Lajme nga rajoni
Franca në kërkim të koalicionit,asnjë nga tre blloqet politike nuk mundi të arrijë shifrën magjike prej 289 vendesh në parlament
Asnjë nga tre blloqet politike në Francë nuk mundi të arrijë shifrën magjike prej 289 vendesh në parlament. 289 është shumica absolute në Asamblenë Kombëtare, e cila i duhet një kryeministri për t’i mbijetuar votës së detyrueshme të besimit pasi të emërohet nga Presidenti i Republikës, shkruan DW.
E majta “Fronti i Ri Popullor” (“Nouveau Front Populaire”, NFP), një aleancë mes ekstremistëve të majtë, socialistëve, komunistëve dhe të Gjelbërve, fitoi 182 vende: Aleanca liberale centriste e Presidentit Emmanuel Macron “Ensemble” humbi vendin e parë. Partia ekstremiste e djathtë “Rassemblement National” (RN) çuditërisht u rendit treta me 143 deputetë, pavarësisht rritjes së madhe të votuesve të saj.
Ekstremistët e djathtë fituan shumë vota, por më pak mandate
Blloqet do të duhet të punojnë së bashku për të formuar një qeveri. Grupet e tjera nuk duan në asnjë mënyrë të bashkohen me RN. Marine Le Pen tha se “batica vazhdon të rritet. Këtë herë nuk ishte mjaft e lartë, por do të rritet. Prandaj suksesi ynë vetëm sa po vonohet.”
RN ankohet se për shkak të sistemit të maxhoritar të votimit në Francë nuk ishte në gjendje të fitonte në 577 zonat elektorale, edhe pse në shifra absolute 10 milionë vetë votuan për këtë parti. Ndërkohë që nga ana tjetër Aleanca e majtë mundi të fitonte më shumë mandate me vetëm 6 milionë vetë që votuan për të.
Koalicioni dhe opsionet e tjera
Meqënese askush nuk do të hyjë në koalicion me RN, si opsion mbetet bashkëpunimi midis Aleancës së Majtë dhe grupit politik të presidentit Macron. Të dy kampet e kanë përjashtuar deri tani një bashkëpunim të tillë. “Por tani ata duhet të mësojnë se si të ndërtojnë koalicione. Kjo ka qenë krejtësisht e pazakontë në Francë deri tani,” thotë Celia Belin nga think-tanku “European Council on Foreign Relations” (ECFR). Bisedimet mes grupeve partiake nisën të hënën, por ndoshta për to do të duhen disa javë, thotë Celia Belin.
Në mediat franceze spekulohet se liberali Macron shpreson ta përçajë aleancën e majtë. Më pas ai mund të krijojë një koalicion qeveritar me pjesë të tij, p.sh. me të Gjelbërit, Socialistët apo me Republikanët Demokristianë. Një mundësi do të ishte edhe qeveri e toleruar pakice, nëse ajo do të merrte vetëm disa vota më pak se shumica absolute prej 289. Si opsion përfundimtar mbetet një qeveri teknike, e cila do të punonte me ministra jopartiakë dhe do të tolerohej nga parlamenti. Nëse asnjë nga këto mundësi nuk funksionon, presidenti mund ta shpërndajë përsëri Asamblenë Kombëtare. Por kjo mund të ndodhë vetëm një vit pas zgjedhjeve të fundit, pra në qershor 2025. Kështu e përcakton kushtetuta.
Lajme nga rajoni
Ligji rekord i mbrojtjes së SHBA-së përfshin edhe Kosovën
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin për politikën e mbrojtjes prej gati 1 trilion dollarësh, pavarësisht dispozitave të futura nga Kongresi që ofrojnë ndihmë të re për Ukrainën dhe frenojnë aftësinë e tij për të ulur përfshirjen e SHBA-së në mbrojtjen e Evropës.
Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare 2026 autorizon një rekord prej 901 miliardë dollarësh në shpenzimet ushtarake vjetore, 8 miliardë dollarë më shumë sesa kërkoi Trumpi.
Në të përfshihet edhe Kosova. Dokumenti thekson rëndësinë strategjike të Kosovës si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe riafirmon angazhimin e SHBA-së për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon. Kosova përmendet si një nga gjashtë shtetet kyç të Ballkanit Perëndimor, ku stabiliteti i saj lidhet drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike të SHBA-së.
“Paqja e vazhdueshme, stabiliteti dhe prosperiteti në Ballkanin Perëndimor është direkt i lidhur me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik që u ofrohen qytetarëve të këtyre gjashte shteteve”, thuhet në dokument.
Në një nga pikat e rëndësishme të dokumentit është qëndrimi zyrtar i Kongresit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Aty Marrëveshja e 2023-tës për normalizimin e marrëdhënieve konsiderohet hap pozitiv, ndërsa kërkohet përparim i menjëhershëm në Aneksin e zbatimit. Riafirmon se zgjidhja përfundimtare duhet të bazohet në njohje reciproke dhe kundërshton qartë çdo ide për ndarje territoriale, shkëmbime apo rishikim kufijsh mbi baza etnike.
Mbështet gjithashtu zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë, si dhe anëtarësimin në BE.
Në Ligj parashikohet mbështetje e vazhdueshme për reformat demokratike dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe forcimin e institucioneve. Kosova po ashtu përfshihet në kuadrin rajonal të masave për monitorimin dhe kundërshtimin e ndikimit malinj rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor. Ligji mbështet rritjen e ndihmës amerikane për sigurinë kibernetike, nga e cila përfiton edhe Kosova.
Legjislacioni gjithëpërfshirës përcakton gjithçka, nga sa anije, avionë dhe sisteme raketash blihen nga SHBA-ja, te një rritje pagash për trupat, e deri te mënyra e adresimit të kërcënimeve gjeopolitike. Ai është një kompromis, që kombinon masa të veçanta të miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, të dyja nën kontrollin e republikanëve.
Ligji përfshin po ashtu disa dispozita për të rritur sigurinë në Evropë.
Trumpi ka qenë kritik ndaj forcimit të sigurisë evropiane, duke argumentuar se aleatët duhet të paguajnë vetë. Strategjia e tij e sigurisë kombëtare, e publikuar së fundmi, shihet si miqësore ndaj Rusisë, armiqësore ndaj Bashkimit Evropian dhe një rivlerësim i marrëdhënies së SHBA-së me kontinentin.
Sipas ligjit, ofrohen 800 milionë dollarë për Ukrainën – 400 milionë dollarë në secilin prej dy viteve të ardhshme – si pjesë e iniciativës së ndihmës për sigurinë e Ukrainës, e cila paguan kompanitë amerikane për armë për ushtrinë e Ukrainës.
Ligji i mbrojtjes gjithashtu autorizon iniciativën e sigurisë së vendeve baltike dhe ofron 175 milionë dollarë për të mbështetur mbrojtjen e Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë. Si dhe kufizon aftësinë e Departamentit të Mbrojtjes për të ulur numrin e forcave amerikane në Evropë në më pak se 76,000 dhe i ndalon komandantit evropian të SHBA-së të heqë dorë nga titulli i komandantit suprem të NATO-s.
Lajme nga rajoni
Vuçiq akuzon Kroacinë: Është bërë bashkë me Kosovën e Shqipërinë për ta penguar Serbinë
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq foli përsëri për marrëdhëniet me Kroacinë në një paraqitje televizive duke akuzuar se Zagrebi, siç u tha Vuçiq, po bllokon rrugën evropiane të Serbisë.
Vuçiq pretendon se “ngritja e Serbisë”, siç tha ai, si “një feniks”, ka bërë Kracia të bëhet bashkë me Kosovën, Shqipërinë, e të tjerët për ta penguar Beogradin. Ai këtu përmendi edhe aleancën ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë e Kosovës.
“Pse fqinjët tanë nuk duan që ne të jemi në BE? Arsyeja është e thjeshtë. Ata menduan se në momentin që u bashkuan me BE-në dhe NATO-n dhe kur ata që ishin në pushtet në Serbi ishin në pushtet dhe nuk e trajtonin vendin e tyre, le të themi, brenda vendit, gjithçka kishte mbaruar dhe se po bëheshin një forcë dominuese nga Triglav në Stamboll në mënyra të ndryshme, dhe sigurisht në zonën deri në Bullgari dhe Greqi”, tha Vuçiq.
“Që kur Serbia është ngritur, që kur Serbia, fjalë për fjalë është ngritur si një feniks nga hiri, është zgjuar dhe është bërë më e fortë, ata duan të frenojnë forcën e Serbisë. Dhe nuk ka ndonjë filozofi të madhe. Kjo është arsyeja pse ata janë të bashkuar me Prishtinën, Tiranën dhe të gjithë të tjerët”, përfundoi Vuçiq, siç raportohet nga mediat në Serbi.
Lajme nga rajoni
Shqipëria ndaloi 51 ton misër nga Serbia, konstatohet prani e substancave kancerogjene
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AUK) në Shqipëri ka konfirmuar të enjten në mbrëmje praninë e aflatoksinës B1 në dy ngarkesa me misër, të importuara nga Serbia, që përbëjnë një total prej 51 tonësh.
Ato ishin të porositura si ushqim për kafshët, ndërsa sipas njoftimit zyrtar, një nga ngarkesat është kthyer në vendin e origjinës, ndërsa tjetra është bllokuar për asgjësim.
“AKU kreu në Pikën e Inspektimit Kufitar të Hanit të Hotit mostrimin e dy ngarkesave me misër, ushqim për kafshë, origjina Serbi, të cilat pas kryerjes së analizimit laboratorik, janë konfirmuar me prani të Aflatoksinës B1. Informojmë se njëra nga ngarkesat është kthyer në vendin e origjinës, ndërsa ngarkesa tjetër është bllokuar në ambientet e subjektit me destinacion asgjësimin”, thuhet në njoftim.
Ekspertët e cilësojnë aflatoksinën si një nga toksinat më të rrezikshme për shëndetin e njeriut.
Konsumimi i misrit të kontaminuar nga kafshët mund të ndikojë edhe në qumështin që ato prodhojnë, pasi toksina nuk shkatërrohet gjatë procesit të përpunimit. Sipas OBSH-së, ekspozimi ndaj aflatoksinës mund të shkaktojë sëmundje kancerogjene./TopChanel

