Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 23 Korrik
Dje në orën 14:10 në SPB Tetovë, një 53-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 12:00 në një objekt shitës në Tetovë, pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme, është sulmuar fizikisht nga një person nga Tetova. Po merren masa për zbardhjen e plotë të rastit.
……Dje në orën 21:25 në fshatin Çegran të Gostivarit, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria një 25-vjeçar nga fshati Çegran, duke vepruar sipas një denoncimi të mëparshëm se ka prishur rendin dhe qetësinë publike, e më pas është sjellë me agresivitet ndaj zyrtarëve policorë që po kryenin detyrën zyrtare. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
……. Pas mesnate në orën 00:40 në rrugën “Jasht Vardarit” në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 33-vjeçar nga fshati Çellopek i Tetovës, duke vepruar sipas një denoncimi të mëparshëm nga partnerja e tij jashtëmartesore 28-vjeçare se rreth orës 00:40 e ka sulmuar fizikisht pas një debati të shkurtër. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë kallëzimi përkatës.
…….Sot në mëngjes në orën 04:50, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor Gallatë kanë privuar nga liria një 49-vjeçar nga rajoni i Gostivarit, duke vepruar sipas një denoncimi të mëparshëm nga bashkëshortja e tij 43-vjeçare se se është sjellë me agresivitet ndaj saj dhe fëmijëve të tyre në shtëpinë familjare, si dhe ka sulmuar fizikisht djalin e tij 20-vjeçar, me ç’rast ka përdorur një mjet të mprehtë. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë kallëzimi përkatës.
………Dje në orën 08:01 në SPB Tetovë është denoncuar se në fshatin Bërvenicë të Tetovës, një automjet udhëtarësh ka goditur një 22-vjeçar nga fshati Bërvenicë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Në aksident, këmbësori ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Spitalin Klinik të Tetovës. Këqyrjen e vendit të ngjarjes e ka kryer ekipi hetimor i SPB Tetovë dhe po merren masa për gjetjen e shoferit dhe për zbardhjen e plotë të rastit.
…….Dje rreth orës 12:20 në SPB Tetovë është denoncuar se në bulevardin “Ilinden” në Tetovë, një 50-vjeçar nga Tetova, duke drejtuar një moped me targa të Tetovës, ka rënë në rrugë. Në aksident drejtuesi I mopedit ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Spitalin Klinik të Tetovës. Këqyrjen e vendit të ngjarjes e ka kryer ekipi hetimor i SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

