Lajme nga vendi
SPB : Kronika e zezë për ditën e djeshme 04 Maj Tetovë dhe Gostivar
SPB Tetovë ka dorëzuar kallëzim penal kundër një 23-vjeçari nga fshati Sellcë е Tetovës, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për vepër penale të kryer “prodhim i paautorizuar dhe lëshim në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”. Më datë 20 Dhjetor 2025, në oborrin e Kalasë në fshatin Sellcë, punonjësit policisë nga SPB Tetovë kanë gjetur një çantë me marihuanë. Pas kryerjes së ekspertizës, është konstatuar se ajo i përket 23-vjeçsrit. Më 04.Maj 2026 në orën 09:00 në rrugën “Gjoce Stojçeski” në Tetovë, ai është privuar nga liria dhe është nxjerrë para gjyqtarit hetues, i cili i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Shkupit për vuajtjen e masës.
……Dje, në orën 12:50, punonjësit e policisë nga DPB Gostivar kanë ndaluar një 48-vjeçar nga Gostivari. Ai kërkohej me urdhër gjykate për vuajtjen e dënimit me burg për vepër penale të dënueshme sipas nenit 144 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.
……..Dje, në orën 07:05 në SPB Tetovë, një grua 30-vjeçare nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 06:50 në Tetovë, ish-partneri i saj nga Shkupi e ka ndjekur dhe shqetësuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje, në orën 11:40 në rrugën magjistrale Gostivar-Tetovë, te nyja e Kamjanit, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 30-vjeçar nga Tetova. Gjatë një kontrolli në trafik, punonjësit e policisë kanë ndaluar një automjet pasagjerësh “Fiat” me targa të Tetovës, të cilin ai e drejtonte, dhe pas marrjes së masave është konstatuar se ai e drejtonte pa pasur patentë shoferi.
……Dje, në orën 18:30 në bulevardin “Iliria” në Tetovë, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 21-vjeçar nga fshati Shipkovicë e Tetovës. Gjatë një kontrolli në trafik, punonjësit e policisë kanë ndaluar një katërçikletë me targa të Shkupit, të cilën ai e drejtonte, dhe pas marrjes së masave është konstatuar se ai e drejtonte pa pasur patentë shoferi.
…….Dje, në orën 15:30 në rrugën “Vëllezërit Gjinovski” në Gostivar, punonjësit e policisë kanë privuar nga liria një 31-vjeçar nga Gostivari, duke vepruar sipas një denoncimi paraprak nga bashkëshortja e tij se në shtëpinë familjare e ka sulmuar fizikisht, me ç’rast ka drejtuar edhe kërcënime ndaj jetës së saj dhe të afërmve të saj. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të përgatitet kallëzimi përkatës.
…..Dje, në orën 08:50 në DPB Gostivar, nga Qendra Mjekësore Gostivar është denoncuar se tek ata me lëndime të rënda trupore është pranuar një 19-vjeçare nga Gostivari. Sipas denoncimit, derisa po lëvizte në rrugën “101”, ajo është sulmuar nga qentë endacakë, dhe gjatë përpjekjes për të ikur, ka rënë dhe ka pësuar lëndimet. Këqyrja e vendit të ngjarjes është kryer nga ekipi i DPB Gostivar.
……Dje, në orën 13:00 në DPB Gostivar, nga Qendra Mjekësore Gostivar është denoncuar se tek ata me lëndime dhe pa ndjenja është sjellë një 69-vjeçar nga fshati Reçan. Sipas denoncimit, ai ka rënë nga shkallët në stallën e tij në fshatin Reçan derisa po kryente punë dhe ka pësuar lëndime.
……Dje, në orën 16:30 në DPB Gostivar është denoncuar se në lagjen “Fazaneria”, një i mitur nga Gostivari, duke drejtuar një trotinet elektrik, ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar në rrugë. Në aksident, i mituri ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Qendrën Mjekësore Gostivar. Me urdhër të prokurorit publik, është kryer këqyrja nga ekipi i DPB Gostivar.
……Dje, në orën 21:10 në lagjen “Banjeshnica” në Gostivar, punonjësit e policisë kanë arrestuar një 35-vjeçar nga Gostivari. Duke vepruar sipas një ankese paraprake se është sjellë në mënyrë agresive ndaj nënës së tij, punonjësit e policisë kanë dalë në vendngjarje, me ç’rast ai ka filluar të sillet në mënyrë agresive ndaj tyre dhe t’i fyejë. Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë kallëzimi përkatës.
Dje, në orën 23:50 në Departamentin Policor të Zhërovjanit, një 19-vjeçar ka denoncuar se në fshatin Vollkovi të Tetovës, pas një debati paraprak, është sulmuar fizikisht nga një person i cili i ka dëmtuar edhe telefonin celular. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit, pas së cilës do të vijojë parashtresa përkatëse.
Lajme nga vendi
Klekovski: 71 raste të reja në Gostivar, shifër brenda incidencës para shpalljes së epidemisë
Janë regjistruar 71 raste të reja në kontaktin e parë, shifër që është brenda incidencës së regjistruar para shpalljes së epidemisë, përkatësisht mes 50 dhe 100 rasteve në ditë, theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, duke folur për gjendjen epidemiologjike në Gostivar gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Portalb.mk.
“Vlerësojmë se epidemia po qetësohet. Përfundimi formal i epidemisë mund të shpallet vetëm kur, në bazë të anketave epidemiologjike, do të konstatohet se nuk ka më raste të lidhura me ujësjellësin e qytetit në Gostivar. Mendoj se ky përmirësim është rezultat i përmirësimit të cilësisë së ujit në ujësjellësin e qytetit, pasi prej disa ditësh ai klorifikohet në mënyrë adekuate. Natyrisht, presim që kjo shifër të ulet sapo të arrihet niveli i duhur i klorit rezidual në të gjitha pikat matëse”, tha Klekovski.
Më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.
Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.
Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.
Lajme nga vendi
Turistët nga Maqedonia mbetën pa dokumente në Greqi: Vjedhje nga automjeti ndërsa ishin në drekë
Turistë nga Maqedonia kanë paralajmëruar për një vjedhje në Greqi, pasi nga automjeti i tyre u vodhën pesë pasaporta dhe dokumente udhëtimi, ndërsa ata ndodheshin në plazh dhe në drekë.
Sipas dëshmisë së tyre, pasi u kthyen nga Siviri, ndaluan në parkingun pranë Sahara Beach Club, ku planifikonin të drekonin. Kur u kthyen te automjeti, vunë re se ai ishte thyer dhe se mungonte një çantë e vogël në të cilën kishin lënë dokumentet.
Janë vjedhur gjithsej pesë pasaporta, përfshirë pasaporta të shtetasve të Maqedonisë dhe të miqve të tyre me pasaporta portugeze dhe spanjolle, si edhe dokumente të tjera që lidhen me udhëtimin.
Rasti është raportuar menjëherë në policinë greke, ku është përpiluar procesverbal. Turistët thonë se në kamerat e sigurisë është vërejtur një grua për të cilën dyshohet se mund të jetë e lidhur me vjedhjen.
Ata u bëjnë thirrje të gjithë turistëve në Greqi që të jenë të kujdesshëm dhe të mos lënë pasaporta, para dhe sende me vlerë në automjete, edhe kur ato janë të parkuara në zona turistike.
Një apel i veçantë u është drejtuar turistëve nga Maqedonia që ndodhen në Greqi, të cilët këshillohen të mos lënë dokumente, para dhe sende me vlerë në automjete, veçanërisht në lokacione turistike me frekuencë të lartë.
Lajme nga vendi
Cana: Shtatë persona me ethet e Nilit Perëndimor në Klinikën Infektive, njëri ende në gjendje të rëndë shëndetësore
Shtatë persona të konfirmuar me ethet e Nilit Perëndimor janë të shtruar në Klinikën Infektive, përcjell TV21. Gjendja shëndetësore e njërit prej tyre, një 76-vjeçar nga Shkupi, i cili ndodhet në repartin e kujdesit intensiv të Klinikës Infektive, vazhdon të jetë e rëndë dhe ai është në mbështetje respiratore – deklaroi sot drejtori i Klinikës, Fadil Cana.
Ai theksoi se pacienti në gjendje të rëndë ndodhet në Klinikë prej një jave dhe nuk ka udhëtuar jashtë vendit. Gjashtë pacientët e tjerë të shtruar, sipas doktor Canës, janë mbi 60 vjeç, janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe vetëm njëri prej tyre ka udhëtuar më herët në Greqi.
“Te të gjithë pacientët e hospitalizuar është konstatuar inflamacion viral i trurit dhe i cipave të trurit. Simptomat janë temperaturë e lartë, dhimbje e fortë koke, çorientim dhe çrregullim i vetëdijes”, shtoi dr. Cana për MIA-n.
Personat e hospitalizuar janë infektuar nga pickimi i mushkonjave të infektuara. Periudha e inkubacionit zakonisht zgjat nga 3 deri në 14 ditë pas pickimit, ndërsa shumica e personave e kalojnë infeksionin pa e kuptuar se kanë qenë të infektuar me virusin.

