Lajme nga vendi
MOTI: KTHESË E PAPRITUR NË MESJAVË – MAJI VJEN ME TEMPERATURA VJESHTE!
Maqedonia po përgatitet për një ndryshim drastik të motit. Nën ndikimin e një mase ajrore dukshëm më të ftohtë nga veriu, që nga e enjtja, më 30 prill 2026, temperaturat do të pësojnë një rënie drastike prej më shumë se 10 gradësh krahasuar me aktualet, paralajmëron MeteoAlarm. Sipas parashikimit, temperaturat do të jenë dukshëm më të ulëta se zakonisht për këtë periudhë të vitit.
Bëhuni gati për ndryshim drastik të motit. Temperaturat do të bien 10 deri 15 gradë kurse do të ketë edhe reshje dëbore në viset malore. Kështu thuhet në shumicën e njoftimeve të faqeve meterologjike.
Ky ndryshim i motit, sipas metereologëve, është për shkak të ndikimit të masës së ftohtë ajrore nga veriu që në vendin tonë pritet të mbërrijë të enjten më 30 prill.
Për shkak të ftohjes së theksuar, në zonat malore mbi 1200–1300 metra mbi nivelin e detit, reshjet e shiut do të shndërrohen në borë. Temperaturat ditore do të lëvizin nga 9 deri në 18 gradë Celsius.
Vala e ftohtë që po zbret nga Arktiku do të sjellë temperatura 10 deri në 15 gradë më të ulëta se mesatarja për këtë periudhë, gjë që përbën rrezik serioz për bujqësinë.
Vreshtat dhe pemishtet janë veçanërisht të rrezikuara, pasi ndodhen në fazë të ndjeshme lulëzimi për shkak të temperaturave të larta të mëparshme.
Moti i ngrohtë në fillim të prillit, me temperatura që kaluan 25°C, ka nxitur zhvillim të parakohshëm të vegjetacionit, duke e bërë rikthimin e ngricave të mëngjesit shumë më të rrezikshëm sesa gjatë dimrit.
Në mes të javës, anticikloni do ta shtyjë ajrin e ftohtë drejt jugut, në Evropën Qendrore dhe Gadishullin Ballkanik.
Ndërkohë, Evropa Perëndimore dhe Mesdheu perëndimor do të mbeten nën ndikimin e një mase ajrore më të ngrohtë, duke krijuar një kontrast të theksuar temperaturash në pjesën qendrore të kontinentit.
Kjo anomali e fortë temperaturash pritet të sjellë mëngjese shumë të ftohta të premten dhe të shtunën, ku temperaturat mund të zbresin disa gradë nën zero.
Kjo është veçanërisht kritike për shkak të rrezikut nga ngricat në vreshtat në shumicën e vendeve të Ballkanit, ku dëmet mund të jenë të mëdha, madje edhe katastrofike./Tv Koha/
Lajme nga vendi
SHOK TEMPERATURASH NË MAQEDONI: Pas të ftohtit të pazakontë dhe borës, këtë javë deri në 38°C
Pas valës së pazakontë të të ftohtit që solli reshje bore në Malin Sharr dhe në Pelister të premten, më 24 korrik, si dhe pas mëngjesit të sotëm jashtëzakonisht të freskët për muajin korrik, Maqedoninë e pret një tjetër ndryshim i fortë i motit.
Meteorologu Sllavço Poposki njofton se nga fillimi i javës vendi do të përfshihet nga një masë shumë më e ngrohtë ajrore që vjen nga jugu, përkatësisht nga Afrika.
“Që nga e hëna dhe gjatë ditëve në vijim, temperaturat do të shënojnë rritje të shpejtë. Në pjesën më të madhe të Maqedonisë ato do të kalojnë 30 deri në 35 gradë Celsius, ndërsa në rajonin e Povardarisë dhe në pjesën juglindore të vendit do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius”, thekson Poposki.
Sipas tij, vetëm gjatë ditës së hënë, më 27 korrik, priten dukuri lokale të paqëndrueshme të motit, të shoqëruara me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar.
Nga e marta, më 28 korrik, moti do të stabilizohet plotësisht dhe do të mbizotërojë mot me diell, i qëndrueshëm dhe me vranësira të pakta lokale.
Poposki paralajmëron se këto ndryshime të menjëhershme dhe të mëdha të temperaturave mund të kenë ndikim negativ, veçanërisht te personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve të motit.
Lajme nga vendi
Sërish shtrenjtohen karburantet nga mesnata
Çmimet e shitjes me pakicë të benzinave EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 rriten për 3,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i EURODIZELIT (D-Е V) rritet për 4,50 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rritet për 5,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 2,726 denarë për kilogram.
Nga data 28.7.2026, nga ora 00:01, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
Benzinë motori EUROSUPER BS – 95 93,00 (denarë/litër)
Benzinë motori EUROSUPER BS – 98 95,00 (denarë/litër)
Naftë motori EURODIZEL BS (D-E V) 98,50 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 98,00 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 48,099 (denarë/kilogram)
Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: “KREJT E THIRRIN REXHËN” NË ATMOSFERË VERORE!
Nën qiellin e hapur të Banjës së Tetovës, qytetarët patën mundësinë të ndjekin shfaqjen e filmit “Krejt e Thirrin Rexhën”, në kuadër të manifestimit Vera Tetovare, Tetova n’Festë.
Një mbrëmje e bukur kinematografike, e mbushur me emocione, humor dhe atmosferë të veçantë, që bëri bashkë qytetarë të të gjitha moshave.
Tv Koha takoi edhe Artistin e ri nga Tetova, Ledion Mulaku, i cili hapat e parë në aktrim i ka bërë që në moshë të hershme, duke qenë pjesë e disa projekteve filmike dhe serialeve të rëndësishme në rajon, duke përfshirë filmat “Dashuria s’mjafton” dhe “Shkëmbimi”, serialin ndërkombëtar Sunrise, si dhe projektin e fundit “Krejt e thirrin Rexhen”, ku ai interpreton një nga rolet protagoniste dhe është vlerësuar me çmimin Best Young Actor.
Suksesi i tij është një shembull frymëzues për të rinjtë e Tetovës dhe një dëshmi e potencialit të madh që ka rinia jonë.
Vera tetovare riktheu në Tetovë filmin “Krejt e Thirrin Rexhën” me një mbrëmje të veçantë kushtuar artit dhe kinematografisë shqiptare.
Ambienti I hapur në Banjë të Tetovës u bë arenë e gërshetimit të brezave dhe interesimit të jashtëzakonshëm të publikut tetovar.
U shijua së bashku një film I jashtëzakonshëm në një atmosferë të bukur verore, ku sipas organizatorëve, “Tetova N`Festë” vazhdon të sjellë kulturë, art dhe argëtim në çdo cep të qytetit.
/Tv Koha/

