Connect with us

Lajme nga vendi

Konsumi i naftës në kufijtë e Maqedonisë trefishohet, 200 mijë litra në ditë blihen nga shqiptarët

Published

on

Pikat kufitare të karburantit në Maqedoninë e Veriut kanë parë së fundmi një trefishim të shitjeve të karburantit, për shkak të kërkesës së shtuar nga vendet fqinje, kryesisht Shqipëria dhe më pak Greqia.

Sipas të dhënave zyrtare nga qeveria maqedonase, të siguruara nga “Monitor”, përmes gazetarëve korrespondentë, konsumi ditor i të gjitha llojeve të karburanteve është rritur në 2 milionë litra.

Këtë shifër e ka konfirmuar dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në daljet publike.

Nga konsumi total, 10% i atribuohet qytetarëve të huaj, kryesisht nga Shqipëria dhe nga Greqia, sipas të dhënave zyrtare. Kjo do të thotë se rreth 200 mijë litra në ditë karburant konsumohen nga të huajt. Konsumi ditor është rritur nga 1.5 milionë litra në ditë në 2 milionë litra së fundmi, sipas burimeve zyrtare.

Sipas informacionit të konfirmuar, konsumi ditor në pikat e karburantit në kufijtë veriorë, jugorë dhe perëndimorë është trefishuar. Këto janë pika në kufi me doganat e Dibrës së Madhe dhe Prespës.

Advertisement

Të premten, një litër naftë tregtohej në Maqedoninë e Veriut me 1.52 euro. Në Shqipëri. Nafta tregtohet me 202 lekë, ose gati 2.1 euro, gati 40% më shumë se në shtetin fqinjë.

Benzina në Maqedoninë e Veriut tregtohet me 1.3 deri në 1.34 euro, ndërsa në Shqipëri me 176 lekë, ose 1.8 euro.

Edhe përpara fillimit të krizës, shumë makina shqiptare furnizoheshin në Maqedoninë e Veriut. Në shkurt, një litër naftë tregtohej në Maqedoninë e Veriut me 1.1-1.2 euro, ndërsa në Shqipëri me 165-175 lekë (1.7-1.8 euro).

Pas shtrenjtimit të fortë të çmimeve tendenca është theksuar. Këtë e pohuan për Monitor edhe tregtuesit shqiptarë të karburanteve.

Pas shtrenjtimit të karburantit në Bursa, qeveria e Maqedonisë së veriut ndërhyri me shpejtësi për të mos lejuar rritjen e fortë të naftës. Tre javë pas fillimit zyrtar të veprimeve ushtarake në Lindjen e Mesme, më 22 mars, Qeveria mori vendimin e parë për ndërhyrje në çmimet e karburanteve.

Advertisement

Konkretisht, TVSH u ul nga 18% në 10% dhe u shpall gjendje krize energjetike për të krijuar mundësi ligjore për lirimin e mazutit nga rezervat shtetërore.

Më 5 prill 2026, Qeveria mori një vendim të dytë, që ulja e TVSH-së mbetet në fuqi deri në përfundimin e krizës, ndërsa u ulën edhe akcizat: për naftën me 0.06 euro cent dhe për benzinën me 0.03 euro cent për litër. Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, Maqedonia e Veriut mbetet vendi me çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon.

Shqipëria ka marrë vetëm një masë për uljen e akcizës me 20%, nëse çmimi kalon 220 lekë për litër, që është zbatuar vetëm për 5 ditë në mars. Është riaktivizuar dhe Bordi i transparencës për karburantet, por i gjithë kursimi i caktimit të çmimeve nga Bordi, që bazohet në formulën e kostos së blerjes plus taksa dhe një marzh për tregtuesit, nuk i kalon pesë lekë për litër.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Doganat, konsumi vjetor në Shqipëri i karburanteve është rreth 740 mijë ton në vit, ose rreth 2000 ton në ditë (që me çmimin aktual prej 214 lekë për litër përkthehet në një konsum prej 5.2 milionë euro në ditë).

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve llogarit rreth 300 -500 / tonë në ditë naftë merren nga klientët shqiptarë afër zonave kufitare. Krahas tyre, një tjetër konsum i humbur prej 120-300 ton në ditë llogaritet nga shtetasit të huaj, që potencialisht do të blinin në Shqipëri, por furnizohen në hyrje e dale në kufi.

Advertisement

Nga të dhënat vlerësohet se blerjet e karburantit në vendet fqinje janë mesatarisht sa 15-25% e totalit të konsumit në vend. Krahas Maqedonisë së Veriut, edhe Mali i Zi është një tjetër shtet ku blerjet e karburantit janë të larta, po ashtu dhe në Kosovë, megjithëse së fundmi çmimi i naftës në Kosovë është rritur, po gjithsesi mbeten 20-30% më të lira se Shqipëria (1.75 euro/litër në Mal të Zi dhe 1.8 euro në Kosovë)./Monitor

Lajme nga vendi

Dimitrieska-Koçoska: Takim koordinues me drejtorët e DAP-it dhe Doganës – Ndjekim me kujdes lëvizjen e realizimit të Buxhetit

Published

on

Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska sot pati takim pune me drejtoreshën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike Elena Petrova dhe drejtorin e Drejtorisë Doganore Boban Nikollovski, ku u shqyrtua realizimi rrjedhës i Buxhetit, me fokus të veçantë në arkëtimin e të ardhurave dhe lëvizjet në kategoritë individuale të tatimeve.

Gjatë takimit u konstatua se realizimi i Buxhetit lëviz në kuadër të dinamikës së planifikuar dhe se në këtë moment nuk ka devijime të theksuara as në anën e të ardhurave as në anën shpenzimeve.

Ministria e Financave, në koordinim me Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Drejtorinë Doganore, vazhdon të ndjekë me kujdes lëvizjen dhe realizimin e të ardhurave buxhetore.

“Buxheti po realizohet në përputhje me dinamikën e planifikuar. Së bashku me DAP-in dhe Drejtorinë Doganore, i kemi ndjekur në detaje të ardhurat dhe të gjitha lëvizjet që mund të kenë ndikim në realizimin e tyre. Në këtë moment nuk ka devijime domethënëse nga ajo që ishte planifikuar, por mbetemi të kujdesshëm dhe do të reagojmë në kohë nëse situata do të na imponojnë”, tha ministrja Dimitrieska-Koçoska.

Të dhënat për realizimin e Buxhetit deri në muajin gusht tregojnë se të ardhurat e përgjithshme arrijnë në 230.6 miliardë denarë, përkatësisht 60.77% e të ardhurave të planifikuara, ku bazuar në këto të dhëna shënohet rritje prej 8%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Advertisement

Të ardhurat tatimore në tetë muajt e parë të vitit janë realizuar në vlerë prej 131.5 miliardë denarësh, që paraqet  rritje prej 8.2% në bazë vjetore. Rritje është shënuar në të gjitha kategoritë kryesore tatimore – të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë më të larta për 19.9%, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale për 10.9%, të ardhurat ga TVSH-ja për 10.6%, ndërsa të ardhurat nga detyrimet e importit shënojnë rritje prej 9.7%.

Te akcizat është evidentuar  devijim i caktuar, i cili lidhet edhe me masat e ndërmarra nga Qeveria për zbutjen e ndikimit të krizës së shkaktuar nga derivatet e naftës. Ecuria e të ardhurave në këtë kategori do të vazhdojë të ndjekjet me vëmendje.

Në anën e shpenzimeve, në periudhën janar–gusht janë realizuar 268.9 miliardë denarë, përkatësisht 63.15% e shpenzimeve të planifikuara.

Në takim u theksua rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet Ministrisë së Financave, DAP-it dhe Drejtorisë së Doganave, si institucione me rol kyç në realizimin e të ardhurave buxhetore. Në periudhën e ardhshme do të vazhdojë ndjekja e rregullt e realizimit të Buxhetit dhe i zhvillimeve ekonomike mbi bazën e të cilave do të merren vendime për përshtatje eventuale të shpenzimeve buxhetore.

Ministria e Financave mbetet e përkushtuar ndaj menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike, servisimit në kohë të detyrimeve dhe sigurimit të qëndrueshmërisë së Buxhetit, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së qytetarëve dhe sektorit të ekonomisë.

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga vendi

Mexhiti: Çdo rrugë ka rëndësi, çdo lagje meriton investime

Published

on

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot ishte në terren për të parë nga afër punimet infrastrukturore që po zhvillohen në disa pjesë të komunës. Në rrugën “Emin Duraku” po vazhdon rikonstruimi, ndërsa punime po realizohen edhe në rrugët “Dervish Hima” dhe “Parashqevi Qiriazi”.

Në këto rrugë po bëhet asfaltimi, rregullimi i trotuareve me kubëza dhe hyrjeve të banesave. Paralelisht, në të njëjtat lagje është investuar edhe në hapësirat për fëmijë, përmes rregullimit dhe vendosjes së këndeve të reja të lojërave.

“Çdo rrugë e Çairit ka rëndësinë e vet dhe çdo lagje meriton kushte më të mira. Prandaj po investojmë gjithandej. Një lagje e mirë nuk ka vetëm rrugë të rregulluara, por edhe trotuare, hapësira për fëmijë dhe kushte më të mira për jetën e përditshme. Çairi sot është një kantier ndërtimi dhe kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, sepse po punohet dhe po investohet për komunën tonë, për lagjet tona dhe për të ardhmen,” deklaroi Mexhiti.

Punimet do të vazhdojnë në pjesë të ndryshme të Çairit, me investime që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës në çdo lagje.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Hoxha: Agjenda e Gjelbër duhet të kalojë nga zotimet në rezultate konkrete për qytetarët e Ballkanit Perëndimor

Published

on

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, merr pjesë në Takimin e Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAWB), i cili mbahet më 18 dhe 19 shtator në Zhabljak, Mali i Zi, në kuadër të kryesimit të Malit të Zi me Procesin e Berlinit për vitin 2026.

Në fjalimin e tij në sesionin kryesor „Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor – nga zotimet drejt zbatimit“, ministri Hoxha konfirmoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj Agjendës së Gjelbër dhe integrimit evropian, duke theksuar se në fazën e ardhshme fokusi duhet të jetë te zbatimi, investimet dhe bashkëpunimi rajonal.

„Agjenda e Gjelbër duhet gjithnjë e më shumë të bëhet një platformë për zbatim rajonal dhe jo vetëm për dialog rajonal. Ndotja nuk ndalet në kufij, ndërsa rreziqet klimatike janë të përbashkëta“, theksoi Hoxha, duke nënvizuar nevojën për zgjidhje të përbashkëta, shkëmbim të njohurive dhe të dhënave, harmonizim të standardeve dhe zhvillim të infrastrukturës rajonale aty ku kjo është e arsyeshme.

„Suksesi nuk do të matet me numrin e dokumenteve të miratuara. Ai do të matet përmes ndryshimeve konkrete që sjellin përfitime për qytetarët në të gjithë rajonin“, theksoi Hoxha.

Duke folur për prioritetet kryesore të Maqedonisë së Veriut në periudhën e ardhshme, ministri u ndal te përshpejtimi i investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe efikasitetin energjetik, forcimi i qeverisjes klimatike dhe përgatitja për kornizën evropiane për klimën, tranzicioni i drejtë për rajonet e varura nga qymyri, përshpejtimi i reformave në menaxhimin e mbetjeve dhe ekonominë qarkore, si dhe forcimi i përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit.

Advertisement

Takimi i Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është një forum për të shqyrtuar përparimin e arritur deri më tani dhe për të përcaktuar drejtimet politike për fazën e ardhshme të zbatimit të Agjendës së Gjelbër. Në kuadër të takimit në Mal të Zi është paraparë miratimi i Deklaratës Ministrore për Agjendën e Gjelbër për vitin 2026, si dhe mbështetja politike për hapa kyç në nivel rajonal.

Continue Reading

Më të lexuarat