Lajme nga vendi
Tripunovski: Kufizim i marzhës së çmimeve të plehrave për mbrojtjen e prodhimit bujqësor vendor!
Me qëllim që të parandalohet rritja e çmimeve dhe të ndihmohen bujqit si dhe prodhimi bujqësor vendor, sot në mbledhjen e 166-të të Qeverisë u miratua një Vendim me të cilin kufizohet marzha e çmimeve të plehrave artificiale.
Qëllimi është të sigurohet qasje më e lehtë në plehra dhe të mbrohen bujqit nga rritja e çmimeve.
Bëhet fjalë për dy vendime që do të hyjnë në fuqi dhe do të zbatohen deri më 31.05.2026.
Vendimi i parë u referohet të gjitha personave juridikë dhe fizikë të regjistruar për prodhim dhe tregti me shumicë dhe pakicë, të cilët furnizojnë dhe shesin:
* plehra inorganike;
* plehra organike;
* plehra organo-minerale;
* biostimulatorë dhe përmirësues të vetive të tokës.
Marzha maksimale bruto e fitimit për plehrat inorganike, sipas këtij vendimi, përcaktohet në gjithsej deri në 5% në tregtinë me shumicë dhe deri në 5% në tregtinë me pakicë.
Ndërsa për plehrat organike, organo-minerale dhe biostimulatorët, marzha maksimale bruto e fitimit në tregtinë me shumicë do të jetë deri në 10%, ndërsa në tregtinë me pakicë gjithashtu deri në 10%.
Gjithashtu, vendoset detyrim për furnizim të vazhdueshëm të tregut me plehra artificiale. Tregtarët me pakicë obligohen që çdo muaj të sigurojnë dhe shesin të paktën 70% të sasisë mesatare të furnizuar gjatë vitit 2026, ndërsa tregtarët me shumicë obligohen të furnizojnë tregtarët me pakicë me të paktën 70% të sasisë mesatare të shitur.
Qëllimi i këtij vendimi është të parandalohet mungesa eventuale në treg, të sigurohet disponueshmëri e rregullt e plehrave dhe të mbrohen bujqit nga rritjet e pajustifikuara të çmimeve.
Me vendimin e dytë të miratuar sot, kufizohet rritja e çmimeve të plehrave në tregun vendor, përkatësisht bëhet korrigjimi i çmimeve të shitjes me ulje prej 10% për stoqet që shitësit i kanë siguruar me çmime të mëparshme (më të larta).
Me këto dy vendime arrihet stabilizimi i çmimeve të plehrave, përkatësisht korrigjimi dhe ulja e tyre.
Këto vendime janë marrë pas konsultimeve dhe diskutimeve paraprake me importuesit e regjistruar të plehrave artificiale, si dhe në bazë të analizës së kryer nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, ku është konstatuar rritje e çmimeve.
Rritja e çmimeve të plehrave nënkupton kosto më të lartë prodhimi dhe presion mbi bujqit në vend. Prandaj, qëllimi i këtyre vendimeve është stabilizimi i tregut, ulja e kostove dhe mbrojtja e prodhimit bujqësor vendor.
Qeveria do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme të monitorojë gjendjen në treg dhe nëse është e nevojshme, do të ndërmarrë masa shtesë në interes të qytetarëve, bujqësisë vendore dhe ekonomisë.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

