Lajme nga vendi
Filologët e Universitetit të Tetovës në gjurmët e shpirtit arbëresh në Kalabri
Një delegacion i Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tetovës, i kryesuar nga dekania Prof. Dr. Emine Shabani, në periudhën 28 prill – 2 maj 2026, realizuan një vizitë studimore në Kalabri të Italisë.
Gjatë këtij udhëtimi studimor, profesorët: Prof. Dr. Emine Shabani, Prof. Dr. Esmije Veseli, Prof. Dr. Hana Dardhishta, Doc. Dr. Vjollcë Berisha, Mr. Sc. Kaltrina Sadiki- Memeti, Mr. Sc.Fatmire Isaki, Prof. Dr. Fatbardha Doko, Prof. Dr. Lulzime Kamberi, Prof. Dr. Arlind Farizi dhe Prof. Dr. Agim Shabani i vizituan disa qendra arbëreshe, si: Shën Mitri, Shën Gjergji, Kozenca, Bari, si dhe vende tjera e institucione me rëndësi të veçantë arsimore, kulturore dhe historike.
Delegacioni i Universitetit të Tetovës u prit nga personalitete të njohura, ndër të cilët: Tomaso Belushi, vëllai i Antoni Belushit; profesori Françesko Perri; ish-kryetari i qytetit të Vaccaricës, i cili ndau informacione të rëndësishme mbi vendbanimet arbëreshe, historinë dhe vendosjen e tyre; historiani Damiano Guagliardi; si dhe Genaro De Çiko – gazetar, poet dhe profesor. Po ashtu, delegacioni u mirëprit edhe nga Francesco Marchianò, Rossana Nociti – nënkryetare e qytetit Spezzano Albanese, si dhe Maria Galizia dhe Maria Teresa Camodeca, kuratore të muzeut arkeologjik.
Filologët e Universitetit të Tetovës e përshkruan këtë vizitë si një përjetim të veçantë emocional dhe një mundësi të çmuar për të përfituar njohuri të reja mbi jetën dhe trashëgiminë e pasur të arbëreshëve të Italisë. Në ato vende, ku nata duket se flet me zë të ulët, si mijëra net arbëreshe, çdo përjetim merr trajtë vargu, çdo kujtim bëhet dritë.
Sytë e kësaj bote të lashtë duken si dy galaktika të palodhura, ku yjet digjen pa u shuar, duke lënë xixa drite për kohë më të mira të lirikës. Janë si vargje të pashkruara, që nata i lexon qetësisht, ndërsa në thellësinë e tyre rrjedh një lumë i padukshëm kujtese, që bart me vete kohën, emrin dhe historinë.
Në këtë hapësirë, ku e kaluara dhe e tashmja ndërthuren natyrshëm, çdo shikim bëhet një urë mes botëve, harqe të heshtura që nuk plagosin, por prekin thellë shpirtin. Metaforat marrin frymë, bëhen jetë, dhe njeriu shpërbëhet në kuptime të reja, në një gjuhë që ngjan me atë të vjetër arbëreshe – të koduar, të thellë, por të gjallë.
Kjo përvojë nuk ishte vetëm një udhëtim studimor, por edhe një takim i thellë me shpirtin arbëresh, një botë që jeton mes historisë, kujtesës dhe poezisë.
Lajme nga vendi
SHOK TEMPERATURASH NË MAQEDONI: Pas të ftohtit të pazakontë dhe borës, këtë javë deri në 38°C
Pas valës së pazakontë të të ftohtit që solli reshje bore në Malin Sharr dhe në Pelister të premten, më 24 korrik, si dhe pas mëngjesit të sotëm jashtëzakonisht të freskët për muajin korrik, Maqedoninë e pret një tjetër ndryshim i fortë i motit.
Meteorologu Sllavço Poposki njofton se nga fillimi i javës vendi do të përfshihet nga një masë shumë më e ngrohtë ajrore që vjen nga jugu, përkatësisht nga Afrika.
“Që nga e hëna dhe gjatë ditëve në vijim, temperaturat do të shënojnë rritje të shpejtë. Në pjesën më të madhe të Maqedonisë ato do të kalojnë 30 deri në 35 gradë Celsius, ndërsa në rajonin e Povardarisë dhe në pjesën juglindore të vendit do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius”, thekson Poposki.
Sipas tij, vetëm gjatë ditës së hënë, më 27 korrik, priten dukuri lokale të paqëndrueshme të motit, të shoqëruara me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar.
Nga e marta, më 28 korrik, moti do të stabilizohet plotësisht dhe do të mbizotërojë mot me diell, i qëndrueshëm dhe me vranësira të pakta lokale.
Poposki paralajmëron se këto ndryshime të menjëhershme dhe të mëdha të temperaturave mund të kenë ndikim negativ, veçanërisht te personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve të motit.
Lajme nga vendi
Sërish shtrenjtohen karburantet nga mesnata
Çmimet e shitjes me pakicë të benzinave EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 rriten për 3,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i EURODIZELIT (D-Е V) rritet për 4,50 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rritet për 5,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 2,726 denarë për kilogram.
Nga data 28.7.2026, nga ora 00:01, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
Benzinë motori EUROSUPER BS – 95 93,00 (denarë/litër)
Benzinë motori EUROSUPER BS – 98 95,00 (denarë/litër)
Naftë motori EURODIZEL BS (D-E V) 98,50 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 98,00 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 48,099 (denarë/kilogram)
Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: “KREJT E THIRRIN REXHËN” NË ATMOSFERË VERORE!
Nën qiellin e hapur të Banjës së Tetovës, qytetarët patën mundësinë të ndjekin shfaqjen e filmit “Krejt e Thirrin Rexhën”, në kuadër të manifestimit Vera Tetovare, Tetova n’Festë.
Një mbrëmje e bukur kinematografike, e mbushur me emocione, humor dhe atmosferë të veçantë, që bëri bashkë qytetarë të të gjitha moshave.
Tv Koha takoi edhe Artistin e ri nga Tetova, Ledion Mulaku, i cili hapat e parë në aktrim i ka bërë që në moshë të hershme, duke qenë pjesë e disa projekteve filmike dhe serialeve të rëndësishme në rajon, duke përfshirë filmat “Dashuria s’mjafton” dhe “Shkëmbimi”, serialin ndërkombëtar Sunrise, si dhe projektin e fundit “Krejt e thirrin Rexhen”, ku ai interpreton një nga rolet protagoniste dhe është vlerësuar me çmimin Best Young Actor.
Suksesi i tij është një shembull frymëzues për të rinjtë e Tetovës dhe një dëshmi e potencialit të madh që ka rinia jonë.
Vera tetovare riktheu në Tetovë filmin “Krejt e Thirrin Rexhën” me një mbrëmje të veçantë kushtuar artit dhe kinematografisë shqiptare.
Ambienti I hapur në Banjë të Tetovës u bë arenë e gërshetimit të brezave dhe interesimit të jashtëzakonshëm të publikut tetovar.
U shijua së bashku një film I jashtëzakonshëm në një atmosferë të bukur verore, ku sipas organizatorëve, “Tetova N`Festë” vazhdon të sjellë kulturë, art dhe argëtim në çdo cep të qytetit.
/Tv Koha/

