Lajme nga vendi
Osmani: Të mos kërkojmë alibi por të riorganizohemi për dhënien e pasaportave
Për momentin porosia nga Greqia është se ata nuk kanë mundësi të pranojnë çfarëdo shkelje të marrëveshjes së nënshkruar ndërkombëtarisht. Duhet të përqendrohemi në riorganizimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për përshpejtimin e procesit të dhënies së pasaportave, tha sonte ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani i cili njëherësh është edhe kandidat i BDI-së për president të shtetit.
Gjatë pjesëmarrjes në Televizionin Sitel i pyetur nëse BDI-ja do ta mbështesë propozimin e PLD-së për ndryshime ligjore që do të mundësonte njohjen e pasaportave ku ka vulë me pronësinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Osmani tha se marrëveshjet ndërkombëtare që janë pjesë e brendshme e rendit juridik nuk mund të ndryshohen me ligj.
“MPB nuk duhet të merret me çështje që nuk janë në kompetenca të saja. Ne duhet të jemi në koordinim edhe me palën e dytë, gjatë marrjes së ndonjë vendimi. Neni 118 i Kushtetutës thotë se nuk mundet që marrëveshjet ndërkombëtare që janë pjesë e rendit të brendshëm juridik të ndryshohen me ligj”, ka thënë Osmani.
Sa i përket informacioneve të ndryshme në opinion lidhur me mundësinë e udhëtimit me dokumente me emrin e vjetër kushtetues, Osmani ka përsëritur se është marrë notë se mund të udhëtohet vetëm nga Zvicra.
“Prandaj unë kam dalë menjëherë përmes ambasadës sonë për t’i informuar qytetarët se Zvicra nuk kërkon një gjë të tillë. Vendet në praktikë këtë e bëjnë, por nuk kanë marrë një vendim. Pra, kanë dhënë një udhëzim të brendshëm sepse nuk kërkojnë as fletudhëtime për qytetarët, por nuk kanë sjell vendim. Dhe unë nuk mund të dal dhe t’u them qytetarëve kur udhëtoni me makinë nëpër Gjermani, Hungari, Serbi, mos merrni fletudhëtim, se nuk kam një dokument të tillë. Kam pasur paralajmërim nga Mali i Zi, ja po them që nuk do t’i pranojë, kështu që tani po punojmë me Malin e Zi për të parë pse ka një qëndrim të tillë. Konsideroj se nuk duhet të kërkojmë alibi për momentin. Duhet të ulemi dhe të riorganizohemi që të mund të japim pasaporta. Ko është porosia për MPB-në në vend që të defokusojë”, ka thënë Osmani.
I pyetur se cilat janë më shumë gjasat, që BDI-ja ta mbështesë Pendarovskin në rrethin e dytë zgjedhor ose të shkojë në bojkot, Osmani me përgjigje se pret – të kundërtën, pra që ai të hyjë në rrethin e dytë zgjedhor.
“Duhet të garantojmë se do të vazhdojmë në rrugën drejt BE-së. Vetëm kjo do të garantojë harmoni të brendshme, prosperitet ekonomik dhe social, mbajtjen e të rinjve, kthimin e atyre që u larguan. Nuk ka alternativë tjetër. Rreziku më i madh nga kërcënimet hibride ruse do të jetë nëse në zgjedhjet e ardhshme bileta evropiane nuk do të jetë biletë fituese”, ka thënë Osmani.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

