Lajme nga vendi
Projektet për gjelbërim mbeten në letër, ndërsa Shkupi lufton për ajër të pastër
Reduktimi i ishujve të nxehtësisë, sigurimi i ajrit më të pastër dhe kushteve më të mira të jetesës në një mjedis urban mund të arrihet duke rritur gjelbërimin dhe duke reduktuar sipërfaqet e asfaltuara. Qytetet e Maqedonisë, e veçanërisht Shkupi, përballen me temperatura ekstreme, kryesisht në periudhën e verës, të cilat janë rezultat i shkatërrimit prej dekadash të gjelbërimit dhe betinizimit të qytetit. Tërbimi urban na lë me kushte të rënda jetese të trazuara, më së shumti për shkak të mosrespektimit të standardeve për sipërfaqet minimale të gjelbra të nevojshme për çdo banor. Qytetarët e Shkupit, Tetovës, Velesit, Kërçovës dhe mjediseve të tjera të ndotura prej vitesh apelojnë se duan më shumë drunj në hapësirat e tyre më të afërta dhe kushte më humane për jetë. Megjithatë, realiteti mbetet krejt ndryshe, shkruan Meta.mk. Profesori i Fakultetit të Pylltarisë, Jane Acevski, thotë se problemet tona janë të vështira për t’u zgjidhur sepse projektet tona mbeten në letër në pritje të realizimit dhe një numër i madh i tyre nuk realizohen kurrë. Ai thotë se ka marrë pjesë në dhjetëra projekte të gjelbërimit të Vodnos, Gazi Babës, korridoreve të gjelbërta të lumit Serava dhe Lepencit, për Kopshtin botanik e të tjera, por pothuajse asgjë nuk është bërë.
“Donim që Vodno të zbriste në Shkup, por bëmë krejt të kundërtën”, thotë Acevski dhe shton se tani është vonë për disa zgjidhje, të cilat para dhjetë viteve ishin shumë realiste.
“E gjelbërta nuk mund të jetë ilaç për të gjitha sëmundjet. Bimët përdorin CO2, por qytetet tona janë gjithashtu plot me toksina të tjera dhe pluhur. Duhet të kuptojmë se mbjellja e drunjve është vetëm një nga zgjidhjet dhe nuk do të zgjidhë ndotjen e ajrit. Në të njëjtën kohë do të duhet të identifikojmë ndotësit dhe të punojmë në neutralizimin e tyre”, thotë Acevski.
Ai konsideron se ka ende kohë për projektet për korridoret e gjelbërta të Seravës dhe Lepenecit dhe ato duhet të realizohen. Për ta në vitin 2017 u bë një studim, i cili vërtetoi se ka kushte për t’i ndërtuar dhe në vitin 2020 u përgatitën edhe projektet bazë, por gjërat u ndalën me kaq.
“Ideja ka qenë që në qytet përgjatë rrjedhës së lumenjve të hyjnë masa ajrore me lagështi më të madhe nga njëra anë dhe nga ana tjetër të pasurohet biodiversiteti, të kthehen zogjtë në qytet”, thotë Acevski.
Nga Qyteti i Shkupit nuk ka sqarim se çfarë po ndodh me dy projektet për korridoret e gjelbra, të bëra në kohën e pushtetit të kaluar të Petre Shilegovit. Ndonëse pas prezantimit të projekteve bazë, ai bëri të ditur se realizimi në terren do të fillojë shumë shpejt, megjithatë edhe tre vite më vonë ka shumë më tepër mbeturina se gjelbërim përgjatë këtyre lumenjve.
Studimi për korridoret e gjelbra të Lepencit dhe Seravës rrjedh nga udhëzimet e Planit të Përgjithshëm Urbanistik të Shkupit, i cili vendos një sistem të hapësirave të gjelbra, publike të hapura në qytet dhe i referohet strategjive dhe planeve më të vjetra zhvillimore për qytetin e Shkupit që nga vitet e 60-ta. Deri më tani, në Shkup janë krijuar hapësira të gjelbra, parqe, terrene sportive, rreshta drunjsh vetëm përgjatë rrjedhave të lumenjve Vardar dhe Treska, megjithëse korridoret përgjatë luginave të lumenjve janë veçanërisht të rëndësishëm duke marrë parasysh karakterin luginor të Shkupit për përmirësimin e kushteve klimatike dhe të përgjithshme në qytet.
Siç thuhet në Studim, Serava luan një rol në bartjen e masave të ajrit të pastër nga Mali i zi i Shkupit, ku buron, deri në Shkup. Nga ana tjetër, roli i Lepenecit është lënë pas dore për një kohë të gjatë si një hapësirë potenciale për t’u lidhur me rrjetin e gjelbër të qytetit. Në lumin, i cili kalon nëpër tri komunat e Shkupit, Gjorçe Petrov, Karposh dhe Butel, momentalisht rrjedhin ujërat e zeza nga amvisëritë dhe objektet prodhuese, ndërsa në pjesë të caktuara hidhen mbeturina, rrënoja komunale dhe ndërtimore, të cilat zhvlerësojnë ndjeshëm vlerat e lumit dhe të bregut.
Nga qyteti i Shkupit nuk janë përgjigjur në pyetjet e Meta.mk nëse është planifikuar ndonjë aktivitet për realizimin e këtyre projekteve dhe nëse janë ndarë mjete për to në buxhet.
As këshilltarët e Qytetit të gjelbër human në Këshillin e Shkupit nuk e dinë se çfarë po ndodh me projektet për gjelbërimin e shtretërve të lumenjve Lepenec dhe Serava dhe thonë se ato nuk janë as pjesë e Programit të mjedisit jetësor 2023. Ata theksojnë se i mbështesin këto projekte dhe realizimin e tyre, por mendojnë se paraprakisht duhet të rafinohen.
“Një plan i plotë i zonës është i nevojshëm dhe ekipi që do të punojë duhet të jetë multidisiplinar. Që korridoret e gjelbra të realizohen profesionalisht duhet t’i kushtohet vëmendje si karakteristikave biologjike dhe morfologjike të peizazhit, ashtu edhe specieve bimore që do të përzgjidhen për të krijuar korridoret e gjelbërta”, thonë nga QGjH.
Ambientalistët thonë se është shumë e rëndësishme që të mos shkatërrohet gjelbërimi ekzistues, pra të investohet në kapacitetet e “Parqeve dhe gjelbërimit” për të kryer aktivitetin e tyre kryesor.
“Nuk ka gjë të tillë si “një dru i vjetër të zëvendësohet me një të ri”. Sa më i vjetër të jetë një dru, aq më të mëdha janë shërbimet e ekosistemit që ofron, ai ka një fuqi më të madhe për të pastruar ajrin, ofron më shumë hije dhe me vëllimin e saj fizik më të madh, kontribuon më shumë në ruajtjen e biodiversitetit. Prandaj, çdo pemë e shëndoshë e pjekur në Shkup duhet të mbrohet nga shkatërrimi dhe të ushqehet gjelbërimi që është në gjendje të keqe”, thotë Qyteti i gjelbër human.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

