Lajme nga vendi
25 vjet nga Marrëveshja e Ohrit/ Shkupi bëhet qendër e diskutimeve për bashkëjetesën, dialogun dhe rrugën drejt BE-së
Më 12 dhe 13 gusht, në Shkup do të shënohet 25-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, përmes një manifestimi dyditor me pjesëmarrjen e personaliteteve të njohura nga Maqedonia e Veriut dhe nga rajoni.
Nën moton 25 dhe përtej, me një seri panelesh diskutimi, debateve dhe aktiviteteve kulturore do të shënojnë këtë përvjetor të rëndësishëm, duke rikthyer në fokus rëndësinë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, proceset që pasuan nënshkrimin e saj, avancimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe rrugën e vendit drejt integrimit evropian.
Manifestimi organizohet nën patronatin e Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe ministrit Agon Ferati, me synimin që 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit të shërbejë jo vetëm si moment përkujtimi, por edhe si hapësirë për reflektim, debat dhe përcaktim të vizionit për të ardhmen.
Programi do të fillojë më 12 Gusht, kur përmes disa paneleve tematike do të mblidhen personalitete nga sfera të ndryshme.
Për më shumë se pesë orë, pjesëmarrësit do të diskutojnë tema që lidhen drejtpërdrejt me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, rëndësinë e saj për zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë, marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, përvojat e 25 viteve të fundit, si dhe sfidat dhe mundësitë që e presin vendin në procesin e integrimit evropian.
Në fokus do të jenë edhe pyetjet se çfarë ka ndryshuar gjatë këtyre 25 viteve, cilat janë rezultatet e arritura, cilat sfida kanë mbetur ende për t’u adresuar dhe si mund të ndërtohet një shoqëri edhe më gjithëpërfshirëse, demokratike dhe evropiane.
Në panelet e diskutimit pritet të marrin pjesë figura të njohura publike, politike, akademike dhe shoqërore nga Maqedonia e Veriut dhe rajoni, duke krijuar një platformë rajonale për shkëmbimin e ideve dhe përvojave.
Një nga shtyllat kryesore të manifestimit do të jetë ndërlidhja mes përvojës, arritjeve dhe praktikave të 25 viteve të kaluara dhe vizionit për të ardhmen – me fokus në atë se si do të duken 25 vitet e ardhshme të Marrëveshjes së Ohrit dhe si do të ndërthuret ky vizion me rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.
Diskutimet do të trajtojnë rëndësinë e dialogut, respektimit të të drejtave të komuniteteve, institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe përfshirjes së të gjithë qytetarëve në proceset shtetërore si pjesë e vizionit evropian të vendit.
Organizatorët synojnë që përvjetori të mos mbetet vetëm një ngjarje simbolike, por të shndërrohet në një mundësi për të hapur diskutime konkrete mbi të ardhmen e vendit dhe mbi mënyrën se si përvoja e 25 viteve mund të shërbejë si bazë për një kapitull të ri.
Programi do të vazhdojë me manifestimin qendror, më 13 Gusht, me një ngjarje të veçantë në mbrëmje, e cila do të zhvillohet në sheshin kryesor të Shkupit, pranë Urës së Gurit.
Mbrëmja do të përfshijë koncert recital, ndërsa para publikut do të mbajnë fjalime edhe personalitete të larta shtetërore.
Kështu, dy ditët e manifestimit do të ndërthurin diskutimin politik dhe institucional me kulturën, duke i dhënë përvjetorit një dimension më të gjerë dhe duke e sjellë atë edhe më pranë qytetarëve.
25-vjetori i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit vjen si një moment për të reflektuar mbi një prej marrëveshjeve më të rëndësishme në historinë e re politike të Maqedonisë së Veriut.
Manifestimi i 12 dhe 13
Gushtit synon të sjellë në një hapësirë të përbashkët zëra të ndryshëm nga rajoni, për të diskutuar të kaluarën, për të analizuar të tashmen dhe, mbi të gjitha, për të folur për të ardhmen.
Nga Marrëveshja e Ohrit te perspektiva evropiane – dy ditë diskutime, ide, kulturë dhe mesazhe për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe një të ardhme të përbashkët evropiane.
Nisma, nën patronatin e Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe ministrit Agon Ferati, synon që 25-vjetori të shënohet si një moment i rëndësishëm i dialogut dhe reflektimit, por edhe si një mesazh se proceset e nisura 25 vite më parë duhet të vazhdojnë të ndërtohen përmes bashkëpunimit, dialogut dhe orientimit të qartë evropian.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

