Lajme nga vendi
Aco Velkovski me mesazh emocional për prindërit: “Mjaft! Fëmijët tanë po ikin, ndërsa neve na mbeten shtëpitë bosh”
Ikja e të rinjve jashtë vendit dhe shpërbërja e familjeve po shndërrohen në një nga pamjet më të dhimbshme të shoqërisë. Me një mesazh të fuqishëm dhe emocional drejtuar nënave dhe baballarëve, koordinatori i LSDM-së në zonën e tretë zgjedhore, Aco Velkovski bën thirrje për bashkim dhe ndryshim, pavarësisht partisë, emrit, ngjyrës politike apo përkatësisë kombëtare.
Velkovski ngre shqetësimin për prindërit që gjithnjë e më shpesh janë të detyruar t’i shohin fëmijët dhe nipërit e sapolindur vetëm përmes telefonit, në vend që t’i përqafojnë dhe t’i kenë pranë.
Më poshtë e sjellim të plotë mesazhin e Aco Velkovskit:
Nëna dhe baballarë,
Mjaft!
Mjaft të shohim se si fëmijët tanë i bëjnë valixhet dhe largohen jashtë vendit.
Mjaft t’i shohim fëmijët tanë dhe nipërit tanë të sapolindur vetëm përmes kamerës, pa mundur t’i përqafojmë dhe t’i prekim.
Mjaft të shohim se si na shpërbëhen familjet, se si fëmijët tanë krijojnë shtëpi larg nesh, ndërsa neve na mbeten dhoma bosh, fotografi dhe emra të rinj të huaj në familje.
Mjaft që për 35 vjet të njëjtët politikanë dhe elita politike të na e përcaktojnë fatin!
Pavarësisht partisë, emrit apo ngjyrës — rezultatin e shohim para nesh.
Fshatra bosh.
Shtëpi bosh.
Shkolla bosh.
Dhe prindër që i shohin fëmijët dhe nipërit e tyre përmes telefonit.
Kjo duhet të ndalet!
Është koha të bashkohemi — të gjithë, nga të gjitha kombësitë, të gjithë prindërit, të gjithë qytetarët.
Jo si maqedonas, shqiptarë, turq, serbë apo romë.
Por si nëna dhe baballarë.
Të gjithë duam një gjë: që fëmijët tanë të kenë punë, një jetë me dinjitet dhe arsye për të qëndruar në vendlindje.
Fëmijët tanë
janë e ardhmja jonë.
Nëse edhe ju mendoni se është koha të ndryshojmë diçka — bashkohuni.
T’u tregojmë se e ardhmja e fëmijëve tanë nuk duhet të varet nga asnjë parti.
Le të fillojë nga ne!
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

