Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: MBAHET ORA POETIKE “PUHIZË NË VARGJE”
Në kuadër të aktiviteteve të Verës Tetovare “Tetova n’Festë”, u organizua ora poetike “Puhizë në Vargje”, të organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve “OENEUM”.
Ky aktivitet mblodhi poetë, krijues dhe dashamirës të letërsisë, duke sjellë një mbrëmje të veçantë kushtuar poezisë, fjalës së bukur dhe vlerave kulturore që pasurojnë jetën artistike të qytetit tonë.
U lexuan poezi, poetët nga vendi, Kosova e Shqipëria lexuan punimet e tyre autoriale. Ata vinin nga Kukësi, Dibra, Prizreni, Vitia, Suhareka, Shkupi, Gostivari dhe Tetova.
Komuna e Tetovës, sic thanë autoritetet e kësaj Komune, mbetet e përkushtuar në mbështetjen e aktiviteteve kulturore që promovojnë krijimtarinë, artin dhe afirmimin e vlerave letrare.
Shoqata e Shkrimtarëve Oeneum ka falënderuar pjesëmarrësit e orës poetike “Puhizë në vargje” por ka nderuar me mirënjohje edhe Bruno Cekën veprimtarin e cështjes kombëtare që veprom në diasporë duke potencuar se vlera dhe kontributi I tyre për çështje kombëtare është e pa përshkrueshme me fjalë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Limani: Personat përgjegjës në Ndërmarrjen Publike pezullohen deri në zbardhjen e rastit
Kryetari i Komunës së Gostivarit ka bërë të ditur se pas takimit me drejtoreshën dhe personat përgjegjës në Ndërmarrjen Publike, është vendosur që ata që kanë rol në menaxhimin e ndërmarrjes, për momentin, të mos i kryejnë detyrat e tyre.
Ai theksoi se gjatë ditës pritet të publikohen rezultatet përfundimtare të analizave, ndërsa apeloi që të mos nxirren përfundime të parakohshme dhe të mos fajësohet askush pa u vërtetuar përgjegjësia.
“Është biseduar me drejtoreshën dhe me të gjithë ata që kanë rol në ndërmarrjen publike. Për momentin, ata nuk do t’i kryejnë detyrat e tyre. Sot do të dalin rezultatet përfundimtare dhe nuk dua që dikush të fajësohet pa pasur faj, por duhet t’i hapim rrugë zbardhjes së plotë të këtij problemi dhe gjetjes së epilogut,” deklaroi ai.
Kjo deklaratë vjen në kohën kur Gostivari po përballet me një situatë serioze pas dyshimeve për ndotje të ujit të pijshëm dhe rritjes së numrit të qytetarëve me simptoma gastrointestinale. Autoritetet kanë paralajmëruar se pas publikimit të rezultateve do të ndërmerren hapat e mëtejmë institucionalë dhe masat e nevojshme për sanimin e gjendjes.
Lajme nga vendi
Gjendja me ujin në Gostivar/Arrestohet drejtoresha e Ndërmarrjes Komunale, Artana Asllani dhe dy bashkëpunëtorë
Policia para disa minutave ka arrestuar drejtoreshën e NP “Komunalec” në Gostivar, Artana Asani. Bashkë me të sipas informacioneve të para janë arrestuar edhe dy bashkëpunëtor të saj, drejtori teknik, Leon Nuredini dhe përgjegjësi i ujësjellësit, Vadedin Dervishi. Pas pak pritet që të njëtit të dalin para prokurorisë dhe gjykatësi i procedurës paraprake të ju cakton masat e kujdesit.
Lajme nga vendi
Punonjësi i Universitetit të Tetovës dyshohet se përvetësoi mbi 3.3 milionë denarë nga pagesat e studentëve
Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë ndaj një punonjësi të Universitetit të Tetovës, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve.
Sipas Policisë Financiare, i denoncuari A.Z., i punësuar si bashkëpunëtor i lartë për logjistikë dhe punë në terren, gjatë periudhës mars 2020 – shkurt 2023, dyshohet se ka përvetësuar paratë që studentët ia kishin dorëzuar për pagesa të participimit, bashkëfinancimit dhe shpenzimeve të tjera të studimeve.
Në vend që t’i depozitonte mjetet në llogarinë e universitetit përmes platformës E-pay, ai dyshohet se i ka mbajtur për vete, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme rreth 3.362.272 denarë. Për të njëjtën shumë, sipas kallëzimit, i është shkaktuar dëm financiar Universitetit të Tetovës.
Për të fshehur veprën, ai dyshohet se ka përgatitur dëshmi të falsifikuara për pagesa, të cilat ua ka dorëzuar studentëve si prova se pagesat ishin kryer.
Sipas hetimeve, për falsifikimin e dokumenteve ai ka përdorur të dhëna dhe kodin QR nga një dëshmi reale pagese përmes E-pay, më pas duke ndryshuar emrin e paguesit, shumën dhe datën e pagesës. Studentët, duke besuar se pagesat ishin realizuar, i kanë dorëzuar këto dokumente në sistemin elektronik të universitetit dhe në shërbimin studentor.

