Lajme nga vendi
Rihapet tema e Kodit Zgjedhor, partitë politike drejt një përpjekjeje të re
Në takimin e sotëm koordinues mes grupeve parlamentare në Kuvend, edhe një herë është hapur tema e Kodit Zgjedhor e cila mbeti pa zgjidhje para se Kuvendi të shkonte në pushime. Siç njoftoi kreu i Kuvendit Afrim Gashi në brifing me gazetarët, tema është ri-hapur nga partia e Majta pasi në opinion së fundmi është diskutuar rreth mundësisë për zgjedhje të parakohshme.
“Në koordinim diskutuam dhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhor meqenëse po flitet për zgjedhje të parakohshme. Meqenëse grupi i punës vetëm se ekziston, propozova që i njëjti grup përsëri të ulet dhe të flasin për një marrëveshje. Unë jam i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme por edhe nëse ka dhe pa dallim kur do të mbaheshin, është mirë ta kemi Kodin Zgjedhor”, tha kreu i Kuvendit, Afrim Gashi.
Nga LSDM për momentin nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre të fundit pas takimeve të njëpasnjëshme të koordinatorëve në Kuvend, përkatësisht, vërejtja e tyre kryesore është të hiqet votimi elektronik i diasporës pasi konsiderojnë se mund të ketë manipulime dhe vota mund të jetë publike.
“Pozitat tona janë të qarta si kristali dhe të pa ndryshueshme. E para, të mbetet mënyra e deritanishme e votimit në listën zgjedhore. Pra vetëm me rrethim të numrit dhe asnjë shenjë tjetër. Gjithashtu dhe votimi i diasporës të mbetet sikur deri tani. Pra të votohet në përfaqësitë diplomatike konsulare dhe të mos lejohet asnjë ndryshim e cila mund të hapë dyert për vjedhje zgjedhore. Le të tërhiqet votimi elektronik apo votimi përmes postës”, u prononcua kreu i social demokratëve, Venko Filipçe.
Kundër konkluzioneve të fundit nga grupi i punës janë shprehur edhe nga E Majta. Koordinatori i kësaj partie Borisllav Kërmov për Alsat konfirmoi se në takim edhe një herë ka theksuar se ndryshimet e fundit të propozuara nga grupi i punës, janë antikushtetuese. U kanë bërë thirrje edhe koordinatorëve të partive tjera politike që brenda partisë ta diskutojnë edhe një herë çështjen e Kodit Zgjedhor, dhe në takimin e radhës të punojnë për zgjidhje.
Pushteti nga ana tjetër është i gatshëm të ulet dhe të diskutojë përsëri por kryeministri Hristijan Mickoski, kërkon prej opozitës që të unifikojnë qëndrimet.
“Unë pres një qëndrim të përbashkët, kështu dhe e përfunduam atë gjendje sfiduese. Kur të kenë një qëndrim të përbashkët nga opozita e bashkuar E Majta, LSDM dhe BDI, ne jemi të gatshëm të ulemi të bisedojmë dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkët”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Grupi i punës që u formua në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në përbërje të deputetëve nga të gjitha partitë politike që marrin pjesë në Kuvend, nuk arriti të zgjidhë të gjitha pengesat dhe ndryshimet e nevojshme për të miratuar Kodin e ri Zgjedhor. Takimet nga Ministria më pas kaluan mes koordinatorëve në Kuvend, por edhe kjo nuk ndihmoi. LSDM kundërshton ashpër mënyrën elektronike të votimit të diasporës, ndërkaq e Majta kërkon “një” njësi zgjedhore dhe rritje të buxhetit për reklamim. Shumica parlamentare dorëzoi propozim ndryshimet e Kodit në Kuvend e pastaj në Komisionin për Sistem Politik, partitë opozitare maqedonase dorëzuan madje 13,500 amendamente. Komisioni mbajti vetëm një seancë sa për të njoftuar numrin dhe përkthimin e amendamenteve dhe që atëherë, Kodi Zgjedhor ka mbetur i bllokuar./Alsat.mk
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

