Lajme nga vendi
Ligji i Përfaqësimit Adekuat dhe të Drejtë: Fundi i Maskaradës së Identitetit Etnik (III)
Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari
Nga perspektiva e njërit prej autorëve të Ligjit në ardhje të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë, është e domosdoshme të thuhet qartë: ajo që për një dekadë u quajt “balancues”, në thelb ishte një deformim i rëndë i rendit kushtetues dhe i standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Administrata publike u shndërrua në një skenë ku identiteti kombëtar nuk respektohej, por tregtohej.
Praktika e ashtuquajtur e “balancuesit” prodhoi një realitet juridikisht të papranueshëm: deklarime arbitrare të përkatësisë kombëtare, pa asnjë kriter objektiv për parandalimin e deklarimeve të tilla. Kjo jo vetëm që cenoi parimin kushtetues të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë, por krijoi një sistem që binte ndesh me vetë thelbin e të drejtës ndërkombëtare për liritë themelore, veçanërisht me parimin e vetëidentifikimit të lirë dhe vullnetar.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e këtij mjeti dixhital nuk ishte thjesht eliminim i tij, por një ndërhyrje për të rikthyer rendin kushtetues dhe për të ndalur një praktikë që kishte marrë përmasa të abuzimit sistemik. Ai vendim konfirmoi se imponimi me ligj i deklarimit të përkatësisë kombëtare është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe kushtetuese.
Zgjidhja e re ligjore përfaqëson një ndërhyrje të domosdoshme dhe të justifikuar sipas testit të trefishtë të jurisprudencës ndërkombëtare: qëllimi legjitim, nevoja e arsyeshme dhe proporcionaliteti. Ligji në ardhje garanton pa ekuivok të drejtën e çdo individi për vetëidentifikim të lirë, përfshirë edhe të drejtën për të mos deklaruar përkatësinë kombëtare. Kjo është plotësisht në përputhje me standardet e vendosura nga instrumentet ndërkombëtare dhe praktika e organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ku theksohet se përkatësia kombëtare është një çështje e ndjenjës personale dhe nuk mund të imponohet si detyrim nga ana e shtetit.
Por, ndryshe nga sistemi i mëparshëm, ligji në ardhje nuk lejon që kjo liri të shndërrohet në mjet abuzimi. Pikërisht këtu ndërtohet balanca kushtetuese: deklarimi mbetet i lirë, por përdorimi i tij në kontekste të caktuara juridike, si punësimi publik, mund t’i nënshtrohet kritereve objektive. Këto kritere, të lidhura me dokumentet personale të qytetarëve si emri personal i regjistruar në letërnjoftim ose dokument tjetër publik, nuk synojnë të përcaktojnë identitetin e individit, por të funksionojnë si indikatorë administrativë për të parandaluar abuzimin nga deklarimi arbitrar.
Ky model është në përputhje me parimin e proporcionalitetit: ndërhyrja është minimale, e kufizuar vetëm në rastet kur ekziston rreziku real për abuzim dhe nuk e prek thelbin e së drejtës për vetëidentifikim. Për më tepër, garantohet e drejta për mjet juridik efektiv, nëpërmjet ankesës dhe padisë duke respektuar standardet e një procesi të drejtë.
Pra, ndryshe nga “balancuesi”, i cili pranonte çfarëdo deklarate të përkatësisë kombëtare, duke lejuar abuzimin nga deklarimi arbitrar, ligji në ardhje e fikson deklarimin e përkatësisë kombëtare me dokumentet personale të qytetarëve, meqë parasheh edhe pasoja ligjore, sepse sipas “balancuesit” nëse kandidati abuzonte me përkatësinë e tij kombëtare e fitonte vendin e punës (në shumë raste nga praktika, i njëjti kandidat paraqitej për shembull për tre vende pune në të njëjtin konkurs duke deklaruar tre përkatësi të ndryshme kombëtare sipas kllapave etnike të konkursit edhe atë: edhe maqedonas, edhe shqiptar edhe turk), ndërkaq, sipas ligjit në ardhje, nëse vërtetohet abuzimi nga deklarimi arbitrar, kandidati refuzohet për atë konkurs dhe i ndalohet të aplikojë në konkurs për tre muajt e ardhshëm.
Në aspektin kushtetues, kjo zgjidhje mbështetet drejtpërdrejt në Amendamentin V kushtetues, paragrafi 3 (v. 2001), ku përcaktohet se, dokumentet personale të qytetarëve të cilët flasin gjuhë zyrtare tjetër nga gjuha maqedonase, lëshohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj, si dhe në atë gjuhë dhe alfabetin e saj në pajtim me ligjin. Ky Amendament kushtetues është operacionalizuar me Ligjin e përdorimit të gjuhëve (neni 12 parag. 3 dhe neni 13 parag. 2) si dhe me Ligjin e letërnjoftimit, ku vlen të theksohet se, duke filluar që nga Ligji i parë i letërnjoftimit i v. 1995 (neni 5) dhe aktualisht, emrat personal të qytetarëve krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj çdoherë janë regjistruar edhe në gjuhën dhe alfabetin që e përdor qytetari.
Kjo qasje nuk është e re. Ajo ndërtohet mbi praktikën ekzistuese kushtetuese dhe ligjore, ku emrat personal dhe gjuha në dokumentet personale pasqyrojnë një formë të vetëidentifikimit pra, të përkatësisë etnike të qytetarit prandaj, ligji në ardhje nuk shpik kritere të reja, por i sistematizon dhe i përdor ato në mënyrë funksionale dhe të kontrolluar juridikisht.
Është thelbësore të kuptohet se ligji në ardhje nuk synon të përcaktojë identitete, por të vendosë kufij të qartë midis ushtrimit të një të drejte dhe abuzimit të saj.
Ligji në ardhje nuk ndërhyn në atë se: “çfarë deklaron se je”, por në atë se: “si e përdor atë deklarim” kur hyn në një marrëdhënie të punësimit publik.
Në fund, dilema nuk është më midis përfaqësimit dhe lirisë, por midis rendit kushtetues dhe kaosit që prodhoi “balancuesi”. Ligji në ardhje e mbyll këtë kapitull duke e rikthyer përkatësinë kombëtare aty ku e ka vendin: si një liri dhe e drejtë personale e pacenueshme, jo si monedhë për manipulim. Ai vendos një standard të ri: liria e vetëidentifikimit nuk mund të jetë mburojë për mashtrim dhe as justifikim për kapjen e institucioneve.
Kjo është vija ndarëse që ligji në ardhje nuk guxon ta lejojë më!
(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuese në UEJL)
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

