Lajme nga vendi
Rikthehen të gjitha figurat kombëtare dhe UÇK-ja në Çair
Në Komunën e Çairit janë rikthyer figurat kombëtare shqiptare dhe simbolet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), pasi më herët ishin dëmtuar nga persona të panjohur informon Tetovasot.
Mbishkrimet dhe muralet, që paraqesin figura të historisë kombëtare shqiptare dhe simbolikën e UÇK-së, janë restauruar, duke rikthyer pamjen e tyre të mëparshme.
Ngjarja vjen pas reagimeve të shumta publike ndaj aktit të vandalizmit që shkaktoi dëmtimin e tyre, ndërsa rikthimi i tyre është mirëpritur nga qytetarë dhe aktivistë, të cilët e kanë cilësuar si një veprim në mbrojtje të identitetit dhe kujtesës historike.
Rastet e vandalizimit të simboleve dhe figurave kombëtare në Çair kanë nxitur debat të gjerë në opinion, ndërsa autorët e dëmtimit nuk janë bërë të ditur publikisht.
Lajme nga vendi
Ministria e Energjisë: Sistemi elektroenergjetik në vend është stabil dhe i sigurt
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale e ndjek në mënyrë të vazhdueshme gjendjen në rajon dhe në Evropë, si dhe treguesit hidrologjikë në vend.
Nga Ministria thonë se sipas të dhënave të disponueshme, gjendja në Maqedoni është stabile dhe aktualisht nuk ka indikacione se nivelet e ulëta të ujërave në Evropë paraqesin rrezik për sigurinë e prodhimit vendor të energjisë elektrike.
“Ministria, së bashku me SHA EMV, SHA MEPSO dhe institucionet e tjera kompetente, i monitoron rregullisht parametrat hidrologjikë, rezervat në dispozicion dhe parashikimet, me qëllim që të ndërmerren me kohë të gjitha masat e nevojshme në rast se kushtet ndryshojnë”.
“Gjendja e akumulacioneve aktualisht është stabile dhe mundëson menaxhim të sigurt të potencialit hidrik vendas. Potenciali hidrik shënon një nivel të përgjithshëm të mbushjes së akumulacioneve prej rreth 70 për qind. Kjo mundëson përmbushjen e nevojave aktuale në kuadër të prodhimit të planifikuar Akumulacionet vendase menaxhohen me kujdes dhe në përputhje me planet operative, gjë që mundëson prodhim të sigurt të energjisë elektrike dhe funksionim të qëndrueshëm të sistemit elektroenergjetik. Njëkohësisht, hidrocentralet vazhdojnë të ofrojnë edhe shërbime sistemike të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit të rrjetit elektroenergjetik”.
“Treguesit për prodhimin vendas janë inkurajues. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në muajin maj të këtij viti në Maqedoni janë prodhuar 462.653 MWh energji elektrike, duke mbuluar 96,5 për qind të konsumit të brendshëm, që paraqet një pjesëmarrje dukshëm më të lartë të prodhimit vendas në përmbushjen e nevojave të shtetit. Në të njëjtën kohë, të dhënat nga SHA EMV tregojnë një rritje të konsiderueshme të prodhimit nga hidrocentralet – prej 76 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si dhe një rritje prej rreth 10 për qind te centralet e erës”.
“Këto rezultate janë konfirmim se diversifikimi gradual i kapaciteteve prodhuese, menaxhimi i kujdesshëm i akumulacioneve dhe planifikimi i përmirësuar kontribuojnë në një qëndrueshmëri më të madhe të sistemit energjetik të Maqedonisë në kushtet e ndryshimeve gjithnjë e më të shpeshta klimatike”.
“Paralelisht, investohet në kapacitete të reja për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, në modernizimin e infrastrukturës elektroenergjetike, në zhvillimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë elektrike, si dhe në projekte që do të mundësojnë fleksibilitet më të madh dhe përshtatje më të shpejtë të sistemit ndaj ndryshimeve klimatike dhe të tregu”.
“Aktualisht është duke u ndërtuar faza e dytë e parkut të erës „Bogdanci“, me ç’rast kapaciteti i tij i instaluar do të arrijë në 50 MW, ndërsa kanë filluar edhe aktivitetet për realizimin e centraleve fotovoltaike „Bitola 1“ dhe „Osllomej 2“, ndërkohë që përgatitjet për „Bitola 2“ dhe „Bitola 3“ janë në fazë të avancuar. Njëkohësisht, po krijohen kushtet për zbatimin më të gjerë të sistemeve për ruajtjen e energjisë elektrike, të cilat do të mundësojnë shfrytëzim më efikas të burimeve të rinovueshme dhe stabilitet më të madh të sistemi”, thonë nga ministria.
Lajme nga vendi
Flamuri i Maqedonisë së Veriut në vend të 8, u shfaq me 12 rreze!, akuza për skandal në festë shtetërore
Mbrëmjen e djeshme, gjatë festimit të madh në Ohër në kuadër të shënimit të 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, është shfaqur një flamur me 12 rreze në vend të 8 rrezeve zyrtare.
Spektakli muzikor “Shkëlqeu fuqishëm dita” u mbajt në stadiumin “Burimet e Biljanës”. Ohri ishte stacioni i parë i turneut të paralajmëruar që pritet të përfshijë 11 qytete të vendit, ndërsa ngjarja përmbyllëse është paralajmëruar për më 4 shtator në Shkup.
Shfaqja e këtij flamuri ka nxitur reagime të ashpra nga opozita.
“Në një festim zyrtar shtetëror për 35-vjetorin e pavarësisë, të paguar me shuma të mëdha parash nga qytetarët, qeveria e Mickoskit e gaboi flamurin e Maqedonisë”, deklaruan nga LSDM.
Nga kjo parti kërkuan që Qeveria të bëjë publike se cila kompani ka qenë e angazhuar për organizimin e ngjarjes, të tregojë se sa mjete janë shpenzuar për këtë festë, si dhe të tregojë se kush do të mbajë përgjegjësi për këtë lëshim.
Por VMRO-DPMNE reagoi ndaj akuzave të LSDM-së për flamurin gjatë koncertit për 35-vjetorin e pavarësisë, duke sqaruar se bëhej fjalë për një instalacion artistik ku dielli me shumë rreze transformohet në flamurin me tetë rreze. Nga kjo parti deklaruan se LSDM-ja — e cila ka ndryshuar flamurin, emrin dhe Kushtetutën — nuk ka asnjë kredibilitet të flasë për ulje të dinjitetit shtetëror. (INA)
Lajme nga vendi
Të enjten dhe premten priten reshje shiu
Sot moti do të jetë me diell dhe shumë i ngrohtë, me vranësira të vogla deri në mesatare. Pasdite, në disa vende do të ketë kushte për paqëndrueshmëri të izoluar, me reshje të shkurtra dhe të rrëmbyeshme shiu, si dhe bubullima. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior.
Temperatura minimale do të lëvizë nga 14 deri në 24 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 32 deri në 40 gradë Celsius.
Në Shkup, moti do të jetë me diell dhe shumë i ngrohtë, me vranësira të vogla deri në mesatare. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior.
Temperatura minimale do të zbresë deri në 22 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 40 gradë Celsius.
Në ditët në vijim do të vazhdojë periudha me mot me diell dhe shumë të ngrohtë, me vranësira të vogla deri në mesatare lokale. Temperaturat gjatë ditës në disa vende do të arrijnë deri në 40 gradë Celsius. Temperaturat e larta do të mbeten të pranishme edhe gjatë orëve të natës.
Të enjten dhe të premten do të ketë kushte për paqëndrueshmëri atmosferike, reshje të rrëmbyeshme shiu dhe bubullima.

