Lajme nga vendi
Për një javë, 78 raste të reja me Covid dhe një vdekje, qindra nuk e dinë as që janë të sëmurë
Në javën e fundit, përkatësisht në periudhën 22-28 korrik, Instituti për Shëndet Publik (IShP) ka regjistruar 78 raste të reja me Covid nga gjithsej 263 testime. Siç informojnë nga atje për Meta.mk, gjatë sekuencës së mostrave pozitive për SARS-CoV-2, të kryer në departamentin e virologjisë në IShP, janë zbuluar variante të Omicron JN.1 (në 23 mostra) dhe XBB (në 9 mostra),
“Gjatë javës së fundit raportuese nga data 22 deri më 28 korrik 2024, në Republikë janë kryer 263 testime për Covid-19, nga të cilat 78 kanë rezultuar pozitive. Është regjistruar edhe një person i vdekur. Përqindja e personave pozitivë nga numri i përgjithshëm i të testuarve është 29.7 për ind. Numri i përgjithshëm i testeve të kryera në RMV nga fillimi i pandemisë deri më 28.07.2024 është 2.260.797, prej të cilave 350.808 teste kanë rezultuar pozitive”, kanë thënë nga IShP për Meta.mk.
Simptomat që shfaqen me variantin JN.1 janë rrjedhje e hundëve ose rrufë, dhimbje fyti, lodhje, dhimbje koke, kollë, dhimbje muskujsh ose trupi, ethe, si dhe të përziera ose të vjella.
Simptomat që shfaqen me variantin XBB të omicron, megjithatë, duket se janë të ngjashme me ato të varianteve të mëparshme të omicron – ato mund të variojnë nga simptoma tipike të ftohjes, të tilla si kolla dhe rrjedhja e hundës, deri te gulçimi dhe nivelet e ulëta të oksigjenit që kërkojnë kujdes mjekësor.
A duhet të shqetësohemi për këto shifra dhe a duhet të merren masa? Epidemiologu Aleksandar Stojanov thotë se nëse njerëzit do të testoheshin më masivisht, numri i rasteve me Covid do të ishte shumë më i lartë se ai aktual.
“Harroni që ne do ta zhdukim Covid-in. E kemi gjithë verën. Ka shumë variante dhe simptomat janë të ngjashme. Ata me sëmundje shoqëruese janë në rrezik, ata pa imunitet janë akoma më të rrezikuar. Nëse flasim për masa, është e vështirë t’i zbatosh në këtë vapë. Është verë, është e vështirë të pakësosh kontaktet, të rinjtë i ke në diskoteka, në lokale. E gjithë bota është e lodhur nga izolimi. Ky është realiteti dhe ne do të jetojmë me të. Në të njëjtën kohë keni qindra njerëz që as nuk e dinë se janë me Covid. Sëmuren, ua kalojnë të tjerëve”, thotë Stojanov.
Nga fillimi i pandemisë së COVID-19, deri më 28 korrik, në Maqedoni janë regjistruar gjithsej 350.808 të sëmurë dhe 9.992 të vdekur si pasojë e sëmundjes.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

