Sport
MESSI ME MESAZH PAS FINALES: DUHET KOHË QË PLAGA TË SHËROHET!
Kapiteni i përfaqësueses së Argjentinës, Lionel Messi, ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale një ditë pas finales së Kampionatit Botëror.
Argjentina u mposht nga Spanja me rezultat 1:0 pas vazhdimeve në finalen e zhvilluar të dielën mbrëma në Nju Xhersi, duke mos arritur ta mbrojë titullin botëror të fituar katër vite më parë në Katar.
“Dhimbja është e madhe dhe do të duhet kohë që kjo plagë të shërohet” – shkruan Messi në Instagram, postim ky që për një kohë të shkurtër mblodhi miliona klikime.
Messi ka falënderuar të gjithë ata që kanë mbështetur kombëtaren e Argjentinës teksa ka uruar edhe Spanjën për titullin e kampionit të botës.
“Sot është e vështirë ta vlerësojmë plotësisht atë që arritëm, por ky ekip arriti në dy finale radhazi të Kupës së Botës. Ju falënderoj nga zemra për çdo mesazh dhe urim. Edhe një herë arritëm të bashkohemi si komb dhe të ndajmë krenarinë e madhe që jemi argjentinas. Gjithashtu dua ta uroj Spanjën për fitimin e titullit” – shkroi Messi.
Ende nuk është e qartë nëse njëri prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave do t’i japë fund karrierës së tij me kombëtaren argjentinase.
Messi (39 vjeç) e përfundoi Botërorin si golashënuesi i dytë më i mirë me tetë gola, ndërsa regjistroi edhe katër asistime.
Sport
FIFA NIS HETIM NDAJ ARGJENTINËS
FIFA ka nisur një hetim disiplinor ndaj incidenteve që ndodhën pas finales së Kupës së Botës 2026, ku Spanja mposhti Argjentinën me rezultat 1:0, ndërsa disa futbollistë argjentinas rrezikojnë pezullime të gjata.
Pamjet pas përfundimit të ndeshjes në stadiumin “MetLife” në Nju Jersey shfaqën përplasje mes lojtarëve të të dyja kombëtareve. Sipas raportimeve, Leandro Paredes dhe Nahuel Molina ishin ndër protagonistët kryesorë të incidenteve. Paredes dhe Thiago Almada rrëzuan në tokë mesfushorin spanjoll Gavi, ndërsa Paredes u pa gjithashtu duke e kapur për fyti mbrojtësin Eric Garcia. Nga ana tjetër, Molina dyshohet se goditi me grusht Rodrin, ndërsa Nicolas Otamendi pati një përplasje të ashpër verbale me mesfushorin spanjoll.
Gjatë ndeshjes, Enzo Fernandez u përjashtua me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë, ndërsa fillimisht u raportua se edhe Paredes ishte ndëshkuar pas fishkëllimës përfundimtare. Megjithatë, FIFA sqaroi se kartoni i kuq për Paredes nuk figuron në raportin zyrtar të arbitrit Slavko Vinçiç, duke e hequr atë nga evidencat disiplinore.
Pavarësisht kësaj, organi qeverisës i futbollit botëror ka konfirmuar hapjen e një procedure disiplinore. Në një deklaratë zyrtare, FIFA bëri të ditur se, pas shqyrtimit të raporteve të ndeshjes dhe në përputhje me nenin 36 të Kodit Disiplinor, është emëruar një prokuror disiplinor dhe etik për të hetuar shkeljet e mundshme që lidhen me incidentet pas finales. Vendimi përfundimtar do të merret pasi të përfundojë raporti i hetimit.
Sport
Kupa e Botës 2030 me 64 ekipe? Vjen njoftimi i CONMEBOL
Kupa e Botës me 64 ekipe po bëhet gjithnjë e më shumë realitet. Në një postim në llogarinë e tij X, Alejandro Dominguez, president i CONMEBOL (Federata e Futbollit të Amerikës së Jugut), njoftoi zgjerimin me 64 ekipe për edicionin e ardhshëm: “Edicioni tjetër do të luhet në shtëpi. Uruguai, Argjentina dhe Paraguai do të presin Kupën e Botës 2030. Një mundësi e shkëlqyer për futbollin, për të festuar 100-vjetorin e Kupës së Botës me një garë me 64 ekipe”. Këto fjalë tingëllojnë si një njoftim zyrtar, duke pasur parasysh se vetë Dominguez është një nga mbështetësit kryesorë të garës së zgjeruar.
Koha e njoftimit është praktikisht perfekte, duke pasur parasysh se disa ditë më parë, Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, konfirmoi se ideja po diskutohet dhe se ka një hapje të madhe ndaj mundësisë për një numër të tillë: “Të gjithë duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në Kupën e Botës, jo vetëm Evropa apo Amerika Latine. Kjo është sigurisht një çështje që do të shqyrtohet dhe diskutohet brenda komiteteve përkatëse pas këtij Botërori”.
Ndërsa CONMEBOL po shtyn përpara një Kupë Bote me 64 ekipe (ideja u hodh për herë të parë në mars 2025 nga presidenti i Federatës së Futbollit të Uruguait, Ignacio Alonso), ka nga ata, siç është Presidenti i UEFA-s, Ceferin, të cilët argumentojnë se është “një ide e keqe”. Për më tepër, presidenti i CONCACAF, Victor Montagliani, kishte shprehur gjithashtu kundërshtimin e tij. Përtej një zgjedhjeje sportive, është edhe politike: në fakt, CONMEBOL, mbështetësi kryesor i Kupës së Botës të zgjeruar, tashmë ka mbështetur Infantinon në përpjekjen e tij për t’u rizgjedhur në vitin 2027. Kjo është arsyeja pse tema e zgjerimit të Kupës së Botës 2030 mund të bëhet një çështje kyçe.
Lajme nga vendi
KONFERENCË LIGA: VARDARI NESËR NË SHKUP, SHKËNDIJA TË ENJTEN NË LUBJANË
Garat e UEFA Konferencë Liga vazhdojnë nga dita e nesërme me disa ndeshje të raundit të dytë kualifikuese. Vardari nesër është nikoqire e ekipit Riga të Letonisë
Kujtojmë se ekipi i Vardarit në xhiron e parë në garat kualifikues në Ligës së Kampionëve u eliminua nga kampioni i Finlandës KUPS, ndërsa tani vazhdon garat në Konferencë Liga.
Ndeshja e parë zhvillohet nesër në stadiumin e qytetit në Shkup ndërsa ajo kthyese pas një jave në Riga. Nga ekipi Vardarit kanë njoftuar opinionin se nëse skuadra kualifikohet në raundin e tretë të këtij kompeticioni të garave do të ketë premio nga 10 mijë euro për çdo futbollist!
Shkëndija e Tetovës e cila është bartëse e grupit të enjten me fillim në ora 20:30 është mysafire e ekipit NK Bravo të Sllovenisë.
Skuadra Kuqezi nga dita e sotme ka udhëtuar për në Lubjanë , ndërsa nesër në stadiumi ‘‘Stozhice’ do të zhvillon seancën zyrtare për ndeshjen e së enjtes.
Ndërkohë Shkëndija ka mësuar kundërshtarin e mundshëm në raundin e tretë të Ligës së Konferencës së UEFA-së.
Në rast të kalimit të NK Bravo-s, kuqezinjtë do të përballen me fituesin e duelit ndërmjet Malishevës dhe Hibernianit.

