Lajme nga vendi
VLEN: BDI po abuzon me FFM-në, po mundohet të shkaktojnë përplasje në mes tifozëve

Sjellja destruktive e BDI-së po vazhdon. Që nga dje, në përpjekjet për të krijuar tensione etnike, Artan Grubi dhe klika e tij kanë abuzuar me FFM-në, të udhëhequr nga Muhamed Sejdini, akuzojnë sot nga koalicioni VLEN.
“Qëllimi i udhëheqjes kriminale të BDI-së është të përpiqet të shpëtojë nga përgjegjësia penale për korrupsionin politik masiv dhe të mbrojë pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme nga populli shqiptar. Në vend që të bëjnë sehir, BDI-ja duhet të përgjigjet menjëherë: A është e vërtetë që, nën urdhrat e Artan Grubit dhe Omer Bunjakut, në ndeshjen ndërmjet FK Brera dhe KF Shkëndija në Strumicë është testuar një plan i BDI-së për të krijuar tensione përmes incidenteve në ngjarje sportive? A e ka zgjedhur me qëllim dhe në mënyrë të vetëdijshme Muhamed Sejdini, president i FFM-së dhe i arrestuar gjatë fushatës zgjedhore për blerje votash për BDI-në, një delegat të tillë për këtë ndeshje, për të kërkuar nga policia largimin e tifozëve që kishin shfaqur flamurin shqiptar? A planifikon BDI-ja, duke ndjekur skemat e Vuçiqit, të shkaktojë përplasje ndërmjet grupeve të ndryshme të tifozëve dhe tensione ndërmjet nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve në periudhën e ardhshme? Çfarë është i gatshëm të bëjë Artan “Belivuku”?”, thonë nga atje.
Nga VLEN u bëjnë thirrje shqiptarëve që të mos bien pre e këtyre provokimeve.
“BDI-ja nuk i mbron simbolet e identitetit kombëtar shqiptar, por e përdhos flamurin e shenjtë shqiptar nga frika e përgjegjësisë për skandalet e korrupsionit, siç janë Soaravia, bizneset e lojërave të fatit dhe tenderët e paligjshëm”, nënvizojnë nga VLEN.
Nga atje theksojnë se grupet e tifozëve të klubeve sportive shqiptare janë një segment i rëndësishëm i shpirtit sportiv të shoqërisë.
Prandaj, shtojnë nga atje, i ftojmë ata të jenë veçanërisht të kujdesshëm në periudhën e ardhshme që të mos përfshihen në skenarët e Bashkimit Antidemokratik për Dezintegrim.
Lajme nga vendi
Kos: Ka konsensus për zgjerim, por mundësia të mos jetë e përhershme

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka thënë se shtetet e Bashkimit Evropian kanë konsensus për zgjerim tani.
“Ka konsensus për zgjerim tani. Por dritarja e mundësisë, mund të mos jetë aty përherë. Po shohim përparim”, ka thënë ajo në samitin rajonal BE-Ballkani Perëndimor në Shkup, teksa ka theksuar përparimin e Shqipërisë me hapjen e negociatave muajve të fundit.
Për Kosovën ka thënë se po presin formimin e qeverisë së re “për t’u fokusuar me energji të plotë në procesin e anëtarësimit”.
Tek ka folur për Planin e Rritjes për shtetet e Ballkanit Perëndimor, rreth 6 miliardë euro në formë granti nga BE-ja dhe një pjesë në formë kredie, ajo ka thënë se tani gjithçka është në duart e shteteve të Ballkanit.
Kosova parashihet të marrë rreth 900 milionë euro nga kjo pako. Procesi është bllokuar në mungesë të konstituimit të Kuvendit.
Në samit po merr pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
BE-ja ka njoftuar se Samiti do të jetë mundësi për të diskutuar fusha të reja bashkëpunimi në mbrojtjen e konsumatorit, turizmit.
“Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon të nxisë ekonominë e rajonit dhe të ndihmojë vendet e tij të bashkohen me BE-në. Ai siguron 6 miliardë euro fonde për reforma dhe investime në fusha si energjia, transporti dhe transformimi digjital, me qëllim rritjen e prosperitetit dhe stabilitetit në rajon”, thuhej në njoftimin e BE-së.
Lajme nga vendi
Mickoski: Ballkani Perëndimor nuk është më një dhomë pritjeje, por një rajon në zhvillim

Jemi të vendosur të ecim drejt një të ardhmeje evropiane më të fortë, më elastike dhe më të integruar, sepse Ballkani Perëndimor nuk është më një dhomë pritjeje, por një rajon në zhvillim, tha sot Kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në Takimin e Liderëve BE-Ballkan Perëndimor.
“Rajoni ynë është një pjesë jetësore e Evropës dhe një pjesë integrale e së ardhmes së saj. Ballkani Perëndimor është një rajon i pasur me potencial dhe ambicie, megjithëse shumë shpesh ka narrativa përçarjeje. Por kur shikoj përreth, mund të shoh se ka një histori tjetër. Rajoni përcaktohet nga fryma e tij dhe refuzon të lihet pas dore. Zonja dhe zotërinj, ky Samit i kushtohet një vizioni të përbashkët, një vizioni ku investimet lulëzojnë dhe inovacioni ofron mundësi për të gjithë. Një vizion ku Ballkani Perëndimor nuk është më një dhomë pritjeje, por një rajon që është në zhvillim”, tha Mickoski.
Lajme nga vendi
Prokuroria kërkon paraburgim për një të dyshuar për sulm ndaj mjekëve dhe policëve

Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka filluar procedurë kundër një personi për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer vepër penale – “Sulm ndaj punonjësit shëndetësor dhe asistentit shëndetësor gjatë kryerjes së aktiviteteve shëndetësore”, si dhe vepër penale – “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së punëve të sigurisë”.
“Më 29 qershor, në një kazino në Manastir, i dyshuari fillimisht sulmoi një mjek nga shërbimi i urgjencës mjekësore i cili po i ofronte ndihmë mjekësore. Ai e goditi me grusht dhe i shkaktoi lëndime trupore. Pasi iu dha ndihma mjekësore, i dyshuari u transferua në Spitalin Klinik IPSH – Manastir, ku ai gjithashtu kundërshtoi në mënyrë aktive trajtimin, kështu që u thirr ndihma policore. Kur mbërritën dy oficerët e policisë, i dyshuari 28-vjeçar i sulmoi edhe ata, duke i goditur disa herë dhe duke i kërcënuar”.
“Duke pasur parasysh se janë përmbushur bazat ligjore – rreziku i ikjes dhe mundësia e përsëritjes së krimit, prokurori publik i paraqiti propozim gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Manastir për të përcaktuar masën e paraburgimit për të dyshuarin”, thonë nga Prokuroria.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve