Lajme nga vendi
SPB ; Kronika e zezë për ditën e djeshme 20 Prill Tetovë dhe Gostivar
Dje, në ora 11:30, në SPB Tetovë, një grua 33-vjeçare nga Tetova ka denoncuar se një ditë më parë, rreth orës 21:00, pas një debati verbal paraprak, është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……Dje, rreth orës 14:00, para një ndërtese banimi në lagjen “Blloku 70”, zyrtarët policorë të SPB Tetovë kanë arrestuar një 56-vjeçar nga Tetova. Ai është kapur para ndërtesës duke prishur rendin dhe qetësinë publike dhe duke u sjellë në mënyrë agresive ndaj banorëve. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas kryerjes së alkooltestit është konstatuar se kishte 3.16 promilë alkool në gjak.
……Dje, në ora 17:55, e shoqëruar nga nëna e saj 47-vjeçare, një 16-vjeçare e mitur nga Tetova ka denoncuar se gjatë pushimit të madh në një shkollë të mesme të Tetovës, pas një debati të shkurtër, është sulmuar fizikisht nga një nxënëse tjetër e së njëjtës shkollë. Po punohet në dokumentimin dhe zbardhjen e rastit.
……Dje, në ora 15:40, një 36-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 14:30, në ambientet e tij të punës në rrugën “29 Nëntori”, është sulmuar fizikisht nga fqinji i tij. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
…….Dje, në ora 23:30, në rrugën “Kiro Ristovski Drnc” në Tetovë, zyrtarët policorë të Stacionit Policor Tetovë kanë privuar nga liria një 32-vjeçar nga Tetova. Ai është denoncuar nga bashkëshortja e tij 30-vjeçare se një ditë më parë, rreth orës 18:00, e ka kërcënuar me një mjet të mprehtë dhe ka tentuar ta dëbojë nga shtëpia. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë kallëzimi përkatës.
……Sot në mëngjes, në ora 06:40, në rrugën “Jovan Onçevski”, zyrtarët policorë kanë arrestuar një 44-vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas një denoncimi paraprak për dhunë në familje. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe gjatë alkooltestit i janë matur 2.22 promilë alkool në gjak. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të vijojë kallëzimi përkatës.
Lajme nga vendi
Besnik Xhemaili zgjidhet zëvendëskryetar i Antikorrupsionit
Anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Besnik Xhemaili, është zgjedhur zëvendëskryetar i KSHPK-së, funksion që do ta kryejë gjashtë muaj.
Zgjedhja e zëvendëskryetarit të KSHPK-së është kryer sipas parimit të rotacionit, dhe renditja u përcaktua sipas rendit alfabetik të mbiemrave të anëtarëve të KSHPK-së, shpjegoi kryetari Adem Çuçuli.
“Mandati i zëvendëskryetares aktuale të KSHPK-së, Sofija Spasova Medarska, përfundon më 18 gusht, ndërsa mandati i zëvendëskryetarit të ri, Besnik Xhemaili, do të fillojë më 19 gusht të këtij viti”, theksoi Çuçul, propozimi i të cilit u pranua unanimisht.
Në seancën e sotme të KSHPK-së, kryetari Çuçul informoi se Komisioni ka evidentuar 30 persona të zgjedhur, të emëruar ose mandati i të cilëve ka përfunduar në prill, të cilët nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor për të paraqitur deklaratën e gjendjes pronësore dhe konfliktit të interesit brenda afatit ligjor. Për të gjithë personat, theksoi Çuçul, do të iniciohen procedura kundërvajtëse dhe shqiptohen gjoba.
Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sot morën 51 vendime për të njëjtin numër rastesh nga ankues të njohur ose të panjohur në KSHPK.
Lajme nga vendi
Uji në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik, nuk lejohet për pirje
Uji nga ujësjellësi në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik dhe ende nuk ka rekomandim që të përdoret për pirje ose gatim, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas tij, arsyeja është paraqitja e një bakteri rezidual në instalimet e ujësjellësit, për shkak të të cilit uji vazhdon të jetë i ndaluar për konsum.
Duke komentuar akuzat ndaj Qeverisë se nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar ndotjen e ujit në Gostivar, Mickoski tha se në vitin 2021, kur lideri i SDSM-së, Venko Filipçe, ishte ministër i Shëndetësisë, ishin regjistruar mbi 400 ankesa për cilësinë e ujit në Gostivar.
Kryeministri i bëri thirrje Prokurorisë që t’i verifikojë këto pretendime, të hapë procedurë dhe të kryejë kontrolle në Institutin e Shëndetit Publik dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Sipas Mickoskit, institucionet kompetente duhet të sqarojnë pse, edhe pse kanë pasur mundësi të reagojnë, nuk kanë ndërmarrë masa për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Gostivarit.
Lajme nga vendi
Skandal me provimin e Stomatologjisë: Studentja i pagoi ryshfet profesorëve, policia kapi mijëra euro
Njësia për Krim Financiar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në një skemë korruptive lidhur me përfitimin e paligjshëm të certifikatës për provimin profesional në stomatologji.
Gjatë kontrolleve te dy prej të dyshuarve, policia ka sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme.
Sipas MPB-së, A.T. (27) nga Manastiri, studente e stomatologjisë, gjatë dhjetorit 2025 ka komunikuar disa herë përmes aplikacionit Viber me S.Ç. (56) nga Gostivari, profesor në Fakultetin e Stomatologjisë dhe ish-nënkryetar i Odës së Stomatologëve.
Siç njofton MPB-ja, pasi arritën marrëveshje, studentja i ka transferuar para në llogarinë bankare profesorit, me qëllim që ai të përdorte ndikimin e tij për t’i mundësuar marrjen e certifikatës si punëtore shëndetësore, edhe pse nuk i plotësonte kushtet e nevojshme.
Sipas kallëzimit penal, profesori më pas ka ndërhyrë te S.E. (63) nga Shkupi, i cili në atë periudhë ishte kryetar i Komisionit për Provimin Profesional pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Më 17 dhjetor 2025, studentja është paraqitur para komisionit, ka kaluar provimin dhe më pas ka marrë certifikatën shtetërore.
Gjatë aksionit, zyrtarët policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë kanë kryer kontrolle në banesat e të dyshuarve të dytë dhe të tretë, ku janë sekuestruar 65.280 euro, 29.840 franga zvicerane dhe 161.500 denarë.
“Në bazë të provave të siguruara, A.T. dyshohet për veprën penale dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, S.Ç. për marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ndërsa S.E. për marrje ryshfeti”, njoftoi MPB.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që lidhen me skemën e dyshuar korruptive.

