Lajme nga vendi
Talat Xhaferi: Romët janë pjesë e pandashme e shoqërisë sonë
Me rastin e 8 Prillit Ditës Ndërkombëtare të Romëve, kryeministri Talat Xhaferi, dërgoi një mesazh urimi për pjesëtarët e bashkësisë rome në shtet.
Gjithashtu, Xhaferi u shpreh se 8 Prilli është ditë që e shënojmë për nderin tuaj të dashur bashkëqytetarë Romë, si edhe të gjithë qytetarët, jeni pjesë e pandashme e këtij shteti dhe shoqërie.
Sipas tij, kjo ditë, është mirënjohje nga ana e shtetit, institucioneve, bashkëqytetarëve tuaj
“Të nderuar qytetarë, pjesëtarë të bashkësisë Rome,
Me kënaqësi të madhe drejtoj ndaj jush në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, urime me rastin e 8 Prillit, Ditës ndërkombëtare të Rmëve.
8 Prilli është ditë që e shënojmë për nderin tuaj të dashur bashkëqytetarë Romë, sepse edhe ju, si edhe të gjithë qytetarët, jeni pjesë e pandashme e këtij shteti dhe shoqërie. Edhe ju, bashkë me të gjithë qytetarët i ndjeni edhe mirësitë, por edhe ditët e vështira dhe situatat që i sjell jeta. Kontribuoni me atë që mundeni, përpiqeni të përmirësohen gjendjet në çdo sferë dhe përkushtoheni ndaj sigurimit të ardhmërisë më të mirë për shtetin tonë të përbashkët, për shoqërinë tonë dhe për gjeneratat tona të ardhshme.
Me këtë rast, e jepni karakterin tuaj të vetëm dhe unik, karizmin tuaj, pozitivizmin dhe guximin tuaj. Kjo ditë, është mirënjohje nga ana e shtetit, institucioneve, bashkëqytetarëve tuaj dhe shoqërisë në tërësi se edhe ju jeni pjesë thelbësore e gjithë këtij konteksti.
Si Qeveri, përmes Strategjisë së miratuar nacionale për Romët, që është pjesë e politikave publike, shtetërore, ndërmarrim masa në fushat konkrete për të siguruar bazën për integrimin tuaj të plotë dhe të vërtetë, sepse vetëm atëherë, kur edhe ju vetë do të jeni pjesë e sistemit, do të mund të bëni më të mirën, së pari për vete, mandej edhe për gjithë shoqërinë dhe shtetin. Këtu është kryesor arsimi, që është investimi më i mirë në rritjen dhe zhvillimin e të rinjve që janë ardhmëria e shtetit, dhe të botës. Prandaj, bëhuni të mençur, bëhuni këmbëngulës, hapëroni guximshëm dhe sigurt drejt dritës që shfaqet kur do të ndriçohet mendja. Vetëm atëherë do të mund të dalë në dritë edhe potenciali juaj i vërtetë dhe origjinal i cili dallohet nga gjithë të tjerët.
Obligimi ynë si shtet dhe institucione shtetërore është të jemi pranë jush në çdo hap përpara.
Urime 8 Prilli, Dita ndërkombëtare e Romëve”!
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

