Lajme nga vendi
Etleva Tafa, fituese e çmimit kryesor në “Takimet Poetike të Karadakut – 2024”
																								
												
												
											Të shtunën më 9 mars, me pjesëmarrjen e shumë krijuesve dhe dashamirëve të poezisë në Kumanovë u mbajt edicioni i 32-të me radhë i manifestimit “Takimet Poetike të Karadakut”, nën organizimin e Klubit të Shkrimtarëve ‘’Jehona e Karadakut”.
Takimet i hapi kryetari Fatos Rushiti, i cili vuri theksin tek krijimi i një lidhjeje të të gjitha klubeve të shkrimtarëve dhe artistëve nga të gjitha trojet shqiptare. “Shqipëria, Kosova, por dhe Maqedonia e Veriut, deri më tani nuk kanë bërë aq sa duhet për të nxitur dhe ndihmuar modalitete të ndryshme të bashkëpunimit kulturor ndër shqiptarët” theksoi Rushiti.
Këtë vit me çmimi kryesor “Fadil Bekteshi” shkoi te poetja nga Tirana – Etleva Tafa, me poezinë “Atje në Dalmaci”, me çmimin ‘’Doruntina’’ u nderua poeti nga Durrësi – Agron Çalliku, me poezinë “Një dramë brenda vetes”, ndërkaq me çmimin “Jehona Poetike” u shpërblye poeti nga Vitia – Fadil Abazi, me poezinë “Nuk fiket kujtimi për ty”.
Me mirënjohje të veçantë për afirmimin e poezisë shqipe brenda dhe jashtë vendit u laureua poeti i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare – Dhimitër Pojanaku nga Pogradeci.
Poetet që lexuan në Orën e Madhe Letrare ishin: Dhimitër Pojanaku, Kalosh Çeliku, Nehas Sopaj, Etleva Tafa,, Istref Haxhillari, Enkelejda Mitrollari, Agron Çalliku, Fadil Abazi, Selajdin Shabani, Daim Iljazi, Rami Kamberi, Burhanedin Xhemaili, Bajramali Selimi, Bujar Balliu, Arben Ibrahimi, Ali Qerimi, Arbër Salihu, Adriatik Zeqiri, Mejreme Kajolli Tusha, Ismail Ganiu, Shefki Selami, Emrah Bilalli, Ufra Alimi, Avni Shaqiri, Etem Xheladini, Ismet Miftari, Era Qerimi.
Juria letrare ishte në këtë përbërje dr. Sherif Selimi – studiues i letërsisë, mr. Arsim Halili poet dhe studiues, dhe Bilall Maliqi – poet i njohur nga Presheva.
Kryesia e Klubit, me plaket mirënjohjeje e nderoi doajenin e gazetarisë kumanovare – Nexhat Aqifi, për kontribut të veçantë në informimin dhe afirmimin e Klubit të Shkrimtarëve ‘’Jehona e Karadakut”. Aqifi për 32 vite me radhë ka informuar për të gjitha aktivitetet e klubit, përmes televizionit lokal “Festa” dhe Televizionit Shtetëror – Programi në gjuhën shqipe. Ndërkaq, mirënjohje të veçantë mori veterani i arsimit dhe afaristi i njohur kumanovar – Feriz Dervishi, për mbështetjen e manifestimeve kulturore në Kumanovë. Poashtu, me mirënjohje u nderua edhe Abil Ademi – pronar i “Foto Drita’’ nga Kumanova.
Kryeredaktori i revistës “Doruntina” – Sevdail Demiri, prezantoi edicionin e fundit të revistës nr. 53/54, si dhe botimet e fundit të autorëve që botuan me siglën e klubit gjatë vitit paraprak – Ligor Shyti, Fatos Rushiti, Selajdin Shabani dhe Avdulla Ameti.
Poezia në Kumanovë u shoqërua nga dy këngë shumë të bukura të kantautorit të njohur kumanovar Sunaj Raimi, njëherit poet dhe nënkryetar i këtij klubi.
Manifestimi ‘’Takimet Poetike të Karadakut – 2024’’ pjesërisht gjeti mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Komunës së Kumanovës dhe Likovës, si dhe firmës ‘Top Drajver’’. Në emër të Komunës së Kumanovës, manifestimin e nderuar këshilltarët komunal – Driton Sulejmani dhe Huzeir Mustafa.
Lajme nga vendi
Rezultatet e dobëta në zgjedhjet lokale shkaktuan turbulencë në LSDM-në opozitare
														Pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale në të cilat LSDM-ja fitoi vetëm gjashtë komuna, kjo shkaktoi turbulenca në parti ku kishte edhe dorëheqje. Pas dorëheqjes së nënkryetares Ana Çupevska, sot edhe kandidati për kryetar të Gjorçe Petrovit nga LSDM-ja dhe kryetar i organizatës komunale të partisë, Kostadin Acevski, paraqiti dorëheqje të parevokueshme.
“Edhe pse kam bërë të gjitha përpjekjet e mia, pa llogaritje, rezultati është prapë i keq. Po paraqes dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të organizatës komunale. Besoj se është e drejtë dhe e nevojshme që lideri Filipçe dhe e gjithë udhëheqja e LSDM-së të japin dorëheqje. Jo vetëm për shkak të rezultateve të dobëta, por edhe për shkak të mënyrës se si LSDM ka vepruar në periudhën e kaluar”, tha Kostadin Acevski – kandidati për kryetar komune në Gjorçe Petrov nga LSDM dhe kryetar i organizatës komunale të partisë.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, dje njoftoi analizë të plotë dhe ndryshime në udhëheqje. Në ditët në vijim do të mblidhen organet e partisë, ku do të miratohen vendimet e reja kadrovike.
“Këto zgjedhje janë tregues i qartë për LSDM-në, sigurisht tregues i qartë për mua si kryetar i partisë, është e qartë se çfarë ndryshime duhet bërë, si në aspektin politik ashtu edhe në atë personal. Siç e kam njoftuar tashmë, ndryshimet do të pasojnë në ditët në vijim. Do të mbahen seanca të Këshilli Ekzekutiv dhe atij Qendror, në të cilat do t’i shpall ato ndryshime”, shtoi Venko Filipçe– kryetar i LSDM-së.
Kryetari i LSDM-së tha se nuk jep dorëheqje dhe se partia mbetet në proces konsolidimi pas humbjeve zgjedhore. Ai theksoi se rezultatet janë sinjal për mësime dhe ndryshime kurse lufta kundër qeverisë aktuale vazhdon. Filipçe theksoi se sipas rezultateve zgjedhore të listave të këshilltarëve dhe numrit të votave, LSDM ishte partia e dytë në vend dhe e para në bllokun opozitar./Alsat.mk
Lajme nga vendi
Sot shqyrtohen rastet për zgjedhjet lokale
														Anëtarët e KSHPK-së do të veprojnë mbi rastet zgjedhore, si dhe raste të tjera, dhe do të shqyrtojnë Raportin nga shqyrtimi antikorrupsion i dispozitave të Kodit Zgjedhor.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) do të mbajë sot seancën e 24-të.
Në rendin e ditës të seancës, siç është njoftuar nga KSHPK, janë miratimi i vlerësimit të rrezikut të korrupsionit për nevojat e zhvillimit të strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit 2026–2030 dhe metodologjia për zhvillimin e strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit 2026–2030.
Anëtarët e KSHPK-së do të veprojnë mbi rastet zgjedhore, si dhe mbi raste të tjera dhe do të shqyrtojnë Raportin mbi rishikimin antikorrupsion të dispozitave të Kodit Zgjedhor, Kapitulli VI, si dhe Fushatën Zgjedhore me nëntitullin “Përfaqësimi Mediatik” nga Neni 75 deri në Nenin 76-e.
Lajme nga vendi
Tre deputetë bëhen kryetarë komunash, Kuvendi duhet të konstatojë ndërprerjen e mandateve
														Në Kuvend janë paraqitur njoftime për ndërprerjen e mandateve të Jane Micevskit, Beti Stamenkovska Trajkovskës dhe Dejan Prodanovskit nga funksioni i deputetit. Këto njoftime vijnë pas zgjedhjes së tre deputetëve të VMRO-DPMNE-së si kryetarë komunash: Micevski në Komunën Sopishtë, Stamenkovska Trajkovska në Kisella Vodë dhe Prodanovski në Prilep, në kuadër të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 19 tetor dhe 2 nëntor.
Në seancën e sotme të Kuvendit – të parën pas raundit të dytë të djeshëm të zgjedhjeve lokale – pritet të konfirmohet ndërprerja e mandateve të tyre si deputetë.
Në këtë seancë, para deputetëve pritet të flasë edhe kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Teodoros Rusopulos.
Në vend të Stamenkovska Trajkovskës dhe Micevskit, në Kuvend pritet të hyjnë kandidatët vijues nga lista e Njësisë Zgjedhore 1, ndërsa në vend të Prodanovskit – kandidati vijues nga Njësia Zgjedhore 4.
- 
																	
										
																			Lajme nga vendi5 days agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
 - 
																	
										
																			Lajme nga rajoni1 month agoTirana mirëpret në tetor Forumin e parë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor
 - 
																	
										
																			Lajme nga vendi2 months agoAksident fatal në Dobërdoll, 65-vjeçari humb jetën pasi u godit nga vetura
 

