Lajme nga vendi
Arben Fetai do të largohet nga qeveria, i ka treguar personalisht kryeministrit Mickoski
Zëvendëskryeministri Arben Fetai, i cili periudhën e kaluar nuk shkonte në punë, do të largohet nga ekzekutivi, ndërsa këtë informacion para disa javësh e ka ndarë me kryeministrin Hristijan Mickoski. Fetai i cili periudhën e kaluar e humbi pushtetin brenda ASH-së së VLEN-it pas krisjes politike me Azir Aliun dhe Mimoza Musën, i ka thënë Mickoskit se do të rikthehet në Bruksel.“
“Po ne biseduam unë dhe ai personalisht dhe ai personalisht më tha se në të ardhmen nuk do të shihet në Qeveri të cilën e udhëheqë unë, ajo ishte para disa javësh. Ai tha se do të kthehet në Bruksel, duke e pasur parasysh arsimimin e tij, përvojën e tij në kuadër të institucioneve në Bruksel, unë mendoj se ndoshta do të ishte mundësi e mirë të jetë ndonjë i dërguar special në kuadër të Parlamentit Evropian, në kuadër të administratës së Brukselit, kështu që ende mendoj për ato rrethana”, tha kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën për TV Sitel.
Ndërkohë figura tjetër në qeveri jashtë koordinimit politik të VLEN-it është ministri Fatmir Limani, për të cilin Bilall Kasami konfirmoi për Alsat se edhe ai nuk do të jetë pjesë e VLEN-it e cila më 9 maj zyrtarisht shkrihet në parti. Megjithatë, nuk dihet nëse edhe ai do të përfshihet në rikonstruimin e Qeverisë të cilin Mickoski e paralajmëron për në fund të muajit maj ose qershor. Parimisht, kryeministri njoftoi se do të ketë ndryshim të disa ministrave dhe do të ketë rotacione brenda partnerëve qeveritar VMRO-VLEN-ZNAM, megjithatë nuk dihet konkretisht se në cilat resorë do të ketë ndryshime. Në një linjë me atë, janë edhe nga koalicioni VLEN, të cilët thonë se aktualisht po angazhohet në zbatimin e prioriteteve programore.
“Aktualisht nuk është diskutuar lidhur me ndryshimet e resorëve në përbërjen e Qeverisë. Në këtë fazë, i gjithë angazhimi i VLEN-it është i përqendruar në proceset që janë në vijim dhe në realizimin e prioriteteve tona programore. Çdo zhvillim me interes publik, do të komunikohet në kohë, ku qytetarët dhe mediat do të informohen për gjitha detajet”, thonë nga VLEN për Alsat.
Ndër emrat e përfolur që pritet të përfshihen me rikonstruimin e Qeverisë është edhe ministri i Drejtësisë Igor Fillkov i cili vjen nga radhët e ZNAM-it, për shkak ngecjeve të reformave gjyqësore, por edhe ai i Kulturës Zoran Lutkov. Gjithashtu përflitet se mund të lëvizin nga pozicionet ministri i Jashtëm, Timço Mucunski dhe ai i Administratës Goran Minçev. Nuk përjashtohet gjithashtu mundësia që të ketë ndryshime, qoftë dhe rotacion mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
PDSH mbledh nesër Kuvendin Qendror, në fokus përgatitjet për Kongresin e IX
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka njoftuar se të shtunën, më 25 prill, do të mbajë mbledhjen e radhës të Kuvendit Qendror, ku pritet të diskutohen çështje të rëndësishme që lidhen me organizimin e partisë dhe përgatitjet për Kongresin e IX.
Sipas njoftimit zyrtar, mbledhja do të mbahet në ambientet e Hotel “NB” në Tetovë, me fillim nga ora 11:30.
Në rend të ditës, siç bëhet e ditur, do të jenë dy pika kryesore: përcaktimi i datës për mbajtjen e Kongresit të IX të PDSH-së dhe formimi i këshillit organizativ që do të merret me mbarëvajtjen dhe aspektet teknike të kongresit.
Nga partia këtë proces e cilësojnë si një hap të rëndësishëm të brendshëm, që hap rrugën për riorganizime dhe vendime strategjike për të ardhmen e subjektit politik.
Mbledhja e nesërme pritet të shënojë nisjen formale të përgatitjeve për kongresin e radhës, në një periudhë të rëndësishme për zhvillimet e brendshme në PDSH.
Lajme nga vendi
Tragjedia në Kisella Vodë, Prokuroria jep urdhër për obduksion
Prokuroria Themelore Publike Shkup njoftoi se Inspektorati Shtetëror i Punës dhe inspektori komunal i ndërtimit janë përfshirë në hetimin e shkaqeve të aksidentit dhe respektimin e rregullave për mbrojtjen gjatë punës në kantierin e ndërtimit.
Nga Prokuroria informojnë se është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes në komunën e Kisella Vodës, ku mëngjesin e sotëm një punëtor ndërtimi humbi jetën, ndërsa tre të tjerë mbetën të lënduar pasi u zunë nga dheu gjatë gërmimit të themeleve të një ndërtese. Është lëshuar urdhër për obduksion të trupit të punëtorit të ndjerë.
”Prokurori publik kujdestar ka kryer këqyrje në lokacionin në Kisella Vodë, ku gjatë një shembjeje në kantier një punëtor humbi jetën dhe tre u lënduan. Prokurori ka lëshuar urdhër për obduksion të të ndjerit,” njoftuan sot nga PTHP Shkup.
Nga Prokuroria shtojnë se Inspektorati Shtetëror i Punës dhe inspektori komunal i ndërtimit janë angazhuar për të ekzaminuar shkaqet e aksidentit dhe nëse janë respektuar rregullat për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Aksidenti ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00 në një kantier ndërtimi në rrugën “Kozjak” në Kisella Vodë. Tre të lënduarit, dy prej të cilëve me lëndime më të lehta, janë transportuar në Qendrën Urgjente në kuadër të Qendrës Klinike të Shkupit.
Lajme nga vendi
Dimitrieska-Koçoska: Gratë në lidership janë motor i progresit ekonomik
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, mbrëmë mori pjesë dhe mbajti fjalim në edicionin jubilar të 30-të të manifestimit “Përzgjedhja e grave menaxhere më të suksesshme”, ngjarje që për tre dekada paraqet platformë të rëndësishme për promovimin e grave lidere, sipërmarrëse dhe profesioniste, të cilat japin kontribut të rëndësishëm në ekonominë dhe shoqërinë maqedonase.
Në fjalën e saj, ministrja theksoi se manifestimi është mirënjohje për gratë të cilat, me përkushtimin, profesionalizmin dhe vizionin e tyre, krijojnë vlerë dhe lënë gjurmë të qëndrueshme në komunitetin e biznesit.
“Ky manifestim nuk është vetëm shënim i një jubileu të rëndësishëm, por edhe mirënjohje për gratë që, me punën, njohuritë dhe këmbënguljen e tyre, kanë lënë gjurmë afatgjate në ekonominë maqedonase. Çdo grua e suksesshme është dëshmi se arritjet e larta janë rezultat i punës së palodhur, disiplinës, integritetit dhe guximit”, tha ministrja Dimitrieska-Koçoska.
Ajo theksoi se suksesi i grave lidere ka peshë të veçantë, duke pasur parasysh rolet e tyre të shumëfishta në jetën profesionale dhe personale, si bartëse të pozitave përgjegjëse, por edhe si mbështetje për familjen dhe komunitetin.
Ministrja theksoi se si person që vjen profesionalisht nga sektori privat, ajo e kupton mirë rëndësinë e besimit, përgjegjësisë dhe rezultateve që krijohen me kalimin e viteve.
“Unë vij nga sektori privat – mjedis në të cilin rezultatet maten çdo ditë, ku besimi krijohet me punë, ndërsa përgjegjësia nuk është formalitet, por mënyrë funksionimi. Aty i kam krijuar vlerat e mia profesionale, kam mësuar se suksesi kurrë nuk është individual, por është rezultat i përkushtimit, punës në ekip dhe vizionit të qartë”, theksoi ministrja.
Në fjalimin e saj, ministrja theksoi se përkrahja e grave në ekonomi dhe sipërmarrje nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore, por edhe çështje e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
“Përkrahja e grave në ekonomi, sipërmarrje dhe lidership do të thotë mbështetje e zhvillimit ekonomik. Çdo grua që krijon vlera të reja, kontribuon në kompani të fuqishme, ekonomi më konkurruese dhe shoqëri më të fuqishme”, theksoi ministrja.
Dimitrieska-Koçoska theksoi se institucionet kanë detyrim të vazhdojnë të krijojnë mjedis në të cilin gratë do të kenë mbështetje edhe më të madhe për zhvillimin profesional, lidershipin dhe sipërmarrjen, si dhe të jenë frymëzim për gjeneratat e reja.
Në fund të fjalimit, ministrja i përgëzoi fitueset e çmimeve dhe u uroi suksese të mëtejshme në nivel personal dhe profesional, duke theksuar se arritjet e tyre janë nxitje e fuqishme për zhvillimin e ardhshëm të lidershipit të grave në vend.
-
Lajme nga bota4 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni4 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport4 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

