institucionale në vend. Dhe kontrasti bëhet edhe më i qartë kur shohim se në raste të tjera, për figura të nivelit të lartë si ish-zv.kryeministri Artan Grubi, reagimet janë të kujdesshme, të zbutura apo edhe mbrojtëse. Pra, në njërën anë relativizohen akuza të rënda për korrupsion, ndërsa në anën tjetër heshtet për procese që lidhen me vendimmarrje administrative dhe çështje identitare. Kjo nuk është më çështje individësh. Kjo është çështje parimesh. Nuk mund të kërkohet drejtësi e barabartë vetëm në raste të caktuara. Nuk mund të ketë mbështetje politike vetëm për disa dhe heshtje për të tjerët. Në këtë frymë, unë, Ramiz Merko, shpreh solidarizimin dhe mbështetjen time të fuqishme ndaj ish-funksionarëve si Blerim Bexheti, Fatmir Dehari, dhe të tjerë si Festimi, Ardiani, Sabaudini, Ejupi, Lirimi, Nefiu, Kreshniku etj, përballë çdo presioni apo procesi që perceptohet si i motivuar politikisht. Mbi të gjitha, qëndroj i palëkundur në mbështetje dhe solidarizim me të gjithë ata që sot përballen me presione të tilla, sepse drejtësia nuk mund të jetë selektive, ajo duhet të jetë e njëjtë për të gjithë”, ka shkruar Merko.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

