Lajme nga vendi
Universiteti i Tetovës vlerësohet me mirënjohje për kontributin e dhënë në studimin ndërkombëtar HBSC
Me rastin e 20-vjetorit të studimit ndërkombëtar “Sjelljet e lidhura me shëndetin te fëmijët e moshës shkollore në Maqedoninë e Veriut”, Qendra psikosociale dhe e aksionit të krizës – Shkup dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e RMV-së, Universitetit të Tetovës i ndau mirënjohje për kontribut të vazhdueshëm në qëndrueshmërinë e realizimit të këtij studimi longitudinal, i cili mundëson të fitohet pasqyrë holistike mbi shëndetin dhe sjelljen e të rinjve në RMV, por edhe në raport me të rinjtë e 51 vendeve të tjera.
Ky aktivitet u organizua nën mbështetjen e Zonjës së parë të vendit tonë, Elizabeta Gjorgievska, ku Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu e pranoi mirënjohjen për Universitetin e Tetovës.
Mirënjohje iu nda edhe stafit të UT-së, nga Programi studimor i Psikologjisë, Doc. Dr. Sheruze Osmani Ballazhi, Doc. Dr. Luljeta Bexheti dhe Prof. Dr. Ibrahim Neziri, si pjesë e ekipit nacional të Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë kontribuar që vendi ynë të vazhdojë të jetë anëtar i barabartë me 51 shtete të tjera nga Evropa, Amerika Veriore, Kanadaja dhe Australia, në gjurmimin e sjelljeve dhe shëndetit të rinjve të moshës shkollore 11, 13 dhe 15 vjeçare.
Gjatë vitit 2022, Universiteti i Tetovës siguroi që studimi për herë të parë të realizohet në formë elektronike, duke ofruar një sistem të një niveli të lartë dhe të përshtatshëm për mbledhjen e të dhënave.
Të dhënat e studimit mundësojnë krijimin e politikave, me qëllim të përmirësimit dhe avancimit të mirëqenies së të rinjve.
Lajme nga vendi
Digjitalizohen procedurat për lejet e armëve
Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut ka paralajmëruar zgjerimin e shërbimeve elektronike me qëllim që procedurat për lëshimin dhe vazhdimin e lejeve për armë të jenë më të shpejta dhe më efikase. Edhe pse me ndryshimet e reja ligjore afati i vlefshmërisë së lejeve do të shkurtohet nga 10 në 5 vjet, nga MPB-ja sigurojnë se digjitalizimi do ta lehtësojë ndjeshëm procesin për qytetarët.
Në periudhën e ardhshme parashihet vendosja e mundësisë për paraqitjen elektronike të kërkesave për leje armësh, si për personat fizikë ashtu edhe për personat juridikë. Gjithashtu, në formë elektronike do të jetë e qasshme edhe vërtetimi për armët e kategorisë D.
Ndihmësministri Jovan Altanxhiev njoftoi se gjatë një viti e gjysmë janë zgjidhur rreth 15.000 lëndë, që paraqet një rritje shumëfish më të madhe krahasuar me mesataren e viteve të kaluara. Sipas tij, ky rezultat është arritur falë digjitalizimit të pjesshëm dhe lidhjes së evidencave të MPB-së me institucionet gjyqësore.
Lajme nga vendi
Tensione në kufi! Paralajmërohen bllokada në pikat kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë
Të dielën pritet të ketë bllokime të përkohshme në disa pika kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, pasi organizata bullgare “Maqedonia” ka paralajmëruar një aksion protestues që do të zgjasë rreth dy orë, raportojnë mediat bullgare.
Sipas njoftimeve, protestat do të zhvillohen në pikat kufitare Deve Bair, Dellçevë dhe Novo Sellë. Organizatorët pretendojnë se për mbajtjen e tyre kanë siguruar lejen e nevojshme nga Ministria e Punëve të Brendshme e Bullgarisë.
Ky paralajmërim vjen vetëm një ditë pas incidentit të ndodhur pranë Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, ku u dogjën dy automjete me targa diplomatike. I dyshuari për rastin u identifikua dhe u arrestua menjëherë, ndërsa ngjarja u dënua si nga autoritetet maqedonase ashtu edhe nga ato bullgare.
Lajme nga vendi
RIFORMATIMI QEVERITAR: TAKIMET NISIN TË PREMTEN DHE TË SHTUNËN!
Kryeministri Hristijan Mickoski informoi se të premten dhe të shtunën pritet të mbahen takime me partnerët e koalicionit nga VLEN dhe ZNAM, ku do të diskutohet për rikonstruimin e paralajmëruar të Qeverisë.
Siç deklaroi sot Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pas vizitës në Spitalin e Përgjithshëm të rikonstruktuar në Komunën e Strumicës, bashkëpunimi mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it vazhdon si deri më tani.
HRISTIJAN MICKOSKI – Kryeministër
“Për të premten dhe të shtunën janë caktuar takimet me partnerët e koalicionit nga VLEN dhe ZNAM. Tani nuk jemi para zgjedhjeve, por në gjysmën e dytë të mandatit. Kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht korrekt dhe miqësor me VLEN-in dhe pres që të vazhdojmë në të njëjtën frymë. Pas realizimit të bashkëpunimit tonë pas zgjedhjeve të vitit 2024, pasuan zgjedhjet lokale ku ata fituan bindshëm në 10 komuna, prandaj nuk shoh asnjë pengesë që ky bashkëpunim të mos vazhdojë”, theksoi Mickoski
Mickoski kishte deklaruar më herët se me rikonstruimin do të merret pas përvjetorit të partisë. Kjo nënkupton se takimet me partnerët qeveritarë VLEN dhe ZNAM mund të nisin që ditën e ardhshme, me qëllim rikonfigurimin e kabinetit qeveritar.
Kryeministri ka theksuar se fokusi gjatë rikonstruimit do të jetë më shumë te cilësia dhe përmbajtja sesa te numri i ndryshimeve.
Në këtë drejtim do të zhvillohen bisedime me bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, si dhe me liderin e ZNAM-it, Maksim Dimitrievski.
Mickoski ka përsëritur disa herë se, përveç zëvendësimit të disa ministrave, janë të mundshme edhe rokada të resorëve ndërmjet partnerëve të koalicionit, nëse në tavolinë paraqiten propozime më cilësore kadrovike se ato aktuale.
Paralelisht me rikonstruimin e Qeverisë, në opinion po qarkullojnë edhe spekulime për zgjedhje të parakohshme parlamentare në pranverën e vitit 2027, megjithëse kryeministri ka theksuar vazhdimisht se është për zgjedhje të rregullta në vitin 2028, përveç rasteve kur, siç ka thënë ai, “opozita e provokon një gjë të tillë”./Tv Koha/

