Lajme nga vendi
FFM REAGON PAS ARRESTIMIT TË ILÇO GJORGJIOSKIT – DËMI KAP SHIFRËN E 2.5 MILION EUROVE!
Federata e Futbollit të Maqedonisë ka lëshuar një deklaratë zyrtare pas arrestimit të një ish-presidenti tjetër të këtij institucioni. Sot, u publikuan informacione rreth arrestimit të Ilço Gjorgjioskit për keqpërdorime financiare gjatë kohës që ai ishte në krye të federatës.
Ndërkohë FFM ka shprehur qëndrimin e saj mbi këtë temë. Ata nuk përmendën emra, por theksuan se tashmë kanë dorëzuar dokumentacion zyrtar tek autoritetet kompetente për shkeljet nga viti 2015 deri në vitin 2019.
“Lidhur me rastin që Federata e Futbollit të Maqedonisë ia raportoi Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit në vitin 2019, ju informojmë se pas kallëzimit të paraqitur, Drejtoria e Policisë Financiare kreu hetim, pas së cilës në vitin 2020 u paraqit një kallëzim penal përkatës në prokurorinë kompetente.”
“Sipas dokumentacionit të paraqitur në institucionet kompetente, dëmi total që i është shkaktuar Federatës së Futbollit të Maqedonisë në periudhën nga janari i vitit 2015 deri në fund të vitit 2019 kap shifrën prej më shumë se 2.5 milionë euro.”
“Në periudhën e kaluar, FFM nuk pati asnjë reagim mbi rrjedhën e procedurës dhe veprimet e mundshme të ndërmarra në këtë rast. Në fund të vitit 2025, Federatës iu kërkua të siguronte dokumentacion shtesë, i cili iu dorëzua plotësisht prokurorisë kompetente në fillim të vitit 2026. Në të njëjtën kohë, u dërgua përsëri një letër zyrtare që tregonte shumën e dëmit të përcaktuar dhe u dhanë informacione relevante shtesë.”
“Federata e Futbollit të Maqedonisë do të vazhdojë të bashkëpunojë plotësisht me të gjitha institucionet shtetërore kompetente në procedurat që lidhen me paligjshmërinë e mundshme dhe mbrojtjen e interesave të Federatës”, – është qëndrimi i FFM-së.
Gjatë periudhës së lartpërmendur, në krye të federatës ishin dy presidentë, fillimisht ishte Gjorgjioski që luante rolin e presidentit deri në vitin 2018-të, që më pas të pasohet nga Muhamed Sejdini, i cili gjithashtu u arrestua muaj më parë.
Lajme nga vendi
Ndërroi jetë Ljupco Grnçishtanov, një nga të akuzuarit në lidhje me zjarrin në Koçan
Edhe një person tjetër i akuzuar për tragjedinë e Koçanit ka vdekur. Ky është Ljupço Grnçishtanov, i cili ishte 54 vjeç dhe ishte ndër të akuzuarit në rastin që lidhet me aksidentin.
Grnçishtanov shërbeu si Inspektor i Përgjithshëm, ose Shef i Shërbimit të Inspektimit, në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim nga 15 janari 2013 deri më 16 mars 2025.
Si pjesë e rastit të tragjedisë së Koçanit, ai u akuzua për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”.
Sipas informacionit në dispozicion, Grnçishtanov kaloi 77 ditë në paraburgim efektiv, pas të cilave ai ishte nën arrest shtëpiak për gati 14 muaj
Lajme nga vendi
ZHVILLIMET E JAVËS PËRPLASIN BDI-në DHE VLEN-in!
Përplasjet midis BDI-së dhe VLEN-it janë transferuar edhe nëpër rrjetet sociale.
Gjatë së Premtes këto dy forca politike janë përplasur për ndodhitë që kanë ndodhur brenda kësaj jave.
Bujar Osmani nga BDI-ja, përmes një statusi në Facebook, përmend disa ngjarje, që sipas tij, kanë goditur shqiptarët në shtet.
-Gjykata Kushtetuese anuloi emërtimet shqiptare në Tetovë dhe riktheu emra si “Marshall Tito”.
-Në Parlament po shtyhet ligji që godet shtyllën kryesore të barazisë, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
-Barazia vazhdon të gërryhet në praktikë, nen pas neni, institucion pas institucioni.
-Parlamenti Europian paralajmëroi për depërtimin e ndikimit serb dhe rrezikun e shndërrimit të vendit në zgjatim të “Botës Serbe”.
-Parlamenti Europian kërkoi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në shkronjë dhe në frymë.
-Parlamenti Europian kërkoi që protestat studentore të mos etiketohen si destabilizuese apo të motivuara politikisht.
-Keqmenaxhim skandaloz i institucioneve qendrore dhe lokale, nga padija, pafuqia dhe kapja” – shkruan Bujar Osmani në FB.
I menjëhershëm ka qenë reagimi nga VLEN.
Ata bëjnë zhurmë e pluhur, ne bëjmë punë – shkruan po në Facebook, Adnan Azizi nga VLEN, duke përmendur zhvillimet e javës së fundit dhe sic thotë, derisa ata merren me propagandë, ne sjellim rezultate.
-Nënshkruam marrëveshjen për fillimin e ndërtimit të autostradës Shkup–Bllacë.
-Miratuam në Qeveri modelin One Stop Shop me Shqipërinë, pas suksesit të One Stop Shop me Kosovën.
-Sollëm investimin e parë të ri në Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë pas 15 vitesh: 21 milionë euro investim dhe 500 vende të reja pune.
-Votuam në Parlament Statutin e Universitetit “Nënë Tereza”, duke e fuqizuar UNT-në me 3 fakultete të reja” – thotë Adnan Azizi nga VLEN.
Përplasjet në distancë janë ashpërsuar pasi Gjykata Kushtetuese pranoi iniciativën e Shoqatës së Luftëtarëve dhe shfuqizoi vendimin e Këshillit Komunal të vitit 2007 për riemërtimin e një numri të madh rrugësh dhe të sheshit të Tetovës.
Ndërsa nga BDI këtë vendim e cilësuan si skandaloz dhe si goditje ndaj identitetit, nga pushteti lokal i udhëhequr nga VLEN akuzojnë se bëhet fjalë për një skenar mes BDI-së dhe Gjykatës Kushtetuese me qëllim të defokusimit të opinionit publik.
Ata thonë se Komuna e Tetovës tashmë është duke punuar për një zgjidhje të re dhe në përputhje me ligjin.
Lajme nga vendi
SELMANI: PROVIMI I JURISPRUDENCËS MUND TË MBAHET NË DY GJUHË
Kështu e demonstron problemin me provimin e jurisprodencës profesori universitar Bashkim Selmani, i cili përmes një konferencë për shtyp sot ka theksuar edhe një herë se zhvillimi i provimit të jurispodencës përfshi dhe pjesën praktike në gjuhën shqipe nuk ka asnjë pengesë ligjore, procedurale apo akademike. Selmani për të argumentuar këtë, ka dhënë edhe shembuj konkret.
BASHKIM SELMANI – Profesor universitar
“Kur zhvilloj provime me studentë nga bashkësi të ndryshme, fillimisht pyes sa studentë e ndjekin procesin në gjuhën maqedonase dhe sa në gjuhën shqipe. Studentët përgjigjen në gjuhën e tyre, ndërsa administrimi dhe procedura e provimit organizohen pa asnjë problem. Kjo dëshmon se bashkëjetesa e gjuhëve në procesin akademik është jo vetëm e mundur, por edhe praktikë e zakonshme. Prandaj, i bëj thirrje Kryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë që të njëjtin parim ta zbatojnë edhe në provimin e jurisprudencës”.
Sa herë ngritët nisma për të drejtat e shqiptarëve, ngrihen dilema të panevojshme juridike dhe kërkohen interpretime shtesë nga institucionet e ndërkombëtare, tha Selmani i cili potencoi se, të drejtat e qytetarëve duhet të jenë sikurse obligimet e shtetit, qind për qind të njëjta për gjithë. Sipas tij, është e nevojshme vetëm të formohet një komision prej pesë anëtarësh shqiptarë dhe kjo e drejtë mund të realizohet pa pasur asnjë pengesë.
BASHKIM SELMANI – Profesor universitar
“Tjetër rast është Ligji i përfaqësimit të drejtë ku do shihni se edhe këtu është mënjanuar 20 për qindëshi, dhe që është më shqetësuese, por ne si qytetarë jemi taksa pagues njëqind për qind andaj dhe kërkojmë të drejta të plota dhe të barabarta”.
Profesori Selmani, ka paralajmëruar konferenca të ngjashme edhe në të ardhmen, me qëllim sensibilizimin e opinionit por edhe politikës, për zgjidhjen e çështjes së provimit të jurispodencës në gjuhën shqipe.

