Lajme nga vendi
VLEN: BDI, partia që vodhi qindra miliona,po luan rolin e hetuesit
BDI sot u përpoq përsëri të ndërtojë një aferë ku ka investime të raportuara publikisht, të ligjshme dhe plotësisht të verifikueshme. Nga të dhënat që vetë Nedim Rama i ka paraqitur në KSHPK, partia që ka krijuar perandori biznesi familjar për dy dekada ka përpiluar një deklaratë me shumë pyetje, por pa asnjë provë.
Prandaj, së pari faktet:
Investimet në aksione janë bërë disa herë vitet e fundit, dhe vlera totale e raportuar e portofolit të tij është rreth 30.000 euro.
Fakti që Nedim Rama personalisht në një dokument zyrtar dhe publik në të cilin çdo qytetar ka qasje, konform me ligjin, ka paraqitur të gjitha aktivitetet e tij financiare dhe jofinanciare, paraqet mohim të drejtpërdrejtë të aludimeve të BDI-së.
Tregtimi i aksioneve në “Mercedes” ose kompani të tjera të tilla si “Novo Nordisk” dhe “SOFI Technologies”, është një aktivitet plotësisht i ligjshëm, i lejuar në përputhje me rregulloret në fuqi në vend. Sidomos kur bëhet fjalë për tregtimin e një numri të vogël aksionesh. Përveç kësaj, fitime kapitale u realizuan nga tregtimi i aksioneve, të cilat u raportuan në mënyrë transparente dhe për të cilat iu pagua taksë shtetit.
Është një manipulim i madh të paraqiten pasuritë e deklaruara publikisht si “të zbuluara” ose si kapital i fshehur.
BDI nuk paraqiti asnjë provë se një denar i vetëm është përdorur për aksionet nga “NOMAGAS”, nga buxheti i shtetit, nga një tender publik ose nga një burim i paligjshëm, sepse ata vetë e dinë se kjo nuk është e vërtetë.
Ata paraqitën vetëm të dhëna që vetë Nedim Rama ia dorëzoi KSHPK-së, publikisht dhe në mënyrë transparente.
VLEN nuk ka problem me verifikimin nga asnjë institucion kompetent. Çdo investim, pagesë dhe transaksion mund të verifikohet. Në fund të fundit, pikërisht për këtë arsye ato raportohen publikisht në KSHPK.
Këto janë faktet. Dhe meqenëse BDI tashmë dëshiron të luajë rolin e një hetuesi financiar, le të përgjigjet:
Nga erdhën qindra miliona euro në prona dhe biznese me të cilat është e lidhur familja e Ali Ahmetit, vetëm në territorin e Shkupit?
Si lulëzoi biznesi i vëllait të Bujar Osmanit, ndërsa Osmani mbante disa nga pozicionet më të larta shtetërore dhe çfarë ndodhi me atë biznes?
Cilat lidhje shtetërore dhe institucionale hapën dyert për bizneset dhe angazhimet e vëllait të Arbër Ademit?
Si u bënë saktësisht familjet në krye të BDI-së, pas më shumë se dy dekadash në pushtet, pronarë të kompanive, qendrave të biznesit, pasurive të paluajtshme, koncesioneve dhe bizneseve miliona dollarëshe?
Këto janë pyetjet nga të cilat BDI po ikën. Këto janë milionat që BDI nuk dëshiron kurrë t’u përgjigjet.
Në vend të përgjigjeve, partia nën sundimin e së cilës u rritën perandoritë e biznesit familjar, sot po përpiqet të prodhojë një “mashtrim” nga të dhënat që vetë Nedim Rama ua dorëzoi institucioneve dhe që janë publikuar publikisht në faqen e internetit të KSHPK-së.
Kjo është ikje në panik nga milionat e tyre.
Nedim Rama ka deklaruar pasuritë e tij. BDI po fshihet pas deklaratave të përbëra nga pyetësorë.
Çështja e qindra miliona eurove për të cilat BDI hesht dhe që po fshihet pas emrave të fëmijëve dhe vëllezërve të zyrtarëve të saj më të lartë është dhe do të mbetet një aferë.
Komunikata e VLENi vjen pasi sot Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ngriti dyshime lidhur me deklaratën e pasurisë së drejtorit të NOMAGAS-it, Nedim Rama, duke kërkuar sqarime për mënyrën se si ai ka financuar blerjen e aksioneve në kompani të huaja, përfshirë gjigantin gjerman “Mercedes-Benz Group AG”, gjatë kohës që ushtronte funksionin e drejtorit të ndërmarrjes shtetërore. Në reagimin e saj, BDI thekson se deklarata e pasurisë e Ramës “ka hapur një çështje shumë më serioze sesa ajo që ai tentoi ta mbyllë me dorëzimin e formularit në Antikorrupsion”.
Sipas BDI-së, Rama ka deklaruar aksione në kompani të mëdha të huaja, ndërsa problematike konsiderohet data e fitimit të tyre.
“Sipas vetë deklarimit të tij, këto pjesëmarrje janë fituar më 22 prill 2026, në kohën kur Nedim Rama tashmë ishte në krye të NOMAGAS-it”, thuhet në reagim. Partia opozitare shtron një sërë pyetjesh publike, duke kërkuar transparencë të plotë mbi burimin e mjeteve financiare të përdorura për investimet. përcjell Zhurnal.mk .
Lajme nga vendi
NGRITET AKTAKUZË NDAJ GRUBIT – MBETET NË ARREST SHTËPIAK!
Prokuroria e Shkupit, para skadimit të afatit për hetim, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ia ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak si të akuzuarit të dytë për keqpërdorime në „Lotarinë Shtetërore“, për veprën penale keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.
Aktakuzë është ngritur ndaj gjithsej tetë personave, të cilët akuzohen se gjatë viteve 2023 dhe 2024 kanë keqpërdorur autorizimet dhe detyrat e tyre dhe i kanë shkaktuar dëm „Lotarisë Shtetërore“ në vlerë prej 500 milionë denarësh.
Sekretari i përgjithshëm, më 6 qershor 2023, e kishte propozuar këtë informacion si plotësim të një pike të rendit të ditës në një seancë të Qeverisë, duke shkelur Rregulloren e Punës së Qeverisë. Ai nuk e kishte kthyer informacionin te propozuesi dhe as nuk e kishte përcjellë te organi kompetent. I akuzuari i dytë është Grubi, i cili kishte kryesuar seancën e Qeverisë.
„Informacioni i dorëzuar ishte miratuar dhe Shoqëria Aksionare për organizimin e lojërave të fatit ‘Lotaria Shtetërore’ e Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte obliguar të ndërmerrte aktivitetet e nevojshme për fillimin e organizimit të pavarur të lojërave elektronike të fatit dhe zhvillimin e një procedure të prokurimit publik për terminale videolotarie“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Të akuzuarit e tjerë, kryetari dhe anëtarët e Bordit Mbikëqyrës, edhe pse ishin në dijeni se procedura ligjore nuk ishte respektuar, kishin marrë vendim me të cilin miratuan fillimin e procedurës së prokurimit publik për terminale videolotarie për organizimin e lojërave elektronike të fatit, si një marrëveshje me vlerë të madhe.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 12 Gusht
Dje në ora 11:45, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria dy gra, të moshës 63 dhe 32 vjeçare, të dyja nga Tetova. Sipas raportimit, 32-vjeçarja është thirrur në Qendrën për Punë Sociale Tetovë lidhur me një rast të raportuar më parë për dhunë në familje dhe në ora 11:15 ka shkuar së bashku me nënën e saj ku menjëherë kanë filluar të sillen me agresivitet ndaj dy punonjëseve, i kanë kërcënuar dhe kanë tentuar t’i sulmojnë fizikisht. Ata janë ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtutjeshme dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
…….Dje në ora 18:50 në fshatin Debresh të Gostivarit, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 46-vjeçar nga fshati Debresh, duke vepruar sipas një raportimi të mëparshëm se rreth orës 18:30 ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor, i cili po kryente detyrën zyrtare. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
…….Dje në ora 17:55 në rrugën “Jane Sandanski” në Tetovë, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria një 29-vjeçar nga Tetova, i cili është kapur duke drejtuar një moped “Hamachi” pa pasur leje drejtimi, gjegjësishtë pa patentë shoferi. Mopedi është konfiskuar dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje në ora 22:45 në fshatin Negotinë të Gostivarit, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gallatë kanë privuar nga liria një 63-vjeçar nga fshati Dobërdoll i Gostivarit, i cili është kapur duke drejtuar një automjet pasagjerësh “Opel Zafira” pa leje drejtimi. Automjeti i është konfiskuar dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje në ora 21:50 në rrugën “153” në Tetovë, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria një të mitur 16-vjeçar nga Tetova sepse te ai është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Pas mesnate në ora 01:30 në një parkim përballë një pompe benzine në dalje të Tetovës, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria dy 19-vjeçarë dhe një të mitur 16 vjeçare, të gjithë nga Shkupi, për shkak të dyshimit për vepër të kryer penale “vjedhje e rëndë” sipas nenit 236 të Kodit Penal. Gjatë kontrollit në automjetin e pasagjerëve “Audi A6” me targa të Shkupit, me të cilin po udhëtonin, janë gjetur sende që rrjedhin nga vepra penale të raportuara. Ata janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tyre do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje në ora 12:50, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë arrestuar një 27-vjeçar nga një fshat i Gostivarit. Sipas raportimit, ai me babain e tij rreth orës 11:30 në rrugën “Vëllezërit Gjinoski”, pas një fjalosjeje verbale, kanë sulmuar fizikisht të afërmin e tyre 38-vjeçar nga i njëjti fshat. Pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Pas mesnate në ora 02:00, gjatë zhvillimit të një manifestimi kulturor në Parkun e Qytetit në Gostivar, një 20-vjeçar nga Gostivari ka prishur rendin dhe qetësinë publike me sjellje agresive dhe nuk i ka respektuar urdhrat e zyrtarëve policorë. Ai është shoqëruar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Pas mesnate në ora 02:35 në Stacionin Policor Gallatë, një vajzë 26-vjeçare nga Gostivari ka raportuar se rreth orës 00:07 në një fshat të Gostivarit është sulmuar fizikisht dhe është kërcënuar nga ish-i dashuri i saj nga i njëjti fshat. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…… Dje në ora 11:15 në SPB Tetovë është raportuar se ka shpërthyer një zjarr në një kasolle të improvizuar në fshatin Llomnicë të Tetovës, pronë e e një 51-vjeçari. Nga zjarri janë djegur rreth 50 tonë ushqim për bagëti dhe 2.000 ballë me kashtë dhe bar. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa zjarri është fikur nga ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit Gostivar. Këqyrjen në vendin e ngjarjes e ka kryer një ekip nga DPB Gostivar.
……
Dje në ora 15:00 në Stacionin Policor Tearcë, një 58-vjeçar ka raportuar se ka shpërthyer zjarr në vendin e quajtur “Leske” në atarin e fshatit Tearcë. Zjarri ka përfshirë bar të tharë e shkurre dhe është përhapur në arën e tij me mbjellje arrash në një sipërfaqe prej katër katër dekarësh. Me ndërhyrjen e Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit Tetovë dhe ekipeve policore, zjarri është fikur. Këqyrjen në vendin e ngjarjes e ka kryer një ekip nga SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
DOGANA ZBULON TRE MIGRANTË ILEGAL NGA SUDANI!
Nëpunësit doganorë nga Dega Doganore Shkup 1 pranë Doganës së Shkupit zbuluan tre migrantë ilegalë nga Sudani gjatë një kontrolli të detajuar të mallrave që ishin deklaruar për zhdoganim importi.
Mallrat, me origjinë nga Kina, ishin ngarkuar në portin e Selanikut, pas së cilës kamioni ishte vulosur me vulë greke.
Tre personat, shtetas të Sudanit, kishin këputur kabllon në pjesën e përparme të hapësirës së ngarkesës së kamionit dhe ishin fshehur mes kutive.
Ky është rasti i katërt i zbulimit të migrantëve ilegalë gjatë tre muajve të fundit, gjë që tregon qartë angazhimin e Drejtorisë së Doganave në mbrojtjen e shtetit.
Migrantët i janë dorëzuar Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ndërkohë, Zv/Drejtori I Doganave, Mustafa Dauti, kohë më parë potencoi se po I japin një goditje e fuqishme ndaj kontrabandës.
Në njoftimet e tij nëpër rrjetet sociale mund të vërrehen aksione të doganës ku janë zbuluar boksa cigaresh pa akcizë, euro të padeklaruara dhe gjësende tjera të jashtëligjshme.
Për këtë qëllim Zv/Drejtori Mustafa Dauti, ka vizituar të gjitha pikat kufitare për t`u njohur me punën dhe aktivitetet e Doganierëve./Tv Koha/

