Lajme nga vendi
BDI: Ndërtimi pa leje në tokë shtetërore rifillon, Qyteti i Shkupit dhe komuna e Çairit heshtin
Nga BDI thonë se ndërtimi në rrugën “Qemal Sejfulla”, i denoncuar publikisht vitin e kaluar si ndërtim pa leje në tokë shtetërore, ka rifilluar.
“Në maj të vitit 2025, ish-kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, doli në vendngjarje dhe tregoi publikisht se objekti po ndërtohej pa projekt dhe pa leje ndërtimi, vetëm një metër larg ndërtesës ekzistuese dhe përpara dritareve e ballkoneve të banorëve”.
“Pas denoncimit publik, Prokuroria hapi procedurë hetimore ndaj investitorit. Sipas njoftimit të atëhershëm të Prokurorisë, bëhej fjalë për objekt banesor dhe afarist me gjashtë kate, të nisur pa leje në tokë shtetërore. U kërkua edhe ndalimi i punimeve”, thonë nga BDI.
Sipas tyre, banorët përreth po përballen sërish me një objekt që ua mbyll dritaret dhe ballkonet, ndërsa nga Komuna e Çairit nuk ka as sqarim, as procesverbal inspektimi, as vendim publik për ndalimin e punimeve.
“Kërkojmë nga Komuna e Çairit që menjëherë të dërgojë inspektorët në terren dhe të publikojë: mbi çfarë dokumentacioni kanë rifilluar punimet; a ekziston leje e vlefshme për ndërtim; çfarë ka ndërmarrë inspektorati komunal; a është ende në fuqi ndalimi i punimeve i kërkuar në kuadër të procedurës hetimore”.
“Kërkojmë gjithashtu nga Prokuroria të njoftojë publikun se deri ku ka arritur hetimi dhe si është lejuar rifillimi i punimeve në objektin që vetë ajo e trajtoi si ndërtim pa leje në tokë shtetërore”, thonë nga BDI.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

