Lajme nga vendi
“Mjaft me dëshirat e Beogradit!” – Haziri thirrje urgjente për dialog të brendshëm drejt bashkimit shqiptar!
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, lidhur me pretendimet për “spastrimin e Kosovës”, përcjell agjencia e lajmeve INA.
Përmes një reagimi publik, Haziri ka thënë se deklaratat e tilla 27 vjet pas luftës tregojnë vetëm “merakun” e mbetur të Beogradit zyrtar, ndërsa ka numëruar dështimet historike të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve.
Në reagimin e tij, Haziri ka sjellë në vëmendje planin famëkeq genocidal “Patkoi”, duke thënë se kjo ishte përpjekja e dështuar e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
“Hera e pestë që dështojnë”
Haziri ka bërë një retrospektivë historike, duke vënë në dukje se projektet serbe për spastrim etnik mbi Kosovën kanë dështuar sistematikisht.
Postimi i plotë:
Mos u merrni me dëshirat e ministrave dhe kryeministrave serbë, t’i kthehemi bashkëpunimit e dialogut për të shkaktuar procese e të relizojmë ëndrra për bashkimin e shqiptarëve!
Përkitazi me deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunovic, për ‘spastrimin e Kosovës’, nuk duhet të harrojmë që ‘opercacioni patkoi’ ka qenë pikërisht për spastrimin etnik të Kosovës, që shefi i saj dhe popullit serb, Milosevic, ka provu por ka deshtu,
Me dalë kjo deklaratë 27 vjet pas luftës, është veç me i mbetë merak dikujt.
Sa për rikujtim, kjo është hera e pestë për 120 vjet që serbët kanë dështu në spastrimin etnik të Kosovës.
Mos u merrni me dëshirat e ministrave dhe kryeministrave serbë, por t’i kthehemi bashkëpunimit e dialogut të brendshëm në Kosovë, që të shkaktojmë procese e të relizojmë ëndrra për bashkimin e shqiptarëve.
Republika e Kosovës është projekt i përhershëm, e cila bashkon shqiptarët dhe bëhet urë e pajtimit të popujve ballkanik.
Lajme nga vendi
HOXHA: RASTI I GOSTIVARIT INCIDENT SERIOZ – NUK DO TË KETË FSHEHJE TË PËRGJEGJËSISË
Ndotjen e rrjetit të ujësjellësit në Gostivar, Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, e ka cilësuar si incident të rëndë, nga i cili është rrezikuar shëndeti i mijëra qytetarëve.
Sipas Hoxhës, pasi të qartësohen të gjitha rrethanat, me patjetër duhet të ketë përgjegjësi penale dhe morale për personat përgjegjës.
“Dëshiroj t’i siguroj qytetarët e Gostivarit se Qeveria po i ndërmerr të gjitha masat në kuadër të kompetencave të saj dhe kështu do të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë të rastit. Rasti i ndotjes së ujësjellësit në Gostivar është një incident serioz, i cili e rrezikoi drejtpërdrejt shëndetin e mijëra qytetarëve. Kur rrezikohet shëndeti i qytetarëve, të nderuar gazetarë, nuk guxon të ketë kompromis, as fshehje të përgjegjësisë.”
Hoxha rikujtoi se furnizimi me ujë të pijshëm, mirëmbajtja e rrjetit të ujësjellësit, si dhe mbledhja e trajtimi i ujërave të zeza janë kompetencë e komunave dhe e ndërmarrjeve publike komunale.
“Pushteti lokal është linja e parë e përgjegjësisë për funksionimin e sigurt të këtyre sistemeve, si dhe për krijimin dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtjes sanitare rreth burimeve të ujit. Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbetet plotësisht e përkushtuar në sigurimin e kushteve për një infrastrukturë komunale më cilësore. Aktualisht po zbatojmë ciklin më të madh të investimeve në këtë fushë, me qindra projekte infrastrukturore në komuna në të gjithë vendin, që synojnë përmirësimin e furnizimit me ujë, sistemeve të kanalizimeve, impianteve të trajtimit dhe mbrojtjen e mjedisit.”
Për ministrin Hoxha, institucionet, si në nivel lokal, po ashtu edhe qendror, e kanë për obligim të mbrojnë mjedisin, por mbi të gjitha të mbrojnë shëndetin e qytetarëve. Ai kërkoi hetim të shpejtë dhe të plotë për rastin, si dhe përgjegjësi konkrete për ndotjen e rrjetit të ujësjellësit në Gostivar.
Lajme nga vendi
PASDITE DHE GJATË MBRËMJES NIS MOTI I PAQËNDRUESHËM!
Për shkak të depërtimit të një fronti të ftohtë atmosferik nga veriu, gjatë orëve të vona të pasdites dhe mbrëmjes së sotme, si dhe gjatë natës drejt së mërkurës dhe të mërkurën, më 22 korrik, në orët e mëngjesit dhe paradites së hershme, në shumë zona të vendit do të zhvillohen re konvektive me bubullima dhe do të formohen masa ajrore të lagështa dhe të paqëndrueshme.
Sipas MeteoAlarm, në këtë periudhë, moti në vend do të jetë shumë i paqëndrueshëm, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar. Proceset atmosferike në shumicën e rajoneve do të jenë dukshëm më intensive, me stuhi të shoqëruara me reshje të dendura shiu, erë të fortë me shpejtësi prej 50 deri mbi 60 km/orë, shkarkime të fuqishme dhe të shpeshta elektrike, si dhe breshër.
Për këtë arsye, qytetarëve u bëhet apel të tregojnë kujdes maksimal, veçanërisht gjatë paraqitjes së shkarkimeve të forta elektrike dhe erës së fuqishme.
Nga mbrëmja e sotme dhe gjatë natës drejt së mërkurës do të nis rënia e temperaturave, e cila fillimisht do të ndihet më shumë në pjesët veriore të vendit.
Ndërkohë, një stuhi e fuqishme me reshje të dendura dhe erë të fortë goditi mbrëmjen e kaluar disa komuna të Maqedonisë, duke shkaktuar dëme materiale dhe probleme në komunikacion. Më të goditura ishin Strumica, Radovishi, Dellçeva, Dojrani dhe Kumanova, ku u rrëzuan pemë, shtylla elektrike dhe u dëmtuan linjat e energjisë elektrike. Në disa vende u dëmtuan edhe automjete.Tv Koha/
Lajme nga vendi
Revizorët shtetërorë zbuluan parregullsi në punën e Agjencisë për Rezervat e Detyrueshme të Derivateve të Naftës
Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) ka konstatuar një sërë dobësish dhe parregullsish në punën e Agjencisë për Rezervat e Detyrueshme të Naftës gjatë revizionit të pasqyrave financiare për vitin 2024 dhe kontrollit të pajtueshmërisë me rregullativën ligjore.
Në raportin e revizionit thuhet se është dhënë mendim i pakushtëzuar për realitetin dhe objektivitetin e pasqyrave financiare, por mendim me rezervë për pajtueshmërinë me ligjet, aktet nënligjore dhe politikat e zbatuara.
Revizorët kanë konstatuar se Agjencia nuk ka dorëzuar propozim‑vendim për sasinë dhe strukturën e rezervave të detyrueshme të naftës në ministrinë kompetente për disa vite me radhë. Gjithashtu, janë identifikuar pagesa të pagave dhe kompensimeve që nuk kanë qenë plotësisht të harmonizuara me rregullativën ligjore, si dhe mungesë e evidentimit të rregullt të orarit të plotë të punës.
Raporti rikujton se edhe në revizionin e vitit 2018 ishte dhënë mendim me rezervë, ndërsa në kontrollin pasues një pjesë e rekomandimeve ishin realizuar, një pjesë ishin në proces, ndërsa një rekomandim kishte mbetur i pazbatuar.
Në seksionin “Theksim i çështjeve”, ESHR ka evidentuar situata që lidhen me moskthimin e një huaje të mazutit nga një organ shtetëror për më shumë se shtatë vjet, si dhe dhënien e qëndrueshme të derivateve nga rezervat e naftës me vendime të Qeverisë gjatë shpalljes së gjendjes së krizës.
Revizorët theksojnë edhe dobësi në rregullativën ligjore, përfshirë:
mungesë metodologjie të rregulluar për harmonizimin e vlerës së rezervave,
mospërputhje ligjore për kompetencat e miratimit të akteve nënligjore mes Qeverisë dhe Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale,
mandat të pacaktuar të drejtorit dhe procedurë të paqartë për emërimin e ushtruesit të detyrës në Agjenci.
Gjithashtu, është konstatuar se në institucion nuk është vendosur kontroll i brendshëm revizues, çka paraqet dobësi në sistemin e kontrollit të brendshëm.
Enti Shtetëror i Revizionit njofton se nuk janë dorëzuar vërejtje mbi Draft‑raportin e revizorit shtetëror të autorizuar. përcjell Zhurnal.mk .

