Lajme nga vendi
KSHZ-ja kërkon aktivitet më të madh nga komisionet komunale zgjedhore
Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Boban Stojanovski dhe Boris Kondarko kërkojnë që komisionet komunale zgjedhore (KKZ) të përfshihen maksimalisht në aktivitetet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare dhe siç thanë ata, të jenë më të përgjegjshëm, më aktivë dhe më të përditësuar.
Edhe në seancën e sotme të KSHZ-së u morën vendime për kërkesat për lirim nga detyra të kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarit të komisioneve zgjedhore komunale dhe në mënyrë të rastësishme u zgjodhën persona të rinj. KSHZ-ja miratoi edhe akreditimin për zgjedhjet e 13 vëzhguesve ndërkombëtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës.
“Aktivitetet e KKZ-ve hyjnë në fazën përfundimtare dhe vazhdimisht ka kërkesa për përjashtime dhe përzgjedhje të rastësishme të anëtarëve dhe zëvendës-anëtarëve në KKZ. Megjithatë, kjo nuk paraqet bazë për mosaktivitetin e tyre gjatë zbatimit të veprimeve të parapara për realizimin e të dy llojeve të zgjedhjeve. Prandaj, ata janë të lirë të punësojnë zëvendësanëtarë, ku nuk ka kryetar ose ai është joaktiv, zëvendëskryetari mund ta marrë detyrën. I sugjeroj që të bëhen më seriozë në punën e tyre aty ku nuk janë dhe t’i zbatojnë të gjitha veprimet konform Kodit zgjedhor, udhëzimeve tona dhe orientimeve që u janë dhënë nga KSHZ-ja. Këtu ka ekipe koordinuese që janë në dispozicion të komisioneve komunale zgjedhore në baza ditore për çdo këshill”, tha Stojanovski.
Ai shtoi se KKZ-të nuk kanë orar pune gjatë kësaj periudhe dhe tha se duhet të jenë vazhdimisht në shërbim të votuesve, procesit zgjedhor, si dhe pjesëmarrësve në zgjedhje.
“Duhet të përfshihen plotësisht në procesin e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, sepse pasiviteti i tyre sjell përgjegjësi ligjore”, paralajmëroi Stojanovski.
Pohimeve të tij iu bashkua edhe Kondarko, i cili theksoi se të gjithë anëtarët dhe zëvendësanëtarët e KKZ-ve janë nga administrata shtetërore dhe janë të përjashtuar nga detyrat e përditshme të punës.
“Nuk ka arsyetim për mosveprim dhe vonesë në obligimet që i kanë konform Rregullores, udhëzimeve nga KSHZ-ja, detyrave ditore, raporteve, komunikimit, punës me këshillat zgjedhorë. I sugjeroj që të jenë më të përgjegjshëm, më aktivë dhe më të përditësuar në kryerjen e detyrave të tyre të përditshme. Ata jo vetëm që janë të liruar nga detyrat e punës dhe e marrin pagën rregullisht, por do të marrin edhe kompensim nga KSHZ-ja. Ky proces nuk guxon të vuajë për shkak të rasteve individuale të mosveprimit dhe mungesës së shpejtësisë së komisioneve komunale”, tha Kondarko.
Kërkoi që të plotësohen obligimet lidhur me plotësimin e anëtarëve të këshillave zgjedhorë dhe të marrin pjesë në trajnimet e planifikuara për profesionalizimin e këshillave zgjedhorë.
Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski rekomandoi që koordinatorët t’i informojnë KKZ-të për indikacionet e paraqitura.
Lajme nga vendi
DOGANA: KONFISKOHET STOLI ARI NË VLERË PREJ 1.3 MILIONË DENARËSH
Doganierët në pikën kufitare Tabanoc, gjatë hyrjes në shtet, kanë parandaluar një tentativë për kontrabandimin e 348 gramëve stoli ari, me vlerë prej 1.3 milionë denarësh.
Rasti u zbulua gjatë një kontrolli të detajuar të një automjeti me të cilin udhëtonte një çift bashkëshortësh, shtetas të Maqedonisë së Veriut me vendbanim në Belgjikë.
Në çantën e bashkëudhëtares u gjetën 26 copë stoli ari.
Ndaj saj, Departamenti i Hetimeve pranë Sektorit për Kontroll dhe Hetime ka ngritur kallëzim penal për veprën penale “kontrabandë”, e dënueshme sipas Kodit Penal.
Nga Drejtoria e Doganave njoftojnë se gjatë këtij viti janë zbuluar 13 raste të kontrabandimit të arit, ku janë sekuestruar më shumë se 2.5 kilogramë stoli ari dhe monedha ari.
Lajme nga vendi
VLEN: Ku u avulluan 7 milionë euro ndihmë nga Zvicra? A po del uji i Gostivarit si kanalizimi i Zajazit?!
Arben Taravari po bie ndesh me deklaratat e tij. Derisa dikur dilte para qytetarëve të Gostivarit dhe akuzonte pushtetin e atëhershëm se po i “helmon” qytetarët me moskujdesin dhe mosveprimin, gjatë mandatit të tij të dalë dhe të thotë se po e zgjidh problemin e ujit në Gostivar “për 100 vitet e ardhshme”!
Sot kur përgjegjësia bie mbi administratën që ai ka drejtuar, Taravari jo që nuk ka përmbushur ndonjë nga premtimet, por nuk jep asnjë përgjegjësi politike. Dy rezervuarët gjigant që i premtoi poashtu në vitin 2022 për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm, një donacion nga Zvicra, as kjo nuk u bë.
Pyetja është; Ku u avulluan 7 milionë euro ndihmë nga Zvicra?
Pyetja tjetër; A po del uji i Gostivarit sikur kanalizimi i Zajazit?
Ironia është e madhe. Fjalët që dikur ua drejtonte kundërshtarëve politikë, sot janë pasqyra më e qartë e dështimit të tij. Standardet nuk mund të ndryshojnë sipas interesit politik. Nëse në vitin 2017 çdo dyshim ishte arsye për akuza të rënda, sot faktet e bëjnë situatën edhe më alarmante.
Qytetarët nuk kanë nevojë për arsyetime, por presin përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie, jo heshtje. Ata kanë nevojë për ujë të sigurt dhe institucione që funksionojnë.
VLEN kërkon përgjegjësi të plotë për secilin zyrtar që ka dështuar në mbrojtjen e shëndetit publik dhe kërkon që e gjithë e vërteta të dalë në dritë. Askush nuk mund të fshihet pas postit, partisë apo heshtjes.
Krejt në fund, Arben Taravari duhet t’u përgjigjet qytetarëve të Gostivarit me të njëjtin standard që kërkonte nga të tjerët. Sepse përgjegjësia nuk është slogan për opozitë; është detyrim kur udhëheq edhe me pushtetin lokal.
Lajme nga vendi
Komuna e Gostivarit: Punojmë në terren për normalizimin e gjendjes së sistemit të ujësjellësit
Komuna e Gostivarit në një njoftim për media informon se Shtabi i Krizës në nivel qendror dhe lokal, si dhe NP „Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Shkup“, po punojnë intensivisht në terren për normalizimin e gjendjes së sistemit të ujësjellësit.
“I ftojmë qytetarët që, lidhur me ecurinë e procesit, të informohen vetëm përmes njoftimeve zyrtare të institucioneve kompetente dhe të mos përhapin apo të mos mbështeten në informacione të rreme që qarkullojnë në rrjetet sociale”.
“Për çdo zhvillim të ri, qytetarët do të informohen me kohë, si për analizat dhe rezultatet e cilësisë së ujit, ashtu edhe për gjendjen e sistemit të ujësjellësit”, thonë nga Komuna e Gostivarit.

