Lajme nga vendi
Akzuat ndaj Merkos, rezultat i presionit të opinionit dhe Uashingtonit
Akuzat e shumta të Prokurorisë Publike ndaj kryetarit aktual të Strugës, Ramiz Merko, janë rezultat i presionit të opinionit, por edhe Uashingtonit zyrtar. Këto janë vlerësimet e ekspertëve të Koalicionit për Gjykim të Drejtë. Kjo reagim vjen pasi një ditë më parë Prokuroria e Strugës ka ngritur aktakuzë ndaj Merkos për emërimin e një drejtoreshe të shkollës. Darko Avramovski nga Koalicioni thekson se shpesh deri më tani ky efikasitet i institucioneve zgjat shkurt.
“Vetëm kur ka presion nga komuniteti ndërkombëtar, mund të vërejmë se ka lëvizje të gjërave në nivel të brendshëm, por kjo lëvizje zgjat shumë shkurt dhe nuk ka konsistencë në zbatimin e standardeve të tilla për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi Darko Avramovski- Koalicioni për gjykim të drejtë.
Sipas Prokurorisë, në rastin e fundit Merko në mënyrë të kundërligjshme ka caktuar ushtrues detyre drejtor të shkollës në Llabunishtë të cilit i është paguar paga dhe kontributet për 19 muaj. Ndaj akuzës sot ka reaguar edhe VMRO-DPMNE në Strugë.
“Politika e mosndëshkimit ka kontribuar që disa struktura të kenë idenë se janë të paprekshme ose se çdo gjë është e lejueshme për to”, tha Nikolla Kukunesh-VMRO DPMNE-Strugë.
Javët e fundit kundër Merkos është ngritur aktakuzë për blerjen e automjetit luksoz Audi A6 dhe tre veturave të tjera me vlerë 114 mijë euro. Institucionet vendosën për veprim të tillë vetëm pasi vitin e kaluar autoritetet amerikane e shpallën atë dhe familjen e tij persona non grata për hyrje në SHBA për shkak të korrupsionit dhe ndërhyrjeve në gjyqësor. Ndërkohë sipas pasurisë së deklaruar publikisht pasi është bërë kryetar komune, Merko ka deklaruar se ka banesë në Shqipëri prej 106 metra katrorë, tokë bujqësore mbi 4 mijë metra katrorë, shtëpi në Strugë, tokë dhe të ardhura nga qiratë. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni1 month agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

