Lajme nga vendi
Mitsotakis: Shkelja e Marrëveshjes së Prespës – nuk i ndihmon rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, tha se do ta ngrehë shqetësimin lidhur me mosrespektimin e Marrëveshjes së Prespës nga Qeveria e re maqedonase, gjatë samitit të NATO-s që po mbahet në Uashington, transmeton Radio Evropa e Lirë, përcjell PRESSonline.al
Greqia dhe fqinji i saj arritën marrëveshje për emrin e shtetit, dhe Shkupi u pajtua që të ndryshojë emrin e shtetit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut dhe Athina hoqi dorë nga vetoja për anëtarësimin e fqinjit të saj në NATO.
Presidentja e re maqedonase, Gordana Silanovska-Davkova, gjatë inaugurimit të saj në maj, iu referua shtetit të saj si Maqedoni e jo Maqedoni e Veriut.
Duke marrë pjesë në samitin për 75-vjetorin e themelimit të NATO-s, Kyriakos tha se “kam shqetësime serioze” lidhur me përdorimin e emrit nga Qeveria e re maqedonase e udhëhequr nga VMRO DPMNE.
“Kjo është një çështje që unë do ta ngre”, tha Mitsotakis në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, duke thënë se çështja e emrit “thjesht, nuk është një çështje e negociueshme”.
“Nuk është konstruktive. Nuk i ndihmon rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Është një ndërlikim i panevojshëm në një kohë kur ne do të duhej të gjenim zona për bashkëpunim”, tha ai.
Paraprakisht, Mitsotakis kishte kërcënuar se Greqia mund të rrezikojë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Lideri grek, që më herët nuk ishte pajtuar me Marrëveshjen e Prespës, që ishte arritur nga Qeveria paraprake e krahut të majtë, tha se e ka bërë të qartë se kjo është marrëveshje ndërkombëtare “dhe unë respektoj”.
Lajme nga vendi
Ikja e një heroi të heshtur – Osman Afizi, simbol i sakrificës dhe përkushtimit kombëtar

Para disa ditësh u nda nga jeta atdhetari dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Osman Afizi, nga fshati Brezë i Karadakut, një emër që pak fliste për veten, por që shumë kishte bërë për kombin.
Osmani vinte nga një familje patriotike, me rrënjë të thella atdhedashurie. Por edhe vetë ishte një hallkë e fortë e këtij zinxhiri të pavdekshëm, shkruan agjencia e lajmeve INA.
Ai nuk kërkoi kurrë lavdi, nuk doli në skenë, por veproi në heshtje dhe me përkushtim të rrallë. Ishte një nga ata që mbajnë barrën e kombit në shpinë, pa bërë zhurmë, pa kërkuar duartrokitje.
Gjatë luftës së Kosovës, Osmani me kamionin e tij të modifikuar – ku kishte instaluar një bunker të fshehtë – ngarkonte armët në Dibër dhe përmes rrugëve malore të Karadakut, i dërgonte në Kosovë për t’i shërbyer UÇK-së.
Më vonë, me veturën e tij Mercedes-Benz, kishte transportuar qindra djem të rinj drejt Shqipërisë, ku trajnoheshin ushtarakisht dhe më pas bashkoheshin me radhët e ushtrisë çlirimtare.
Ai ishte heroi i heshtur i furnizimit, i organizimit, i lidhjes mes rrugëve të lirisë dhe shpirtit të sakrificës.
Pas luftës, Osmani mbeti i njëjti. Nuk e shfrytëzoi asnjëherë emrin, as kontributin për përfitime personale. Por nuk heshti përballë padrejtësive. Ishte zë kritik ndaj realitetit të rëndë të shqiptarëve, veçanërisht në Maqedoni. Përdorte rrjetet sociale për të ngritur zërin kundër gabimeve dhe dështimeve të klasës politike shqiptare. Ishte zëri i ndërgjegjes dhe dhembjes.
Sot, ai nuk është më fizikisht mes nesh, por vepra e tij nuk do të vdesë kurrë. Ai vendosi një gur të rëndë në kalanë e shqiptarisë – dhe për këtë duhet të jemi thellësisht mirënjohës.
Lavdi jetës dhe veprës së Osman Afizit!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për një burrë të rrallë që jetoi për kombin, jo për veten.
Lajme nga vendi
Mickoski: Artan Grubi iku me veturë diplomatike, po bëjmë gjithçka për t’i kthyer të arratisurit nga drejtësia

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se ish-zv.kryeministri Artan Grubi ka lëshuar vendin me veturë diplomatike, duke u ndihmuar nga një konsull nderi i një shteti të huaj. Këto deklarata ai i dha gjatë një interviste në edicionin qendror të lajmeve në televizionin ALSAT-M.
“Fletë-arresti është dërguar dhe tani presim që shtetet partnere të japin përgjigje se ku ndodhet Artan Grubi. Ai, ose personi që e shoqëronte, ishte konsull nderi dhe ka kaluar kufirin me veturë diplomatike. Më pas, personi është thirrur për një bisedë informative,” deklaroi Mickoski.
Ai e cilësoi largimin e Grubit si “frikacak” dhe tha se nuk është i vetmi që i është shmangur drejtësisë.
“Unë do të thoja se nuk është vetëm Artan Grubi që ka ikur. Ka edhe të tjerë që janë në arrati. Është një mënyrë frikacake për të vepruar, por si shtet po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që t’i kthejmë në vend dhe t’i përballim me drejtësinë,” tha ai.
I pyetur nëse ka informacione për vendndodhjen e personave të arratisur, Mickoski u përgjigj se ekzistojnë indikacione për të gjithë.
“Disa ndodhen në rajon, ndërsa të tjerë më larg. Institucionet tona janë në kontakt me partnerët ndërkombëtarë për t’i zbuluar dhe kthyer,” shtoi ai.
Lajme nga vendi
DAP: Të regjistrohet qarkullimi me para të gatshme dhe të lëshohen llogari fiskale

Drejtoria e të Ardhurave Publike ua ka kujtuar të gjitha objekteve hotelierike, tregtarëve dhe kryerësve të veprimtarive detyrimin ligjor për të regjistruar qarkullimin me paga të gatshme përmes një sistemi fiskal të miratuar dhe për të lëshuar llogari fiskale për çdo mall ose shërbim të paguar.
“Përveç kësaj, subjektet afariste janë të detyruara të regjistrojnë qarkullimin e arritur dhe ta paguajnë atë te bartësi i qarkullimit pagesor, jo më vonë se dita pas ditës së realizimit të qarkullimit. Ky detyrim vlen për të gjithë ata që kryejnë qarkullim me para në dorë, pavarësisht nëse janë pagues të TVSH-së apo jo, si dhe pavarësisht nëse veprimtaria është e përhershme apo sezonale. Aktivitetet janë pjesë e masave që Drejtoria e të Ardhurave Publike po ndërmerr për të forcuar pajtueshmërinë tatimore dhe për të siguruar trajtim të barabartë të të gjithë tatimpaguesve”, qëndron në kumtesën nga DAP.
Prej atje kujtojnë se mosrespektimi i detyrimit ligjor dhe mosregjistrimi i qarkullimit me para të gatshme, në përputhje me LRPG, sjell sanksione edhe atë duke shqiptuar gjoba dhe mbyllje të objekteve afariste.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve