Lajme nga rajoni
Shqipëria përballë një vale të re,një rritje shqetësuese të rasteve me HIV : Të rinjtë më të prekur, një në tre raste zbulohet vonë
Pas një dekade luhatjesh dhe një stabilizimi, Shqipëria po dëshmon një rritje shqetësuese të rasteve të reja me HIV. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), viti 2025 ka shënuar 125 raste të reja deri në muajin tetor, duke sinjalizuar një rikthim në nivelet më të larta të regjistruara që nga viti 2016. Që nga viti 1993, numri total i personave të prekur në vend ka arritur në një total prej 1,973.
Studimi i institutit të Shëndetit Publik tregon se infektimi me HIV mbetet kryesisht një fenomen i përqendruar në qendrat e mëdha urbane, aty ku lëvizshmëria e popullsisë dhe densiteti janë më të larta. Pothuajse gjysma e të gjithë rasteve në vend banojnë në kryeqytet.
Ky përqendrim lidhet me mundësitë më të mëdha për testim, por edhe me stilin e jetesës urbane. Pas Tiranës vjen Durrësi me 7.8% të rasteve, Elbasani me 7.1%. Shkodra (4.5%) dhe Vlora (3.4%) ndjekin listën, ndërsa qytete si Lushnja, Fieri, Korça, Gjirokastra dhe Saranda luhaten midis 2% dhe 3%.
Ekspertët vërejnë se ndonëse numrat janë më të ulët në rrethe, kjo mund të maskojë mungesën e qasjes në testim dhe frikën nga paragjykimi në komunitetet e vogla.
Studimi konfirmon se HIV po prek kryesisht moshën më aktive dhe produktive të shoqërisë. Raporti gjinor mbetet i lartë, me 3.5 meshkuj për çdo 1 femër të diagnostikuar. Incidenca kulmon në grup-moshën 25–29 vjeç, me 24 raste për 100,000 banorë. Kjo tregon një ekspozim të lartë të të rinjve ndaj sjelljeve me rrezik.
Ndryshe nga meshkujt, te femrat rreziku shfaqet më i lartë në moshë më të pjekur, konkretisht në grup-moshën 40–49 vjeç. Ndonëse pas moshës 40-vjeçare shihet një rënie progresive, rastet mbeten të pranishme në çdo grup-moshë, duke treguar se askush nuk është plotësisht i imunizuar nga rreziku i transmetimit.
Studimi gjeti se rruga kryesore e përhapjes në Shqipëri nuk është përdorimi i drogave me injektim, por marrëdhëniet seksuale të pambrojtura. Transmetimi Heteroseksual mbetet rruga dominuese, duke arritur në 87% të rasteve vetëm për vitin 2025. Meshkujt që kryejnë seks me meshkuj mbeten një grup me rrezik të lartë. Megjithatë, specialistët e ISHP-së ngrenë alarmin se kjo shifër mund të jetë e nënraportuar për shkak të stigmës së fortë, që i shtyn këta individë të fshehin mënyrën e infektimit ose të shmangin testimin.
Edhe pse në nivele të ulëta, në vitin 2025 u regjistrua 1 rast i kalimit të virusit nga nëna te fëmija, gjë që thekson nevojën për testim të detyrueshëm gjatë shtatzënisë.
Problemi i madh, diagnostikimi i vonë
Një nga sfidat më kritike të sistemit shëndetësor shqiptar është diagnoza e vonë, vëren iSHP. Në vitin 2025, 34% e rasteve të reja u zbuluan kur pacienti ishte tashmë në stadin AIDS. Kjo ndodh sepse individët paraqiten në spital vetëm kur shfaqin simptoma të rënda, duke humbur mundësinë për të nisur Trajtimin Antiretroviral (TAR) në kohë, i cili do t’u siguronte një jetë normale dhe do të parandalonte përhapjen e mëtejshme.
Deri në fund të tetorit 2025, janë kryer rreth 60,000 testime në shkallë vendi. Megjithatë, shumica e tyre (59.3%) vijnë si referime mjekësore dhe jo si dëshirë vullnetare e individit.
Shteti ofron testim falas dhe konfidencial në institutin e Shëndetit Publik dhe Klinikën Ambulatore në QSUT, në njësitë Vendore të Shëndetit Publik në 12 prefektura dhe spitalet rajonale dhe laboratorët privatë të certifikuar.
Ekspertët e ISHP-së bëjnë thirrje se njohja e statusit nuk është vetëm mbrojtje për veten, por edhe një akt përgjegjësie ndaj shoqërisë, pasi testimi i hershëm shpëton jetë./MONITOR
Lajme nga rajoni
Haxhiu e prerë: Nuk lejojmë gjyqtarë dhe prokurorë nën urdhrat e Serbisë
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka thënë se Kosova nuk mund të lejojë që në sistemin e saj të drejtësisë të ketë ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë serbë që u binden urdhrave të Serbisë.
Ajo i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ta zbatojë ligjin dhe të veprojë njësoj si Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke i dhënë epilog çështjes së dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.
“Ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë nga Serbia. Pjesa dërrmuese e tyre kanë përfituar mjete financiare nga Serbia. Edhe gjatë kohës sa kanë qenë prokurorë dhe gjyqtarë në Kosovë kanë marrë mjete financiare nga Serbia”, ka thënë ajo.
Haxhiu teksoi se ka raste kur ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë “kanë marrë pjesë në takime të ndryshme në Serbi dhe Kosovë, ku janë diskutuar plane edhe për bllokimin e rrugëve në Kosovë”.
“Mandati i prokurorit dhe i gjyqtarit përfundon me dorëheqje. Ligji nuk parasheh asnjë mekanizëm për rikthimin në të njëjtin mandat. Në linjë me përgjegjësitë e mia, unë sot i bëj thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ta ndjekë praktikën e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Nuk mund të lejojmë që në sistemin tonë të drejtësisë të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që u binden urdhrave të Serbisë. Kush nga partnerët tanë ndërkombëtarë do të lejonte që në shtetet e tyre të kishin prokurorë dhe gjyqtarë që u binden shteteve të tjera? Dyert e institucioneve tona janë të hapura për prokurorë dhe gjyqtarë serbë që nuk ndikohen nga Serbia”, ka shtuar Haxhiu.
Haxhiu: Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia, drejtësia në veri ka dështuar
Haxhiu tha se ndikimi i drejtpërdrejtë i Serbisë te këta individë, ka bërë që drejtësia në veri të dështoj më parë.
“Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia dhe lojalitetit të dëshmuar, në shumë raste administrimi i drejtësisë ka dështuar në të kaluarën në veri. Dhe ka dyshime të bazuara që ato veprime kanë qenë të qëllimshme dhe të instruktuara nga qarqe të lidhura me krimin, por edhe me pushtetin në Serbi”, ka thënë ajo.
Ajo tha se ka dëshmi se një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë kryer aktivitete të dyshimta, duke u angazhuar me punë në shërbim të strukturave ilegale serbe që kanë operuar në Kosovë, me theks të veçantë në veri të vendit.
Lajme nga rajoni
KGJK-ja sot shqyrton tërheqjet e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë
Sot do të mbahet mbledhja e radhës e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në të cilën pritet të shqyrtohen disa çështje me rëndësi për funksionimin e sistemit gjyqësor në vend.
Njëra ndër pikat kryesore të rendit të ditës është shqyrtimi i kërkesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe i njoftimeve të dorëzuara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës nga komuniteti serb lidhur me tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.
U.d. Presidentja Haxhiu, përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 kryesuesit të KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli të trajtojë këtë çështje dhe të marrë një vendim përfundimtar lidhur me statusin e dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe personeli administrativ i komunitetit serb, të cilët kishin braktisur institucionet e drejtësisë në veri të vendit.
Kërkesa vjen në një kohë kur një numër pjesëtarësh të komunitetit serb kanë shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer në institucionet e Kosovës, duke njoftuar për tërheqjen e dorëheqjeve të mëhershme. Vendimi që do të marrë KGJK-ja pritet të ketë ndikim në funksionalizimin e plotë të sistemit gjyqësor, veçanërisht në komunat me shumicë serbe.
Përveç kësaj çështjeje, anëtarët e Këshillit do të shqyrtojnë edhe pika të tjera të parapara në rendin e ditës, ndërsa pritet të zhvillohet edhe procesi i zgjedhjes së zëvendëskryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Lajme nga rajoni
BE-ja i përgjigjet ashpër ministres serbe pas deklaratës për “spastrimin etnik” të Kosovës
Bashkimi Evropian dënoi deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja nuk komenton deklarata individuale, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.
“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, tha Hipper duke iu adresuar gazetarëve në Bruksel.
Sipas saj, ato bien ndesh edhe me zotimet që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, shtoi Hipper.
Paunoviq deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” – deklaratë që nxiti reagime dhe dënime edhe në Kosovë.

