Connect with us

Lajme nga vendi

Mucunski: Pas vitit 2019 përsëri do të mbahet Këshilli i ambasadorëve, do të vendosë detyra konkrete për rrjetin diplomatik

Published

on

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski në konferencën e sotme për shtyp paralajmëroi se nesër për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut do të qëndrojë zëvendëskryetari dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë, Petr Macinka me të cilin do të diskutojë mbi thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, perspektivën evropiane, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare.

Mucunski theksoi se Macinka do të jetë edhe një nga folësit në Këshillin e ambasadorëve i cili do të mbahet në Shkup të enjten dhe të premten, me pjesëmarrjen e krerëve të misioneve diplomatike dhe konsullore jashtë vendit.

“Kjo është hera e parë që nga viti 2019 që Këshilli i ambasadorëve do të mbahet përsëri në vendin tonë, me praninë fizike të krerëve të misioneve diplomatike dhe konsullore. Pas shumë vitesh, ne po e mbledhim përsëri rrjetin tonë diplomatik në një vend për koordinim të drejtpërdrejtë, substancial dhe strategjik. Këshilli i ambasadorëve është një nga mekanizmat më të rëndësishëm për koordinim strategjik të diplomacisë së vendit. Qëllimi është i qartë: të shqyrtohet ajo që është bërë, të harmonizohen qëndrimet dhe mbi të gjitha të caktohen detyra specifike për periudhën që vijon”, ka thënë Mucunski.

Do të diskutojmë, shtoi ai për agjendën evropiane dhe euroatlantike, ndryshimet gjeopolitike dhe të sigurisë, stabilitetin rajonal, qëndrueshmërinë institucionale, diplomacinë ekonomike dhe punën konsullore. “Por nuk do të analizojmë vetëm atë që po ndodh në botë. Do të përcaktojmë se çfarë nënkuptojnë këto ndryshime për vendin tonë, si ndikojnë ato në interesat tona dhe çfarë presim konkretisht nga secila prej misioneve tona diplomatike dhe konsullore”, theksoi Mucunski.

Në një kohë ndryshimesh të thella gjeopolitike, sfidave në rritje të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare gjithnjë e më komplekse, thotë ai, diplomacia nuk duhet të jetë pasive. “Na nevojitet diplomaci që parashikon, që reagon në kohën e duhur, që ndërton partneritete dhe që mbron me vendosmëri interesat kombëtare”, ka thënë Mucunski.

Advertisement

Ai informoi se ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm në kuadër të Këshillit do të kenë një dialog të drejtpërdrejtë me presidentin e vendit, kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit, gjë që dërgon një mesazh për nevojën për koordinim institucional, qëndrime të qarta dhe qasje serioze shtetërore.

“Integrimi evropian mbetet një nga prioritetet tona qendrore strategjike. Rrjeti ynë diplomatik ka për detyrë të prezantojë qartë dhe në mënyrë të argumentuar qëndrimet tona dhe rezultatet e reformës para partnerëve evropianë. Të kërkojmë një proces të drejtë dhe të parashikueshëm evropian, të bazuar në rezultate, vlera evropiane dhe respekt të ndërsjellë”, ka thënë Mucunski.

Ai tha se një nga fokuset kryesore të Këshillit të sivjetmë do të jetë diplomacia ekonomike, me një mesazh të qartë se “çdo ambasador duhet të jetë edhe promotor ekonomik i vendit tonë”.

“Më shumë investime, më shumë eksporte, kontakte të reja biznesi, tregje të reja për kompanitë e vendit. Duhet të bëhet pjesë e matur e punës së zyrave tona përfaqësuese. Ambasadat tona duhet të hapin dyert për kompanitë e vendit dhe marrëdhëniet e mira politike t’i kthejnë në mundësi konkrete ekonomike për vendin tonë”, ka thënë mes tjerash Mucunski.

Në qendër të punës, shtoi ai, duhet të jenë gjithmonë qytetarët. Sipas tij, diplomacia ka kuptim vetëm nëse krijon vlerë konkrete për shtetin dhe njerëzit që i shërben.

Advertisement

“Kjo është arsyeja pse do të diskutojmë modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve konsullore, koordinimin më të mirë institucional dhe komunikimin më të ngushtë me diasporën tonë. Qëllimi ynë është i thjeshtë: që qytetari i Maqedonisë, kudo që të jetë, të dijë se vendi i tij është aty kur ka nevojë. Në të njëjtën kohë, do t’i dëgjojmë edhe ambasadorët dhe konsujt tanë të përgjithshëm. Ata i njohin më mirë sfidat në terren. Dua që të diskutojmë hapur se çfarë funksionon, çfarë duhet të përmirësojmë dhe çfarë nevojitet që rrjeti ynë diplomatik të jetë më efikas, më profesional dhe më i përgatitur”, theksoi Mucunski, duke precizuar tre pritshmëri kyçe për rrjetin diplomatik.

“Presim tre gjëra nga rrjeti ynë diplomatik: të mbrojmë interesat tona kombëtare, të hapim mundësi për vendin tonë dhe t’u shërbejmë qytetarëve tanë. Të enjten dhe të premten, do t’i përkthejmë këto parime në detyra konkrete, koordinim më të mirë dhe rezultate të matshme”, tha Mucunski.

Lajme nga vendi

Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria

Published

on

Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.

Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Published

on

Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.

Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.

Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.

Continue Reading

Lajme nga vendi

LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare

Published

on

Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.

Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.

LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.

Continue Reading

Më të lexuarat