Lajme nga vendi
Blerja e helikopterëve për ARM-në në shënjestër të Antikorrupsionit
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ka hapur lëndë për dy tenderë dhe 13 raste të tjera lidhur me zgjedhjet. Disa janë pas zërave të ngritur, të tjerat me denoncim. Ligjet rregullojnë atë që (nuk) mund të bëhet që nga shpallja e zgjedhjeve deri në përfundimin e tyre, por rregullat anashkalohen me mjeshtëri, shkruan REL.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) hap lëndë për blerjen e tetë helikopterëve për Armatë me vlerë 230 milionë euro dhe për blerjen e 22 autoambulancave përmes tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë, konfirmoi Tatjana Dimitrovska, kryetare e komisioni, për Radion Evropa e Lirë.
“Ne po hapim rastet me iniciativën tonë, pasi kemi dëgjuar nga mediat, për rastet aktuale para zgjedhjeve. Dy rastet për blerjen e helikopterëve dhe autoambulancave, me 13 raste të tjera, do të thotë se kemi 15 raste që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor”, tha Dimitrovska.
Këto raste kanë të bëjnë me ndalesat se çfarë mund dhe nuk mund të bëjnë zyrtarët dhe institucionet pas 14 shkurtit, ditën kur kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, i shpalli zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të planifikuara për 24 prill dhe 8 maj.
Ndalimet janë të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe rregullojnë kushtet për investime të reja, pagesa të jashtëzakonshme, punësime.
Reagime publike ka shkaktuar edhe tenderi i Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, me të cilin Qeveria planifikon të shpenzojë 1.6 milionë euro për marrjen me qira të 45 veturave të reja. Ofertat duhet të hapen më 27 mars, prandaj ky tender nuk është aktualisht në “radarin” e Komisionit Kundër Korrupsionit.
Qeveria njoftoi pas seancës së 12 marsit se Ministria e Mbrojtjes do të blejë helikopterë transportues shumëfunksionalë, me marrëveshje qeveri me qeveri, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Italisë.
Ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, në një konferencë për media javën e kaluar (14 mars) informoi për këtë blerje. Më pas ajo tha se procedura për përzgjedhjen e kompanisë ka nisur pas një shpalljeje të publikuar në vitin 2019.
Helikopterët janë të prodhuesit italian “Leonardo Helicopters”. Kontrata me kompaninë duhet të nënshkruhet deri në fund të marsit. Të gjitha dërgesat duhet të përfundojnë deri në vitin 2028.
Katër oferta mbërritën në konkursin e përzgjedhjes së kompanisë. Krahas “Leonardo Helicopters” ka pasur edhe oferta nga një konsorcium gjermano-francez, një kompani nga SHBA-ja dhe Kanadaja.
VMRO-DPMNE opozitare kërkoi nga qeveria që të ndalojë këtë prokurim, duke thënë se “është jashtë çdo operacioni normal që LSDM dhe BDI të zgjedhin tenderin prej 230 milionë eurosh disa javë para zgjedhjeve, në periudhën e qeverisjes teknike”.
Blerja e pajisjeve për ARM-në është diçka që LSDM-ja dhe BDI-ja kanë pasur 7 vite për ta bërë, e jo dy muaj para zgjedhjeve të shpenzojnë 250 milionë euro”, njofton partia.
Petrovska tha se prokurimi është në përputhje me rregulloret ligjore dhe janë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm.
“Procedura absolutisht nuk do të tërhiqet, nuk është shkelur ligji, do të kryhet deri në fund sepse jemi duke blerë pajisje që i nevojiten ushtrisë maqedonase dhe që janë pjesë e planit të modernizimit”, tha Petrovska nga Tetova.
Ndër 13 lëndët e Komisionit Kundër Korrupsionit, lidhur me zgjedhjet, ka edhe raste të punësimit të paligjshëm, pagesave të jashtëzakonshme të shtesave të pagave, fushatës së nisur para kohe, punësimit të personave me kontratë pune.
Këtë e kanë bërë institucionet shtetërore dhe publike, ndërmarrjet publike, komunat, tha për Radion Evropa e Lirë kryetarja e KShPK, por nuk dha detaje rreth rasteve.
Lajme nga vendi
SHOQATA BJESHKATARE “BUKURITË E SHARIT” MBAJTI KUVENDIN VJETOR
Shoqata Bjeshkatare “Bukuritë e Sharrit” nga Bogovina që numëron diku 120 anëtarë mbrëmë mbajti Kuvendin vjetor që kishte karakter llogaridhënëse.
Mbrëmë Shoqata bjeshkatare “Bukuritë e Sharrit” me seli në Bogovinë mbajti Kuvendin e rregullt vjetor që kishte karakter llogaridhënëse . Të pranishëm krahas kryesisë së Shoqatës të pranishëm ishin të gjithë anëtarët si dhe kryetari i Unionit të Shoqatave bjeshkatare në Maqedoni Fari Rexhepi. Qëllimi i Kuvendi ishte raporti të punës së Shoqatës për vitin 2025, raporti financiar ,plan programi i punës për vitin 2026 si dhe ndarja e mirënjohjeve për ata të cilët kanë përkrahë dhe kanë dhënë kontribut në afirmimin e kësaj shoqate . Kryetari i Shoqatës Bjeshkatare “Bukuritë e Sharrit” nga Bogovina , Nazmi Zeqiri për Kuvendin vjetor për TV Koha deklaroi
“Ne çdo fundvit mbajmë Kuvendin që të shpalosim programin tonë për punën e vitit të kaluar, raportin financiar dhe plan programin e punës për vitin 2026, ndërsa do të ndahen mirënjohje për aktivistët më të dalluar për vitin e kaluar” tha kryetari Nazmi Zeqiri
Për aktivitet që parashihen të realizohen në vitin 2026 kryetari Zeqir tha se në krahasim me vitin që e lëmë pas do jetë më i madh
“ Vjet kemi pasur diku 30 aktivitete, kurse vitin tjetër planifikojmë që të ritet numri i aktiviteteve. Kemi qenë mysafirë në Kosovë, në Shqipëri hapim miqësinë, hapim shoqërinë. Dhe me një fjalë bëjmë promovimin e bukurive të vendeve tona” tha kryetari Nazmi Zeqiri
Kuvendin e shoqatës Bjeshkatare e “Bukurit e Sharrit” e përshëndeti kryetari i Unionit të Shoqatave Bjeshkatare në Maqedoninë e Veriut, Fari Rexhepi duke i dëshiruar suksese edhe më të mëdha në vitin e ardhshëm kur parashihen aktivitet të shumta. Kuvendi përkrahu edhe propozimet për ëra ta të cilët e kanë përkrahur Shoqatën në mënyra të ndryshme, nëmesin e të propozuarve për mirënjohje është edhe Televizioni Koha.
Lajme nga vendi
12 foshnje nga nëna nën 15 vjeç në një vit: Shtatzënitë e hershme në RMV, mbi mesataren e BE-së
Shtatzënia tek adoleshentet është ende një dukuri e pranishme në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në kushte të përdorimit të ulët të kontracepsionit modern dhe qasjes së kufizuar në shërbime shëndetësore të hershme dhe të besueshme. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se, gjatë vitit 2024 nëna nën moshën 15 vjeç kanë realizuar 12 lindje në Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq, sipas të dhënave të UNICEF-it, shkalla e lindjeve në moshën adoleshente u ul në 13.4 lindje për 1,000 gra të moshës 15-19 vjeçare në vitin 2023 nga 14 sa ishte në vitin 2022, gjegjësisht 16 në vitin 2018, mirëpo ende është shumë më e lartë se mesatarja e BE-së dhe pak më e lartë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor. Sipas këtyre të dhënave zonat urbane përbëjnë 58.1 për qind të këtyre lindjeve, shkruan Mollëkuqja.mk.
Udhëheqësja e Programit të Kujdesit Seksual dhe Riprodhues në organizatën HERA, Olivera Stojkovska tha se, shtatzënitë tek adoleshentët në Maqedoninë e Veriut mbetet një problem serioz, edhe pse vitet e fundit ka disa përmirësime. Ajo tha se, shumë prej këtyre shtatzënive ndodhin në heshtje, të shoqëruara me ndjenjë turpi dhe frikë nga paragjykimi, gjë që e bën më të vështirë marrjen e ndihmës në kohën e duhur.
“Shtatzënia e hershme është më së shpeshti rezultat i ndërthurjes së disa faktorëve, ndër të cilët dominon mungesa e programeve adekuate mësimore në shkolla, si edukimi gjithëpërfshirës seksual. Të rinjtë shpesh hyjnë në marrëdhënie seksuale pa njohuri të mjaftueshme për trupin e tyre, për metodat e mbrojtjes dhe për pasojat e seksit të pambrojtur, ndërsa informacionin e marrin nga burime joformale dhe shpesh të pasakta. Për më tepër, qasja e kufizuar në kontracepsion—qoftë për arsye financiare, qoftë për shkak të frikës nga stigmatizimi gjatë kërkimit të një shërbimi shëndetësor—rrit ndjeshëm rrezikun e shtatzënisë së paplanifikuar. Kushtet sociale dhe ekonomike, si varfëria, niveli i ulët i arsimit dhe braktisja e hershme e shkollës, gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm, veçanërisht te vajzat që jetojnë në mjedise ku rolet gjinore janë të përcaktuara rreptësishtë dhe amësia e hershme konsiderohet si një “rrugë normale” jetësore”, thotë Stojkovska.
Sipas saj, situata dallon mes mjediseve urbane dhe rurale, si dhe mes komuniteteve të ndryshme, duke theksuar se, në zonat urbane, të rinjtë kanë qasje më të mirë në informacione dhe shërbime për shëndetin seksual dhe riprodhues, gjë që ndihmon në parandalimin e shtatzënive të hershme. Ndërkaq, në mjediset rurale dhe vendbanimet më të vogla, shërbimet janë të kufizuara ose mungojnë, ndërsa temat e seksualitetit mbeten tabu, duke rritur rrezikun e shtatzënive të paplanifikuara.
“Për më tepër, ekzistojnë dallime të rëndësishme edhe mes komuniteteve të ndryshme. Në një pjesë të komunitetit rom, për shembull, martesat e mitura dhe shtatzënitë e hershme janë ende të pranishme dhe shpesh lidhen me varfërinë, përjashtimin social dhe braktisjen e hershme të arsimit. Në këto kushte, shtatzënia e hershme nuk është një rast i izoluar individual, por pjesë e një rrethi më të gjerë pabarazish strukturore dhe zgjedhjesh të kufizuara jetësore”, tha ajo.
E përpos mungesës së informimit të rinjtë shpesh herë përballen edhe me pengesa, siç është edhe stigma e lidhur me shëndetin seksual dhe riprodhues, e cila i dekurajon ata të kërkojnë informacion ose ndihmë në kohë. Frika nga gjykimi nga familja, punonjësit shëndetësorë ose komuniteti shpesh rezulton me prolongim ose shmangie të plotë të shërbimeve shëndetësore.
“Për më tepër, kostot e kontracepsionit dhe mungesa e shërbimeve falas dhe konfidenciale përbëjnë një pengesë reale, veçanërisht për të rinjtë nga familje me të ardhura të ulëta. Sipas përvojave nga terreni, një problem i rëndësishëm është edhe mungesa e informacionit të saktë dhe të kuptueshëm, pasi arsimi formal pothuajse nuk ofron njohuri sistematike dhe gjithëpërfshirëse për këto tema. Të gjitha këto pengesa së bashku krijojnë një mjedis në të cilin të rinjtë mbeten të vetëm për t’u përballur me pasojat e mungesës së mbështetjes”, deklaroi Stojkovska.
Sipas ekspertëve, shtatzënia e hershme ka pasoja të thella dhe afatgjata në arsimimin dhe mirëqenien e përgjithshme të vajzave të reja. Në shumë raste, shtatzënia çon në ndërprerje ose braktisje të plotë të procesit arsimor, duke ulur ndjeshëm mundësitë për arsimim të mëtejshëm dhe punësim. Kjo, nga ana tjetër, rrit gjasat për varësi ekonomike dhe varfëri gjatë gjithë jetës. Krahas pasojave arsimore, shtatzënia e hershme sjell edhe rreziqe të shtuara shëndetësore, si për nënën e re ashtu edhe për fëmijën, veçanërisht kur shtatzënia nuk ndiqet me kujdes shëndetësor të përshtatshëm. Barra psikologjike, ndjenja e izolimit dhe stigmatizimi social e dëmtojnë më tej mirëqenien emocionale të vajzave, duke lënë gjurmë që shpesh ndihen edhe shumë vite më vonë.
Lajme nga vendi
E enjtja ditë pushimi për të gjithë, këto janë ditët e jopunës në vitin 2026 në Maqedoninë e Veriut
Viti 2026 që vjen do të na sjellë më shumë fundjava të gjata sesa viti që do të lëmë pas. E enjte, 1 janar, do të jetë ditë pushimi për të gjithë qytetarët.
Në vitin 2026 ditë jopune janë:

