Lajme nga vendi
Alarm në Gostivar: Qindra qytetarë me simptoma stomaku, kontrollohet cilësia e ujit të pijshëm
Në Gostivar është ngritur alarm pas rritjes së numrit të qytetarëve që kanë paraqitur simptoma të problemeve me sistemin tretës. Për këtë arsye, uji i pijshëm nga ujësjellësi i qytetit po i nënshtrohet kontrolleve të jashtëzakonshme për të verifikuar nëse ekziston ndonjë lidhje mes cilësisë së ujit dhe rasteve të raportuara njoftin INA.
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) ka kërkuar kryerjen e analizave të jashtëzakonshme të ujit pas ankesave të qytetarëve gjatë dhjetë ditëve të fundit për simptoma si dhimbje barku, diarre, të vjella dhe temperaturë të lartë.
Ndërkohë, nga Prokuroria Themelore Publike kanë bërë të ditur se, pas një kallëzimi për ndërhyrje të mundshme të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, me urdhër të prokurorit publik janë duke u ndërmarrë veprime për të hetuar cilësinë e ujit të pijshëm.
Disa qytetarë kanë shprehur dyshime se në rezervuarin e ujësjellësit mund të ketë hyrë ujë i ndotur, por këto pretendime ende nuk janë konfirmuar nga institucionet kompetente.
Nga Departamenti për Higjienë dhe Ekologji Shëndetësore pranë Qendrës së Shëndetit Publik në Gostivar kanë njoftuar se është kryer kontroll i jashtëzakonshëm dhe janë marrë mostra nga katër pika të ndryshme të rrjetit të ujësjellësit.
Specialisti i higjienës në Qendrën e Shëndetit Publik në Gostivar, dr. Berun Mustafa, deklaroi për MIA-n se analizat e fundit të ujit kanë rezultuar të rregullta.
“Për shkak të situatës, përveç analizave të rregullta kemi kryer edhe analiza të jashtëzakonshme. Rezultatet e fundit nga analizat e bëra të hënën ishin të mira, si në aspektin fiziko-kimik, ashtu edhe mikrobiologjik. Mostrat e reja janë marrë dje dhe rezultatet priten gjatë ditëve në vijim”, tha Mustafa.
Nga Spitali i Përgjithshëm “Ferid Murad” kanë konfirmuar se në repartin infektiv dhe atë pediatrik është rritur numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të diarresë, dhimbjeve të barkut, të vjellave dhe temperaturës.
Sipas mjekëve, bazuar në gjetjet fillestare dhe pamjen klinike, dyshohet se bëhet fjalë për viroza sezonale, ndërsa deri tani nuk është konstatuar lidhje epidemiologjike mes rasteve.
Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar gjatë temperaturave të larta, duke rekomanduar respektimin e higjienës personale, konsumimin e ushqimeve të freskëta dhe larjen e mirë të frutave dhe perimeve para përdorimit.
Ata këshillojnë qytetarët që ujin ta përdorin vetëm nga burime për të cilat janë të sigurt se janë të kontrolluara.
Ndërkohë, tre analizat e fundit të ujit nga ujësjellësi i Gostivarit, të kryera gjatë muajit të kaluar nga Qendra e Shëndetit Publik, kanë treguar se uji ka qenë i sigurt dhe i përshtatshëm për konsum./INA/
Lajme nga vendi
“25 VITE DHE PËRTEJ” – “OHRI” SHËNOHET NË AFËRSI TË URËS SË GURIT!
Me një manifestim të mbajtur në afërsi të Urës së Gurit, Qeveria shënoi zyrtarisht përfundimin e aktiviteteve kushtuar 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Nën moton “25 vjet dhe përtej”, aktiviteti solli në fokus rëndësinë e marrëveshjes për paqen, stabilitetin, bashkëjetesën dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, e cilësoi Marrëveshjen e Ohrit si një “besëlidhje historike” për mënyrën se si duhet të ndërtohet shteti i përbashkët.
Sali nënvizoi se barazia është bazë për ndërtimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve, ndërsa bëri thirrje për një kulturë politike të bazuar në dialog, bashkëpunim dhe përgjegjësi.
“25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit duhet të jetë jo vetëm kujtim i së kaluarës, por edhe zotim për të ardhmen. Zotim se do të vazhdojmë të ndërtojmë ura e jo mure, se do ta mbrojmë barazinë, do ta forcojmë demokracinë dhe shtetin e së drejtës dhe do të punojmë për një shtet ku askush nuk do të ndihet i përjashtuar, i papërfaqësuar dhe i huaj”
Ndërkaq, ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, tha se 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit duhet të shërbejë jo vetëm si moment përkujtimi, por edhe si mundësi për të reflektuar mbi përgjegjësitë që qëndrojnë përpara.
Ferati theksoi se fokusi duhet të zhvendoset nga e kaluara drejt së ardhmes, me prioritet sundimin e ligjit, gjithëpërfshirjen, tolerancën, bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve dhe krijimin e mundësive për të rinjtë.
“25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, duhet të flasim më shumë për atë se çfarë duam të ndërtojmë në 25 vitet e ardhshme. Rinia është jo vetëm e ardhmja e vendit, por edhe një nga resurset më të mëdha për ndërtimin e një shoqërie më të zhvilluar dhe më të qëndrueshme. Marrëveshja e Ohrit na dha një bazë për të jetuar së bashku. Përgjegjësia jonë sot është që këtë bashkëjetesë ta shndërrojmë në bashkëpunim, zhvillim dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Para 25 vitesh, zgjodhëm paqen. Sot, brezi ynë duhet të zgjedhë të ardhmen”.
Nën moton “25 vite dhe përtej”, Qeveria organizoi shënim dy ditorë të Marrëveshjes së Ohrit me aktivitete të ndryshme.
Nga këto organizime, përfaqësuesit e Qeverisë vlerësuan rolin e të gjithë nënshkruesve të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian./Tv Koha – Shkup/
Lajme nga vendi
Aksidentohet një çiklist në bulevardin “Bllagoja Toska” në Tetovë
SPB Tetovë njofton se ka ndodhur një aksident në komunikacion në Tetovë, në të cilën është lënduar një person.
Lajme nga vendi
Paralajmërim nga DPHM, moti i lig dhe reshje të rrëmbyeshme pritet të përfshijnë Maqedoninë
Gjatë ditës së sotme dhe gjatë ditëve në vijim, moti në një pjesë të madhe të Maqedonisë së Veriut do të jetë i paqëndrueshëm, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar, paralajmërojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM),
Sipas sinoptikanëve, në disa vende do të kemi erë të fortë të shoqëruar me vetëtimë si dhe paraqitje të mundshme të breshërit.
Nga DPHM bëjnë thirrje për kujdes më të madh, veçanërisht për qytetarët që lëvizin në zonat e hapura dhe drejtuesit e automjeteve, si dhe rekomandojnë ndjekjen e rregullt të njoftimeve dhe paralajmërimeve meteorologjike.
Kujtojmë se era që goditi Shkupin para isa kohëve më 21 korrik, ishte në kategorinë e uraganit, dhjetëra pacientë u pranuan në spitale me lëndime dhe fraktura.
-
Lajme nga vendi2 weeks agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga vendi2 months agoZËRI I GRAVE NË VENDIMMARRJE, ENDE LARG FUQISË SË PLOTË
-
Lajme nga vendi2 months agoZv/kryeministri Bekim Sali: Suedia mbetet mbështetëse e fuqishme e perspektivës sonë evropiane

