Lajme nga vendi
Për herë të parë, provimi për revizorë të autorizuar shtetërorë u mbajt edhe në shqipe, certifikatat u ndanë në dy gjuhë
Enti Shtetëror për Revizion në Maqedoninë e Veriut, nën drejtimin e drejtorit Orhan Ademi, ka organizuar mbajtjen e provimit profesional për pajisjen me certifikatë të revizorit të autorizuar shtetëror, duke mundësuar që i gjithë procesi të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, krahas asaj maqedonase.
Në një hap të rëndësishëm drejt respektimit të barazisë gjuhësore dhe krijimit të mundësive të barabarta për kandidatët, provimi profesional për revizorë të autorizuar shtetërorë është organizuar në të dyja gjuhët zyrtare, shqip dhe maqedonisht.
Risi në këtë proces nuk është vetëm mundësia që kandidatët ta japin provimin në gjuhën shqipe, por edhe trajtimi i plotë i të gjitha procedurave administrative në të dyja gjuhët. Kështu, shpallja publike për provimin, kërkesa për aplikim, si dhe certifikatat e lëshuara, janë përgatitur dhe ofruar në gjuhën shqipe dhe maqedonase.
Po ashtu, kandidatëve shqiptarë u është mundësuar që në gjuhën shqipe të zhvillojnë të dyja pjesët e provimit, atë teorike dhe praktike, duke garantuar mundësi të barabarta gjatë gjithë procesit të certifikimit profesional.
Provimi është mbajtur në Agjencinë për Administratë, ku nga gjithsej 65 kandidatë pjesëmarrës, 27 kanë qenë shqiptarë.
Me këtë organizim, Enti Shtetëror për Revizion krijon mundësi që edhe kandidatët shqiptarë të avancojnë profesionalisht dhe të certifikohen në fushën e revizionit shtetëror duke ushtruar të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre në të gjithë procesin. përcjell Zhurnal.mk .
Lajme nga vendi
TETOVA KËNDOI SHQIP – ANSAMBLI SHQIPTAR SOLLI FESTËN E TRADITËS!
Tetova vazhdon të festojë Nëntorin me këngë, valle dhe motive të traditës kombëtare shqiptare. Pallati i Kulturës u mbush me artdashës, në një mbrëmje të veçantë kushtuar muzikës dhe folklorit shqiptar, ku Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV solli një program të pasur artistik, duke e kthyer skenën në një festë të vërtetë të kulturës dhe identitetit kombëtar.
Tetova vazhdon të frymojë me aktivitete që përkojnë me festat e nëntorit.
Tashmë Pallati i Kulturës në Tetovë është shndërruar në epiqendër të kulturës shqiptare, ku për çdo natë organizohen evente festohet së bashku përmes muzikës, këngës dhe traditës sonë kombëtare!
Në kuadër të aktiviteteve festive të nëntorit, “Nëntori në Tetovë”, mbrëmja e së mërkurës ishte një natë e veçantë me këngë dhe valle tradicionale shqiptare, nën interpretimin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV.
Ministra, deputetë, kryetarë Komunash, personalitete publike, dashamirë të artit muzikor dhe jo vetëm ishin të pranishëm në këtë koncert, ku Ansambli Shqiptar sërish dhuroi spektakël me një repertoar këngësh e vallesh me motive kombëtare.
Kjo nuk kaloi pa u vërejt edhe nga drejtuesit e Komunës së Tetovës.
BILALL KASAMI – Kryetar i Komunës së Tetovës
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV, ka një agjendë të ngjeshur në këtë nëntor të festave, por për ta, paraqitja në Tetovë gjithmonë paraqet një festë të veçantë. Mbase ishte edhe një ftesë për Koncertin e radhës në Shkup.
JETMIR REXHEPI – Drejtor i AKVPSH në RMV
Si gjithmonë kur organizohen evente të këtilla nuk mungoi mbështetja e publikut tetovar. Edhe mbrëmë Salla e Pallatit të Kulturës ishte e vogël për të pranuar të gjithë dashamirët e këngës dhe valles shqipe, duke dëshmuar edhe një herë se Tetova din të çmojë vlerat dhe t`i mbështesë ato me prezencë masive./Tv Koha/
Lajme nga vendi
FFM-ja NDAN RRUGËT ME GOCE SEDLOSKIN!
Goce Sedloski (52) nuk është më përzgjedhës i përfaqësueses së Maqedonisë në futboll. Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) njoftoi zyrtarisht se ka arritur marrëveshje me ish-kapitenin e përfaqësueses për ndërprerjen e kontratës me marrëveshje të dyanshme.
Goce Sedloski nuk është më përzgjedhës i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut!
Nga Federata bëjnë të ditur se ndarja është në interes të të dyja palëve, ndërsa në njoftimin e tyre pranojnë në mënyrë indirekte edhe rezultatet e dobëta të arritura gjatë periudhës së fundit.
“Ndonjëherë në futboll, pavarësisht përvojës, përkushtimit dhe qëllimeve të mira, gjërat thjesht nuk shkojnë ashtu siç dëshirojmë të gjithë”, thuhet në njoftimin e FFM-së.
Sedloski largohet nga posti i përzgjedhësit pas 11 muajsh. Në dhjetë ndeshje të zhvilluara, kombëtarja ka pësuar tetë humbje dhe ka regjistruar dy barazime, me një golaverazh katastrofal prej 1:23.
Veçanërisht zhgënjyese ishte paraqitja e Maqedonisë në Ligën e Kombeve, ku humbi të gjashtë ndeshjet në grupin me Zvicrën, Skocinë dhe Slloveninë.
Pas serisë së rezultateve të dobëta, FFM-ja tashmë duhet të zgjedhë përzgjedhësin e ri, i cili do ta marrë drejtimin e përfaqësueses para ndeshjeve të rëndësishme që e presin në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Në atë periudhë, Maqedonia do të përballet me Qipron në ndeshjet e balotazhit për mbijetesë në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Lajme nga vendi
KE: Integrimi para anëtarësimit forcon sigurinë energjetike të BE-së, Maqedonia e Veriut ndër vendet që shënon përparim
Integrimi gradual i vendeve kandidate në sektorët strategjikë të Bashkimit Evropian, veçanërisht në energjetikë, mund të forcojë qëndrueshmërinë ekonomike dhe gjeopolitike të Evropës, ndërsa integrimi energjetik tashmë po jep rezultate konkrete, vlerëson Sekretariati i Komunitetit të Energjisë (KE).
Në analizën “Integrimi para zgjerimit forcon sigurinë energjetike të BE-së”, Sekretariati thekson se përfshirja graduale e vendeve kandidate në sektorët e energjetikës, transportit, digjitalizimit dhe fushat e tjera strategjike, para anëtarësimit formal në Union, do të kontribuojë në rritjen e stabilitetit në kushtet e pasigurisë globale.
Komuniteti i Energjisë përshëndet kornizën që Komisioni Evropian prezantoi në paketën vjetore për zgjerim në fillim të nëntorit, duke vlerësuar se energjetika mund të shërbejë si model për integrimin edhe në sektorë të tjerë.
Krizat e mëparshme energjetike na kanë mësuar se siguria energjetike nuk përfundon në kufijtë e BE-së, thekson Sekretariati, i cili po punon me Komisionin Evropian për integrimin gradual të vendeve fqinje në tregjet e energjisë elektrike, burimeve të ripërtëritshme dhe gazit.
Sipas vlerësimeve të Agjencisë së BE-së për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë (ACER), integrimi i tregjeve të energjisë elektrike të BE-së dhe Komunitetit të Energjisë mund të sjellë përfitime vjetore prej rreth 763 milionë eurosh.
Procesi zhvillohet në tre faza – harmonizimi i legjislacionit të palëve kontraktuese me rregullat e BE-së, verifikimi i përputhshmërisë nga ana e Sekretariatit dhe Komisioni Evropian, ndërsa më pas një fazë 18-mujore për gatishmërinë kontraktuale dhe operative për bashkimin e tregjeve.
Nga nëntë palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, Serbia, Moldavia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ndodhen në faza të ndryshme të verifikimit të përputhshmërisë. Sipas Sekretariatit, viti 2027 është një afat i mundshëm që këto vende të marrin dritën jeshile për integrimin e plotë në tregun e përbashkët të BE-së.
Integrimi i plotë do të mundësojë prodhim më të madh të energjisë në Evropë dhe do të zvogëlojë varësinë nga goditjet e jashtme që mund të rrezikojnë qasjen në burime të sigurta dhe të përballueshme të energjisë.
Në analizë theksohet se tregjet e integruara me BE-në janë më të pozicionuara për ta shfrytëzuar këtë potencial, duke mundësuar çmime më konkurruese për konsumatorët dhe siguri më të madhe rregullatore për investitorët.
Sekretariati dhe Komisioni Evropian kanë përgatitur një kornizë për njohjen reciproke të garancive të origjinës, e cila pritet të miratohet nga Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë më 30 nëntor. Pas përmbushjes së kushteve të nevojshme, prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme nga vendet kandidate do të mund të kenë qasje në tregjet dhe financimet e BE-së në kushte të barabarta.

