Lajme nga vendi
Ethet e nilit perëndimor, Cana: 10 të diagnostifikuar, 7 të dyshuar dhe të hospitalizuar
Në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive në Shkup aktualisht po trajtohen 17 pacientë me ethet e Nilit Perëndimor. Prej tyre, 10 janë të diagnostikuar me këtë virus, ndërsa 7 të tjerë ende nuk janë të konfirmuar, por kanë simptoma klinike që përputhen me ethet e Nilit Perëndimor.
Drejtori i Klinikës Infektive Fadil Cana për TVM2 tha se të shtatë pacientëve do t’u përsëriten analizat e nevojshme dhe se ata do të vazhdojnë të qëndrojnë nën mbikëqyrje mjekësore në klinikë derisa gjendja e tyre shëndetësore përmirësohet.
“Aktualisht në Klinikën për Sëmundje Infektive janë të hospitalizuar 10 pacientë, te të cilët është konfirmuar në mënyrë laboratorike prania e etheve të Nilit Perëndimor. Ndërkohë, janë të hospitalizuar edhe 7 pacientë të tjerë, për të cilët ekziston dyshimi se mund të jenë të infektuar, bazuar në gjendjen e tyre klinike. Tek këta pacientë po kryhen analiza dhe metoda të tjera diagnostikuese laboratorike, rezultatet e të cilave priten në ditët në vijim. Deri atëherë, ata do të vazhdojnë të trajtohen në Klinikën për Sëmundje Infektive.” – tha Drejtori i Klinikës Infektive-Shkup, Fadil Cana.
Prej tyre, tre pacientë janë në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe ndodhen në ventilim mekanik, ndërsa të gjithë të tjerët janë në gjendje stabile, sqaroi më tej Cana. Të gjithë pacientët e hospitalizuar janë nga Shkupi.
“Periudha e inkubacionit të sëmundjes zgjat deri në 14 ditë dhe askush nuk mund të parashikojë se si do të zhvillohet ajo te një organizëm i caktuar. Ajo që dihet deri më tani është se më të rrezikuarit janë personat e grupmoshave më të vjetra. Të gjithë pacientët e hospitalizuar janë mbi 60 vjeç dhe kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese.” – u shpreh Drejtori i Klinikës Infektive-Shkup, Fadil Cana.
Ndërkohë, ethet e Nilit Perëndimor kanë vënë në alarm institucionet shëndetësore dhe autoritetet lokale, të cilat kanë intensifikuar masat për luftimin e mushkonjave, bartëset kryesore të virusit.
Në disa komuna, përfshirë edhe Shkupin, po zhvillohet spërkatja nga ajri dhe toka, si pjesë e një përgjigjeje të koordinuar institucionale.
Qyteti i Shkupit këtë javë do ta realizojë spërkatjen e 11-të kundër mushkonjave në të gjithë territorin e kryeqytetit, në kuadër të masave parandaluese, ndërsa deri në fund të sezonit janë planifikuar gjithsej rreth 20 spërkatje të tilla. (Rexhep Qamili, TVM2)
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

