Lajme nga vendi
SPB ; Kronika e zezë për ditën e djeshme 22 Prill Tetovë dhe Gostivar
Dje, rreth orës 17:00, zyrtarë policorë nga Sektori për tregti të paligjshme me drogë dhe armë pranë SPB Tetovë, në bazë të një urdhri gjyqësor, kanë kryer bastisje në shtëpinë dhe ambientet ndihmëse të një 29-vjeçari në lagjen Drenovec të Tetovës. Gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar një peshore digjitale me mbetje kokaine. Personi është privuar nga liria dhe është mbajtur në stacionin policor për procedurë të mëtejshme.
……Sot , në periudhën nga ora 00:10 deri në 01:05 pas mesnate, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë kryer një kontroll aksion në një objekt hotelier në fshatin Zubovcë, komuna e Vrapçishtit, pronë e një 20 -vjeçari nga fshati Dobërdoll. Gjatë kontrollit, për shkak të keqpërdorimit të qëndrimit turistik, janë shoqëruar tri gra, dy nga Republika e Serbisë, si dhe një nga Republika e Shqipërisë. Ato janë ndaluar në Stacionin Policor të Gostivarit për procedurë të mëtejshme.
……Dje, në ora 15:30, në Stacionin Policor të Gostivarit, një grua 51-vjeçare nga Gostivari ka raportuar se rreth orës 12:00, në bulevardin “Goce Dellçev”, është shqetësuar nga një qytetar nga Gostivari. Sipas denoncimit, derisa ajo po drejtonte automjetin “Volksëagen Tiguan”i denoncuari me një automjet “Ford” ka lëvizur me shpejtësi të madhe, ka frenuar vrullshëm, ka hapur derën e automjetit të saj dhe e ka ofenduar. Më pas, sipas raportimit, ai ka vazhduar ta ndjekë me automjet. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……Dje, në Stacionin Policor të Çairit, një 36- vjeçar nga Tetova ka denoncuar se është mashtruar nga një person. Sipas denoncimit, në periudhën prej 17.04. deri më 22.04.2026, denoncuesi i ka dorëzuar automjetin e tij “Seat Leon” personit , bazuar në një marrëveshje gojore për shitblerje në vlerë prej 12.000 eurosh. I denoncuari nuk është paraqitur në takimet e rëna dakord për pagesë dhe ka ndaluar së përgjigjuri në thirrjet telefonike. Denoncuesi më vonë e ka vërejtur automjetin e tij te një person i tretë, i cili ka deklaruar se e ka blerë mjetin për shumën prej 7.000 eurosh. Po ndërmerren masa për gjetjen e autorit.
……Dje, rreth orës 23:00, në rrugën “18 Nëntori” në Gostivar, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga Gostivari, pasi i njëjti është sjellë në mënyrë agresive ndaj policëve derisa ata po kryenin detyrën zyrtare. Ai është shoqëruar në Stacionin Policor të Gostivarit dhe ndaj tij do të ngrihet padi përkatëse.
Lajme nga vendi
Bekim Sali: “Vendimmarrjet në qeveri jane kolektive, asnjëherë individuale”
Zëvendëskryeministri i Maqedonia e Veriut, Bekim Sali, ka theksuar se vendimmarrja në Qeveri nuk është asnjëherë individuale, por zhvillohet në mënyrë kolektive informon Tetovasot.
Sipas tij, krijimi i politikave bëhet përmes konsultimeve të vazhdueshme ndërmjet institucioneve dhe faktorëve relevantë, duke garantuar kështu një proces më gjithëpërfshirës dhe të balancuar.
“Vendimmarrjet në Qeveri janë kolektive, asnjëherë individuale,” deklaroi Sali, duke nënvizuar se çdo vendim kalon përmes diskutimeve dhe koordinimit të gjerë institucional.
Ai shtoi se ky model synon të rrisë transparencën, përgjegjësinë dhe cilësinë e politikave publike në vend.
Lajme nga vendi
Fuqizimi i të rinjve dhe zhvillimi i karrierës në fokus në festimin e Ditës së Mbretit në Tetovë
Institute for Leadership and Public Policy shënoi me sukses festimin e King’s Day përmes një eventi dinamik të mbajtur, duke bashkuar të rinj, përfaqësues institucionalë dhe profesionistë me qëllim promovimin e zhvillimit të karrierës, fuqizimit të të rinjve dhe përfshirjes gjinore.
Ngjarja u nderua me praninë e Shkëlqesisë së Saj, Özlem Canel, Ambasadore e Mbretërisë së Holandës, së bashku me përfaqësues nga universitetet, sektori privat, shoqëria civile, si dhe mbi 70 të rinj nga rajoni I Pollogut dhe Shkupit.
Në qendër të aktivitetit ishte një panel diskutimi interaktiv me titull “Të përballosh sfidat në karrierë – veçanërisht për gratë, dhe zgjedhja e profesioneve të mirëpaguara”, i cili krijoi një hapësirë për dialog të hapur ndërmjet profesionistëve me përvojë dhe të rinjve. Diskutimi trajtoi sfida kyçe si hendeku ndërmjet arsimit dhe kërkesave të tregut të punës, pabarazitë gjinore në zgjedhjen e karrierës, si dhe rëndësinë e aftësive praktike dhe mentorimit në ndërtimin e rrugëve të suksesshme profesionale.
Pjesëmarrësit –ndanë përvoja personale dhe këshilla praktike, duke inkurajuar të rinjtë të ndërmarrin hapa aktivë në ndërtimin e karrierës së tyre dhe të eksplorojnë mundësi përtej rrugëve tradicionale.
Një moment i veçantë i eventit ishte vlerësimi i studentëve që përfunduan me sukses programin “Next Gen Career Up” implementuar po nga Instituti për Lidership, një iniciativë e krijuar për të forcuar aftësitë për punësim, orientimin në karrierë dhe vetëbesimin e të rinjve. Pjesëmarrësve iu ndanë certifikata, duke njohur përkushtimin dhe zhvillimin e tyre gjatë programit.
ILPP vazhdon të luajë një rol kyç në ngushtimin e hendekut ndërmjet arsimit dhe punësimit, duke promovuar zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës dhe lidershipin tek të rinjtë.
Lajme nga vendi
Ekspeditë studimore në terren dhe ligjërata të hapura nga profesorë vizitorë në katedrën e Gjeografisë
Në kuadër të angazhimit akademik dhe praktik, katedra e Gjeografisë realizoi me sukses një ekspeditë studimore dyditore me studentët, duke ofruar një përvojë të drejtpërdrejtë në terren dhe ndërlidhje konkrete të teorisë me praktikën.
Itinerari i kësaj ekspedite përfshiu drejtimet Tetovë – Strugë – Pogradec (Liqeni i Ohrit) – fushëgropa e Korçës, ku studentët patën mundësinë të eksplorojnë nga afër tiparet gjeografike, zhvillimin urban, si dhe elementet kulturore të këtyre zonave. Vizitat në monumente natyrore dhe kulturore shërbyen si një “laborator i hapur”, duke i ndihmuar studentët të kuptojnë më thellë proceset gjeografike dhe ndërveprimin e njeriut me mjedisin.
Dita e dytë e ekspeditës vazhdoi me vizitat në Voskopojë dhe monumentet e saj me vlera të veçanta historike e kulturore, si dhe në rajonin e Liqenit të Prespës. U realizuan ndalesa në vendkalimin kufitar në Stenjë, më pas në qytetin e Resnjës dhe në Manastir, ku studentët analizuan karakteristikat rajonale dhe rëndësinë e tyre në kontekstin më të gjerë gjeografik dhe socio-ekonomik. Në kuadër të kësaj vizite, u zhvillua edhe një takim në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, ku studentët dhe stafi akademik patën mundësinë të njihen nga afër me Fakultetin e Shkencave Humane, përkatësisht me katedrën Histori-Gjeografi. Kjo përvojë ofroi një pasqyrë të qartë mbi programet studimore, kushtet e studimit dhe mundësitë për zhvillim akademik e profesional në fushën e gjeografisë. Në vazhdën e aktiviteteve akademike, më 20.04.2026, studentët e katedrës së Gjeografisë ndoqën edhe ligjërata të hapura nga profesorë vizitorë nga Republika e Shqipërisë, të cilat u fokusuan në tematika të ndërlidhura drejtpërdrejt me zonat e vizituara gjatë ekspeditës.
Ligjërata “Zbulimi i Shqipërisë Juglindore: një vështrim mbi natyrën dhe ekonominë” u mbajt nga Doc. Dr. Rudina Uruçi, ndërsa ligjërata “Rajonet ndërkufitare dhe mundësitë për integrim: rasti Gollobordë–Strugë” nga Prof. Asoc. Artan Lila. Përmes këtyre ligjëratave, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre dhe të analizojnë në mënyrë më të strukturuar fenomenet gjeografike dhe zhvillimet rajonale.
Profesorët vizitorë u pritën nga dekani i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, Prof. Dr. Florim Idrizi, prodekani për shkencë, Prof. Dr. Ahmed Jashari, si dhe shefi i Departamentit të Gjeografisë, Prof. Dr. Resul Hamiti.
Këto aktivitete janë një pjesë e rëndësishme për formimin akademik të studentëve, duke ndihmuar në zhvillimin e aftësive praktike, në zgjerimin e horizonteve shkencore dhe në forcimin e lidhjeve mes institucioneve.
-
Lajme nga bota4 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni4 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport4 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

