Lajme nga vendi
SPB : Kronika e zezë për ditën e djeshme 03 Maj Tetovë dhe Gostivar
Dje, në ora 09:00, në rrugën lokale Tetovë – fsh. Vollkovi, në afërsi të fshatit Bërvenicë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 66-vjeçar nga fshati Jançishtë. Ai është kapur duke drejtuar një makinë bujqësore – traktor “Ferguson” me targa të Tetovës, pa leje drejtimi. Traktori është konfiskuar, ndërsa pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….Dje, në ora 11:20, në rrugën lokale drejt fshatit Pirok të Tetovës, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria një 46-vjeçar nga fshati Reçicë e Vogël e Tetovës. Derisa zyrtarët policorë po ndërmerrnin masa ndaj personave të tjerë, ai ka filluar të sillet në mënyrë agresive dhe ka drejtuar kërcënime ndaj tyre. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….Dje, në ora 14:25, një person nga Tetova ka raportuar se motra e tij e mitur 15-vjeçare e cila ishte denoncuar si e zhdukur një ditë më parë, është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore. Sipas raportimit, ajo kishte qëndruar te një i njohur i saj në Shkup.
…… Dje, në ora 14:00, te vendi i quajtur “Banjishtë” në Tetovë, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria një 26-vjeçar nga fshati Poroj i Tetovës. Gjatë një kontrolli në trafik, është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Volksvagen Golf” me targa të Tetovës, të cilin ai e drejtonte, ndërsa pas ndërmarrjes së masave është konstatuar se ai nuk kishte dhënë provimin për patentë shofer, si dhe tek ai janë gjetur marihuanë dhe një thikë. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje, në ora 17:05, në DPB Gostivar është raportuar se në rrugën “Nikola Tesla” në Gostivar, për shkak të një keqkuptimi paraprak, ka ndodhur një përleshje fizike mes të afërmve, të gjithë nga Gostivari. Pas zbardhjes së plotë të rastit do të dorëzohen parashtresat përkatëse.
……Dje, në ora 21:50, në Stacionin Policor të Gallatës, një 37-vjeçar nga fshati Dobridoll ka raportuar se rreth orës 15:00 në fshatin Gradec është sulmuar fizikisht nga një person nga i njëjti fshat. Po ndërmerren masa për zbardhjen e ngjarjes.
Dje, në ora 22:35, në rrugën “Jasht Vardarit” në Tetovë, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria një 53-vjeçar nga fshati Çellopek i Tetovës, pasi tek ai është gjetur lëndë pluhur e bardhë. Ai është ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtejshme dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

