Lajme nga vendi
LIGA E PARË: TIKVESHI – ARSIMI HAPIN SIPARIN E SEZONIT TË RI!
Kampionati i ri 2026/2027 i futbollit në Ligën e Parë starton nesër me fillim në ora 17.00 me ndeshjen hapëse në Kavadar mes Tikveshit dhe Arsimit. Katër ndeshjet tjera zhvillohen të shtunën dhe të dielën.
Me ndeshjet e xhiros së parë të caktuara të zhvillohen këtë fundjave zyrtarisht starton kampionati i ri 2026/2027 në Ligën e parë të futbollit vendor.
Sezoni I ri futbollistik në vend nis me sistemin e ri garues katër rrethor, pasi në Ligën e Parë garojnë vetëm 10 ekipe.
Sipari i kampionatit të ri hapet të premten me ndeshjen mes Tikveshit dhe Arsimit. Dy skuadrat gjatë merkatos së verës kanë bërë lëvizje të shumta dhe kanë zhvilluar përgatitje cilësore që e kanë dëshmuar me ndeshjet kontrolluese dhe sezonin e ri e presin të përgatitur.
Në seancën e sotme stërvitore KF Arsimi, asistoi edhe TV Koha, ku ra në sy atmosfera e lartë e punës.
LABINOT MUSLIU – Ndihmës trajner
‘’ Gjykojmë se ekipi është i përgatitur tashmë 30 e ca ditë në fazë përgatitore , në tre fazat e fazës përgatitore me përforcimet e reja që kanë arritur dhe me përgatitjet të cilat kanë shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Shpresojmë që të fillojmë mbarë ashtu siç filluam edhe në vitin e kaluar pse jo edhe më mirë. Dihet që luajmë në Kavadar kundër Tikveshit një ekip solid, një ekip me disa vite eksperiencë në Ligën e Parë. Por mbi gjitha ne luajmë për llogarit tona dhe mbaj bindjen që na si staf dhe ekipi, lojtarët nëpër gjithësi kemi përgatitur ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe shpresojmë që të dalim nesër me rezultat pozitiv. Do të thotë ekipi është i gjithi në dispozicion përveç dy lojtarëve të ri të cilët na kanë ardhur por ende presim lejen nga Federatat nga shtet ku vinë‘’deklaroi ndihmës trajneri Labinot Musliu
Sa i përket epilogut të kësaj ndeshje ndihmës trajneri Musliu thotë si gjithmonë nga çdo ndeshje presim rezultat pozitiv
LABINOT MUSLIU – Ndihmës trajner
‘’Gjithsesi presim rezultat pozitiv . Ne asnjëherë nuk shkojmë ta themë pak më lirshëm s e as dorëzohemi po as fluturojmë në kuptim të sportit , të futbollit jemi me këmbë mbi tokë , shkojmë të bëjmë ndeshjen tonë të realizojmë strategjinë tonë , vizionin tonë dhe shpresojmë që në fund të ndeshjes të dalim pozitiv’’ tha trajneri Musliu
Të shtunën takohen Struga Trim Lum – Shkëndija e Haraçinës dhe Vardari – Bregallnica , ndërsa të dielën Sileksi – Bashkimi dhe Shkëndija – Skopje që do të zhvillohet në stadiumin e kampit stërvitor të FFM-së .
Të gjitha ndeshjet e xhiros së parë fillojnë në ora 17:00./Tv Koha/
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

