Lajme nga vendi
Taravari dhe përfaqësues të Komisionit do të prezantojnë vendosjen e barnave të reja në listën pozitive
Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, së bashku me përfaqësuesit e Komisionit për listën pozitive sot do të mbajë konferencë për media me rastin e vendosjes së barnave të reja në listën pozitive, informojnë nga ministria përkatëse.
“Mendoj se është një hap i madh përpara, nëntë barna të reja, ndërsa në 15 vitet e fundit është futur vetëm një medikament, kështu që ju garantoj se do të ketë barna të reja, së shpejti do të ulemi me Komisionin dhe do të shohim se çfarë janë mundësitë dhe nevojat”, u përgjigj Taravari ditë më parë në pyetjen e gazetarëve.
I pyetur për atë se pacientë të onkologjisë janë të pakënaqur me rishikimin e listës pozitive dhe kërkojnë që të përfshihen në rishikimin e radhës, ai tha se pas gjashtë muajsh do të duhet të ketë një rishikim tjetër.
Lajme nga vendi
Kapen 64.250 euro në “Tabanoc”
Drejtoria e Doganave njoftoi se në pikën kufitare “Tabanoc” është parandaluar një tentativë për transferim të paligjshëm të parave, ku gjatë kontrollit të një automjeti me targa gjermane, të drejtuar nga një shtetas grek, janë gjetur gjithsej 124.250 euro. Sipas Doganës, personi fillimisht kishte deklaruar 60 mijë euro, duke paraqitur edhe formularin e lëshuar në hyrje të Republikës së Serbisë. Pas një kontrolli të detajuar nga zyrtarët doganorë dhe një polic i Frontex-it, u zbuluan edhe 64.250 euro të padeklaruara.
“Për shkak të dyshimeve në deklaratën e dhënë, zyrtarët doganorë së bashku me një zyrtar policor të Frontex-it kryen kontroll të detajuar, gjatë të cilit u gjetën gjithsej 124.250 euro. Në përputhje me Ligjin për Operacionet Devizore, personit iu kthyen 60 mijë eurot e deklaruara, ndërsa pjesa tjetër u konfiskua dhe ndaj tij është ngritur procedurë kundërvajtëse para gjykatës kompetente”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Doganave.
Dogana bëri të ditur se gjatë këtij viti janë zbuluar 30 raste të transferimit të paligjshëm të valutës, me konfiskim të 820.675 eurove, 141.300 paundëve britanikë dhe 35 mijë dollarëve australianë.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe i nxehtë do të arrijë deri në 39 gradë
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe i nxehtë me vranësira të pakta lokale. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga verilindja.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 12 deri në 20 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 32 deri në 39 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë me erë të lehtë deri mesatare nga drejtim i ndryshueshëm. Temperatura minimale do të bjerë në 18 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 36 gradë.
Lajme nga vendi
MËRGIMTARËT U KTHYEN PËR T`U ÇMALLUR, POR ÇFARË GJETËN NË TETOVË?(VIDEO)
Është mesditë dhe rrugët e Tetovës kanë marrë një gallëri që nuk përshkruhet.
Nuk mund të anashkalohen as edhe veturat me targa të huaja që kanë mbushur qytetin. Tetova frymon këto ditë të fundit të korrikut me jehonën e mërgimtarëve.
Ditët e verës në Tetovë nuk maten vetëm me temperaturat, por edhe me targat e huaja dhe gjuhët që dëgjohen në çdo cep të qytetit. Gjermanisht, danisht, frëngjisht… mërgimtarët janë rikthyer në vendlindje, duke gjallëruar rrugët, kafeteritë dhe bizneset lokale, siç ndodh tradicionalisht gjatë sezonit veror. Por, përtej nostalgjisë dhe takimeve familjare, si e shohin ata Tetovën e sotme?
Çfarë u pëlqen më shumë dhe cilat janë problemet që do të donin t’i shihnin të zgjidhura? TV Koha i pyeti mërgimtarët dhe përgjigjet e tyre sjellin një pasqyrë interesante për qytetin.
Pavarësisht gjithçkaje mërgimtarët e duan Tetovën.
“Krejt më pëlqejnë. Të mos më kishin pëlqyer nuk kisha ardhë asnjëherë, ja 40 vite jam jashtë, krejt më pëlqejnë.
Në Tetovë më pëlqen gjithçka. Është vendlindja, familjen e kam atje, por familjarët tjerë janë këtu”
“Jam Arjoni dhe vij nga Islanda. Jam në Tetovë nga 2 qershori. Më pëlqen Tetova se është e bukur.
“Unë jam rrit në Tetovë, jashtë jam 5 vite. Kur vijmë këtu, çdo gjë na pëlqen”
“Në Tetovë gjithçka. Është vendlindja jonë dhe për gjithçka të merr malli”
Por, ka edhe mërgimtarë të tillë që nuk hezitojnë të shprehin haptazi vërrejtjet e tyre.
“Po, ka ndryshuar pak! Ka shumë gjëra, mungojnë vendparkimet. Kur vijnë mërgimtarët duhet më tepër rregullat të respektohen”
“Nuk më pëlqen, ka shumë miza dhe më kafshojnë. Do të qëndroj edhe 2 javë dhe shkoj”
“Vërejtje jo, kohëve të fundit është përmirësar shumë Tetova. Një vërrejtje të vogël kisha me I dhanë udhëheqësisë së Tetovës, koshat me mbeturina me I pastru dhe me vendos më tepër kosha se kur e ke një mbeturinë në dorë nuk ke ku e gjuan. Përndryshe, tjerat janë në rregull. Parkingjet e dijmë se moti është si problem, por është më mirë se herave tjera. Mirë, deri tash mirë. Vij nga Zvicra dhe kam pushim edhe 1 javë”
“Pastërtia dhe rregullat e komunikacionit janë katastrofë. Tjerat shumë mirë, më mirë se vendlindja nuk ka”
Mërgimtarët janë kthyer sërish në vendlindje, duke sjellë jetë në sheshe, kafene e biznese, por mbi të gjitha duke rikthyer kujtimet e fëmijërisë dhe lidhjen e pathyeshme me qytetin. Megjithatë, përtej emocioneve të ribashkimeve dhe përqafimeve me familjarët, lind një pyetje: a është Tetova ajo që e lanë pas, apo një qytet që ende pret ndryshimet për të cilat ata ëndërrojnë sa herë e shohin nga larg?/Tv Koha/

