Lajme nga vendi
NISI HIPERKLORIMI I UJËSJELLËSIT TË GOSTIVARIT
Uji në Gostivar ende nuk guxon të përdoret as për pije, e as si ujë teknik, pasi vazhdon të jetë i papërshtatshëm si nga aspekti kimik ashtu edhe mikrobiologjik, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme dhe udhëheqësi i Komitetit Drejtues për koordinim dhe menaxhim të sistemit për menaxhimin e krizave, Pançe Toshkovski, pas mbledhjes së Shtabit Qendror të Krizës në Gostivar.
Toshkovski bëri të ditur se, me ndihmën e ekspertëve nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi i Shkupit”, ka nisur pastrimi i rrjetit të ujësjellësit dhe shpreson se qytetarët e Gostivarit shumë shpejt fillimisht do të furnizohen me ujë teknik, e më pas edhe me ujë të pijshëm.
Cilësia e ujit do të analizohet çdo ditë dhe përdorimi i tij do të lejohet vetëm pasi rezultatet të jenë të kënaqshme.
“Shpresojmë që deri në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme të kemi ujë teknik të përshtatshëm për përdorim nga qytetarët e Komunës së Gostivarit. Nëse gjithçka shkon sipas planit me trajtimin që po bëjnë kolegët nga NP “Ujësjellësi i Shkupit”, në bashkëpunim me ndërmarrjen komunale të Gostivarit, presim që deri në fund të javës së ardhshme qytetarët të kenë edhe ujë të pijshëm”
Ekspertët nga Ujësjellësi i Shkupit njoftuan se kanë filluar procesin e hiperklorimit të sistemit.
Sasitë e rritura të klorit janë brenda kufijve të lejuar me ligj dhe nuk paraqesin rrezik për qytetarët, por uji nuk do të mund të përdoret derisa të përfundojë pastrimi i plotë i sistemit.
Testimet e para kanë treguar se uji te konsumatorët fundorë është i papërshtatshëm si nga aspekti kimik ashtu edhe mikrobiologjik, pasi nuk është dezinfektuar në masën e nevojshme.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, tha se sipas informatave që ka nga ndërmarrja komunale, uji në Gostivar është testuar të paktën një herë në javë. Ai pohoi se situata me ujin në Gostivar shkon drejt stabilizimit.
Kreu i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, deklaroi se sikurse pushteti qendror gjithashtu edhe ai lokal janë bërë bashkë për ta normalizuar gjendjen në Gostivar.
Kryqi i Kuq hapi llogari në të cilën të gjithë qytetarët humanë do të mund t’i ndihmojnë banorët e Gotivarit të cilët përballen me epideminë pasi që u konstatua se uji nuk është për përdorim.
Kryqi i Kuq është në terren dhe në mënyrë aktive zbaton aktivitete për mbështetje të popullatës së goditur, ndërkaq edhe në periudhën në vijim do të vazhdojë me aktivitetet e veta humanitare me qëllim të sigurimit të ndihmës atje ku është më se e nevojshme – thonë nga Kryqi i Kuq.
“Çdo donacion, pa dallim të vlerës së tij, paraqet mbështetje të jashtëzakonshme për familjet e goditura dhe do të ndihmojë në sigurimin e ndihmës së domosdsoshme dh etejkalimit më të lehtë të pasojave nga kjo gjendje. Ju bëjmë thirrje të gjithë së bashku ta tregojmë humanizmin dhe solidaritetin tonë dhe të kontribuojmë në sigurimin e ndihmës për familjet e prekura”, thonë nga Kryqi i Kuq./Tv Koha/
Llogaria e Fondit të solidaritetit të Kryqit të Kuq të RMV-së:
300000001327966, numri tatimor: 4030984271620 SHA Banka komerciale me shenjën: ndihmë për qytetarët e pësuar në Gostivar.
Për donacione të mjeteve në valutë të huaj:
NAME OF THE ORGANIZATION: RED CROSS OF THE REPUBLIC OF NORTH MACEDONIAN
BANK NAME: KOMERCIJALNA BANKA AD SKOPJE
BANK ADDRESS: UL. ORCE NIKOLOV NO.3, 1000 SKOPJE, MACEDONIA
BANK ACCOUNT: 300000000000133 25730522-11
SWIFT CODE: KOBSMK2X
IBAN CODE: MK07300701000001228
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 23 Korrik
Dje në orën 14:10 në SPB Tetovë, një 53-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 12:00 në një objekt shitës në Tetovë, pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme, është sulmuar fizikisht nga një person nga Tetova. Po merren masa për zbardhjen e plotë të rastit.
……Dje në orën 21:25 në fshatin Çegran të Gostivarit, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria një 25-vjeçar nga fshati Çegran, duke vepruar sipas një denoncimi të mëparshëm se ka prishur rendin dhe qetësinë publike, e më pas është sjellë me agresivitet ndaj zyrtarëve policorë që po kryenin detyrën zyrtare. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
……. Pas mesnate në orën 00:40 në rrugën “Jasht Vardarit” në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 33-vjeçar nga fshati Çellopek i Tetovës, duke vepruar sipas një denoncimi të mëparshëm nga partnerja e tij jashtëmartesore 28-vjeçare se rreth orës 00:40 e ka sulmuar fizikisht pas një debati të shkurtër. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë kallëzimi përkatës.
…….Sot në mëngjes në orën 04:50, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor Gallatë kanë privuar nga liria një 49-vjeçar nga rajoni i Gostivarit, duke vepruar sipas një denoncimi të mëparshëm nga bashkëshortja e tij 43-vjeçare se se është sjellë me agresivitet ndaj saj dhe fëmijëve të tyre në shtëpinë familjare, si dhe ka sulmuar fizikisht djalin e tij 20-vjeçar, me ç’rast ka përdorur një mjet të mprehtë. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë kallëzimi përkatës.
………Dje në orën 08:01 në SPB Tetovë është denoncuar se në fshatin Bërvenicë të Tetovës, një automjet udhëtarësh ka goditur një 22-vjeçar nga fshati Bërvenicë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Në aksident, këmbësori ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Spitalin Klinik të Tetovës. Këqyrjen e vendit të ngjarjes e ka kryer ekipi hetimor i SPB Tetovë dhe po merren masa për gjetjen e shoferit dhe për zbardhjen e plotë të rastit.
…….Dje rreth orës 12:20 në SPB Tetovë është denoncuar se në bulevardin “Ilinden” në Tetovë, një 50-vjeçar nga Tetova, duke drejtuar një moped me targa të Tetovës, ka rënë në rrugë. Në aksident drejtuesi I mopedit ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Spitalin Klinik të Tetovës. Këqyrjen e vendit të ngjarjes e ka kryer ekipi hetimor i SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: NATA TURKE – ORIENTI ZBARKOI NË SHESHIN E TETOVËS!
Mbrëmja e së enjtes në Tetovë u karakterizua nga ritmet orientale dhe tradita turke, në kuadër të manifestimit kulturor “Tetova n’Festë 2026”, ku u organizua Nata Turke, një aktivitet që mblodhi qindra qytetarë dhe mysafirë në një atmosferë festive.
Me muzikë, valle dhe kostume tradicionale, Shoqata Kulturo-Artistike “Jeni Hajat” solli para publikut një program të pasur folklorik, duke prezantuar trashëgiminë kulturore turke përmes interpretimeve autentike. Publiku i priti me duartrokitje performancat që i dhanë ngjyra dhe gjallëri sheshit të qytetit.
Emocione të veçanta sollën edhe vallet e Rumelisë, të cilat rikthyen kujtime dhe forcuan lidhjen kulturore mes traditës ballkanike dhe asaj turke. Tingujt karakteristikë dhe interpretimet plot ndjenjë e shndërruan mbrëmjen në një festë të vërtetë të kulturës dhe artit.
Mbrëmja vazhdoi me mini-koncertin e këngëtarit Kaan Mazhar, i cili interpretoi këngë të njohura.
Ritmet energjike të grupit TRIO Darabuka krijuan një atmosferë të veçantë në Sheshin e Tetovës, duke përfshirë publikun në festë.
Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Maqedonisë së Veriut, Sedat Sulejmani, Kryetari i Partisë Demokratike Turke (TDP), Zülfikar Zeynula, Kryetari i MATÜSITEB-it, Tahsin Ibrahim, Drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Shkup, Yunus Dilber, përfaqësuesi i Shkollave Ndërkombëtare Maarif në Maqedoninë e Veriut, Osman Demirgül, si dhe shumë të ftuar e dashamirës të muzikës, të cilët shijuan një program të larmishëm artistik.
Nata Turke ishte një tjetër aktivitet i suksesshëm në kuadër të “Tetova n’Festë 2026”, manifestim që edhe këtë vit vazhdon të sjellë netë tematike dhe ngjarje kulturore, duke e bërë Tetovën një qendër të artit, traditës dhe bashkëjetesës kulturore gjatë sezonit veror.
Sikurse evenimentet tjera të Verës Tetovare edhe Nata urke u transmetua drejtpërdrejt në faqen zyrtare të Facebookut të Tv Koha. /Tv Koha/
Lajme nga vendi
GOSTIVAR: AUV – OPERATORËT E USHQIMIT RESPEKTUAN NDALIMIN E PËRDORIMIT TË UJIT!
Shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari kanë realizuar 70 kontrolle të jashtëzakonshme në rajonin e Gostivarit, ku është konstatuar se operatorët e ushqimit e respektojnë ndalimin për përdorimin e ujit nga sistemi publik i ujësjellësit.
Njëkohësisht, inspektorët kanë evidentuar edhe parregullsi të tjera, për të cilat janë shqiptuar 30 gjoba në vlerë totale prej 7.750 eurosh në kundërvlerë me denarë.
Kontrollet përfshinë markete, kafene, piceri, furra buke, ëmbëltore, lokale sanduiçesh, qebaptore, prodhues dhe paketues të frutave e perimeve, si dhe operatorë të tjerë të ushqimit.
Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari njoftojnë se te asnjë nga subjektet e kontrolluara nuk janë konstatuar shkelje të ndalimit për përdorimin e ujit nga ujësjellësi i Gostivarit. Për përgatitjen dhe shërbimin e ushqimit, si dhe për larjen e enëve, sipërfaqeve të punës dhe pajisjeve, është përdorur ujë i ambalazhuar ose ujë tjetër i sigurt, ndërsa në objektet hotelierike mysafirët janë shërbyer me gota dhe mjete plastike ose prej letre.
Sipas rezultateve të djeshme të analizave të mostrave të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), uji nga rrjeti i ujësjellësit në Gostivar ende nuk është i përshtatshëm për pije dhe as për përdorim teknik. Qytetarëve u bëhet thirrje të respektojnë me përpikëri rekomandimet e institucioneve kompetente dhe, deri në njoftimin e radhës, të mos e përdorin ujin nga rrjeti i ujësjellësit.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë inaugurimit të pishinës së rikonstruktuar në Kavadar, se pret që deri në fund të kësaj jave Gostivari të ketë ujë teknikisht të rregullt, ndërsa në fund të javës së ardhshme ai të jetë i sigurt edhe për pije.
Ndryshe, gjatë ditëve të fundit për krizën shëndetësore në Gostivar kanë raportuar të paktën 30 media nga Franca, Italia, Rusia, Gjermania, Austria, Zvicra, Shqipëria, Malta, Kroacia, Serbia, Bullgaria, Turqia, Ukraina, Azerbajxhani, Malajzia, Katari dhe vende të tjera, duke e bërë ngjarjen e Gostivarit lajm botëror./Tv Koha/

