Connect with us

Lajme nga vendi

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Published

on

Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe i ngrohtë me vranësira të lehta deri në mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga jugu.

Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 12 deri në 18 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 30 deri në 35 gradë.
Në Shkup, me diell dhe i ngrohtë me vranësira të lehta deri në mesatare.

Në disa pjesë të luginës do të ketë kushte për zhvillimin e vranësirave të paqëndrueshme të ndjekura nga shira të rrëmbyeshëm afatshkurtër dhe shfaqje të bubullimave të rralla.

Temperatura minimale do të bjerë në 18, ndërsa maksimale do të arrijë 34 gradë.

Lajme nga vendi

31 zjarre në ambiente të hapura gjatë 24 orëve të fundit, dy mbeten aktive

Published

on

Gjatë 24 orëve të fundit, në vend janë regjistruar gjithsej 31 zjarre në ambiente të hapura. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), dy prej tyre janë ende aktive, katër janë nën kontroll, ndërsa 25 janë shuar.

Një nga zjarret aktive është në territorin e Komunës së Makedonski Brodit, në afërsi të fshatit Belicë dhe lokalitetit Kajorec, ku është përfshirë nga flakët një pyll me kërcell të ulët dhe pyll i përzier.

Zjarri i dytë aktiv është në Komunën e Çuçer-Sandevës, pranë fshatit Brest dhe lokalitetit Ramno, ku po digjet një pyll i përzier.

Ndërkohë, nën kontroll janë zjarret pranë fshatit Bence në Komunën e Makedonski Brodit, pranë fshatit Tajmishte në Kërçovë, në deponinë komunale në Dellçevë, si dhe në afërsi të fshatit Kopanicë në Komunën e Sarajit.

“Zjarret në afërsi të fshatit Bence të Komunës së Makedonski Brodit, afër fshatit Tajmishte të Kërçovës, në deponinë komunale në Dellçevë dhe afër fshatit Kopanicë të Komunës së Sarajit janë nën kontroll”, njoftojnë nga QMK.

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga vendi

Tragjedi në rrugën Veles–Shtip: Humb jetën 46-vjeçari nga Kumanova

Published

on

Një aksident i rëndë komunikacioni ka përfunduar me fatalitet këtë pasdite në rrugën Veles–Shtip, pranë udhëkryqit për fshatin Dorfulli.

Në aksident ka humbur jetën një 46-vjeçar nga Kumanova, i cili po drejtonte një automjet “Skoda Fabia”.

Sipas informacioneve fillestare, për shkaqe ende të panjohura, automjeti ka dalë nga rruga. Nga plagët e marra, shoferi ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Me urdhër të organeve kompetente, trupi i viktimës është dërguar për obduksion.

Në vendngjarje është kryer ekspertizë, ndërsa po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga vendi

Radiologu Argjend Imeri: Diagnoza e historisë – Gjenocidi nuk shërohet me harresë

Published

on

Reflektim i një mjeku radiolog
I. Diagnoza
Jam mjek radiolog.
Puna ime fillon aty ku shikimi nuk arrin te depërtojë, por e vërteta vazhdon.
Trupi mund të heshtë dhe pacienti mund të shpresojë, por imazhi që shoh unë, nuk guxon të negociojë me të vërtetën.
Ai e zbulon sëmundjen edhe kur askush nuk dëshiron t’ia dëgjojë emrin.
Kur pashë inçizimet nga Beogradi, arkivolin e sjellë me avion qeveritar, ushtarët që e mbanin, nderimet ushtarake, klerin, ministrat dhe turmën, nuk pashë thjesht varrimin e një njeriu. Pashë një përpjekje të organizuar për t’ia ndryshuar historisë diagnozën.
Ratko Mladiqi nuk vdiq si një “gjeneral i diskutueshëm”. Vdiq si një i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Srebrenica nuk është çështje opinioni politik. Është gjenocid i dokumentuar dhe i gjykuar. Është varri i më shumë se tetë mijë burrave dhe djemve boshnjakë. Pas saj qëndrojnë fëmijët e vrarë të Sarajevës, gratë e dëbuara, familjet e ndara përgjithmonë dhe një tokë që ende nxjerr eshtra nga varrezat masive.
Toka ruan kockat.
Nënat ruajnë emrat.
Historia ruan përgjegjësinë.
As uniforma nuk e pastron krimin, as temjani nuk e shenjtëron, as dekoratat nuk e shndërrojnë kriminelin në hero. Shpata nuk bëhet më pak e përgjakur vetëm sepse vendoset pranë ikonave.
II. Raporti i paqartë
Në mjekësi, nëse shoh një lezion qartësisht malinj dhe e zbus përfundimin vetëm që pacienti të mos shqetësohet, nuk jam treguar njerëzor. Jam treguar i papërgjegjshëm.
Një diagnozë e paqartë nuk e ndal sëmundjen. Vetëm i jep kohë të përhapet.
Prandaj, kur nga Brukseli dëgjojmë se “nuk ishte zyrtarisht varrim shtetëror”, kjo frazë shërben si anestezi për ndërgjegjen. Emërtimi administrativ nuk e ndryshon anatominë e ngjarjes dhe as patologjinë e saj.
Kur shteti vë në dispozicion avionin, ushtarët, nderimet dhe zyrtarët e tij, radiografia politike është e qartë: kemi të bëjmë me një nderim institucional ndaj një njeriu të dënuar për gjenocid.
Evropa nuk mund të predikojë pajtimin duke shmangur diagnozën. Heshtja diplomatike përballë glorifikimit të krimit nuk është maturi. Është një raport i paplotë për një sëmundje që shihet qartë.
III. Shërimi
Ky nuk është shkrim kundër një populli.
Krimi ka emër dhe përgjegjësi individuale. Fajësimi kolektiv është po aq i padrejtë sa mohimi kolektiv. Ky është shkrim kundër atyre që e shndërrojnë krimin në krenari kombëtare dhe varrin e kriminelit në altar politik.
Është gjithashtu shkrim respekti për çdo serb që refuzon ta quajë hero një të dënuar për gjenocid. Ndërgjegjja nuk ka etni.
Si mjek, e di se një plagë e mbuluar pa u pastruar infektohet. Si njeri, e di se kujtesa nuk është hakmarrje. Është kushti i parë i shërimit.
Falja pa të vërtetën është harresë e imponuar. Pajtimi pa përgjegjësi është vetëm një fashë e pastër mbi një plagë të infektuar.
Një shoqëri fillon të shërohet kur e quan krimin me emrin e tij, nderon viktimat dhe u mëson fëmijëve se turpi nuk është ta pranosh krimin e kryer në emër të kombit tënd. Turpi është ta shpallësh kriminelin hero.
Varrimi e mbyll trupin e një njeriu. Por kur kriminelit i ngrihet altar, viktimat varrosen për herë të dytë dhe ideologjia e tij rikthehet të ecë mes të gjallëve.
Kambanat e Beogradit nuk e pastruan historinë. Vetëm treguan edhe një herë sa e thellë mbetet plaga.
Dhe një radiolog e di mirë:
ajo që shihet, por nuk raportohet, nuk zhduket. Vetëm bëhet më e rrezikshme.
Continue Reading

Më të lexuarat