Lajme nga vendi
Goditet rëndë industria e aviacionit, rriten çmimet e biletave
Industria globale e aviacionit po përballet me një nga sfidat më të mëdha të viteve të fundit, ndërsa rritja e fortë e çmimeve të karburantit të avionëve, e nxitur nga tensionet dhe përplasjet ushtarake mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit, po detyron linjat ajrore të rishikojnë planet e tyre operacionale.
Pasojat po ndihen drejtpërdrejt nga miliona pasagjerë në të gjithë botën, të cilët përballen me çmime më të larta biletash, më pak alternativa fluturimi dhe rrezik më të madh për anulime. Që nga fundi i shkurtit, kur nisi përshkallëzimi i konfliktit, çmimet e karburantit të avionëve janë rritur me mbi 80 për qind. Kjo ka shtuar ndjeshëm kostot operative për kompanitë ajrore, për të cilat karburanti përbën një nga shpenzimet më të mëdha. Si pasojë, shumë kompani kanë qenë të detyruara të rrisin çmimet e biletave për të kompensuar humbjet, ndërsa të tjera kanë zgjedhur të reduktojnë numrin e fluturimeve ose të tërhiqen nga disa linja më pak fitimprurëse. Një nga shembujt më të fortë të ndikimit të kësaj krize është mbyllja përfundimtare e një kompanie ajrore buxhetore amerikane, e cila nuk arriti të përballojë kostot në rritje. Kjo ka rritur shqetësimet për qëndrueshmërinë e operatorëve më të vegjël, të cilët janë më të ekspozuar ndaj luhatjeve të tregut të energjisë.
Sipas të dhënave nga firmat analitike të aviacionit, për periudhën nga 1 qershori deri më 30 shtator janë reduktuar rreth 9.3 milionë vende në fluturimet globale. Kjo ulje e kapacitetit ka krijuar një presion shtesë mbi çmimet, duke i shtyrë ato edhe më lart, për shkak të kërkesës së lartë dhe ofertës më të kufizuar.
Rajoni i Lindjes së Mesme mbetet më i godituri, për shkak të mbylljes së hapësirave ajrore dhe rrezikut të sigurisë pas sulmeve të Iranit ndaj disa qendrave kyçe të transportit ajror. Linjat ajrore kryesore të rajonit kanë reduktuar ndjeshëm operimet e tyre. Vetëm një kompani e madhe nga Gjiri Persik ka shkurtuar rreth 2 milionë vende për sezonin veror, ndërsa të tjera kanë bërë ulje të konsiderueshme në kapacitet. Ndikimi nuk kufizohet vetëm në Lindjen e Mesme. Në tregje të mëdha si SHBA-të, Europa, Kina, Japonia dhe Australia, kompanitë ajrore kanë reduktuar frekuencën e fluturimeve dhe kanë rritur tarifat. Sipas të dhënave të fundit, çmimet e fluturimeve ndërkombëtare nga SHBA-të janë rritur me rreth 16 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërsa fluturimet e brendshme kanë shënuar një rritje edhe më të madhe, mbi 24 për qind.
Këto zhvillime po ndikojnë edhe në sjelljen e konsumatorëve. Udhëtarët po tregohen më të kujdesshëm dhe po rezervojnë më herët për të shmangur rritjet e mëtejshme të çmimeve dhe pasiguritë. Disa prej tyre po zgjedhin linja ajrore më të mëdha dhe më të konsoliduara, duke besuar se ato kanë më shumë kapacitet për të përballuar krizat dhe për të shmangur anulimet e papritura. Ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet nëse tensionet gjeopolitike vazhdojnë ose përshkallëzohen më tej. Mbyllja e mundshme afatgjatë e rrugëve kyçe të transportit të naftës, si Ngushtica e Hormuzit, do të kishte pasoja edhe më të rënda për çmimet globale të energjisë dhe, rrjedhimisht, për industrinë e aviacionit.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

