Connect with us

Lajme nga bota

Çfarë duhet të dinë qytetarët e Ballkanit Perëndimor për rregullat e reja të hyrjes në BE?

Published

on

“Mirëdita! Pasaportat, ju lutem! Duhet t’ju marrim edhe gjurmë të së paku katër gishtërinjve. Edhe fotografi. Faleminderit dhe ju uroj qëndrim të këndshëm!”.

Kështu do të duhej të dukej nga 10 nëntori i këtij viti hyrja në Bashkimin Evropian dhe në Zvicër, Norvegji, Islandë e Lihtenshtajn – vende anëtare të zonës së lëvizjes së lirë Schengen – për qytetarët e rreth 60 vendeve, përfshirë edhe ata të Ballkanit Perëndimor.

Në atë kohë do të fillojë të funksionojë sistemi i ri i hyrje-daljeve (Entry/Exit System – EES), i cili është krijuar në nëntor të vitit 2017, por se zbatimi i tij është shtyrë disa herë.

Për verën e ardhshme është paralajmëruar zbatimi edhe i Sistemit të dytë Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i cili u kërkon udhëtarëve nga vendet që kanë regjim pa viza me BE-në, të aplikojnë online për lejen e hyrjes, duke paguar një tarifë prej shtatë eurosh me kartelë bankare.

Pasaportat në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë biometrike, çipat e tyre përmbajnë shenja gishtash dhe fotografi – çfarë i bën plotësisht në përputhje me kushtet që ka kërkuar BE-ja në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë regjim pa viza.

Advertisement

Kushtet e përgjithshme – që dokumentet e udhëtimit të mos skadojnë në më pak se tre muaj nga data kur personi planifikon të kthehet në vendin e tij ose që pasaporta të mos jetë më e vjetër se dhjetë vjet – do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Cilat janë ndryshimet e reja nga mesi i vitit 2025?

ETIAS do t’u kërkojë qytetarëve të rreth 60 vendeve të plotësojnë një formular të veçantë nëpërmjet internetit ose aplikacionit celular, përpara se të udhëtojnë.

Me rastin e plotësimit të aplikacionit për herë të parë, pasagjeri fut të dhënat personale, emailin dhe numrin e telefonit, si dhe detajet e dokumentit të udhëtimit.

Udhëtari do të duhet, gjithashtu, të fusë detaje rreth arsimit dhe punësimit aktual, si dhe detaje rreth udhëtimit të planifikuar dhe qëndrimit në vendin e BE-së.

Advertisement

Do të kërkohen edhe detaje për çdo dënim penal, për udhëtime në të kaluarën në zona lufte ose zona konflikti, si dhe informacione nëse personi është dëbuar nga ndonjë vend.

Udhëtarët do të duhet të paguajnë edhe një tarifë shtesë prej shtatë eurosh, me kartelë bankare. Pagesa do të bëhet si për çdo blerje online.

Tarifa nuk do të paguhet nga personat nën 18 vjeç dhe mbi 70 vjeç, bashkëshortët/partnerët e regjistruar dhe fëmijët e shtetasve të BE-së dhe të vendeve të zonës Schengen, si dhe fëmijët e bashkëshortëve/partnerëve që vijnë prej jashtë BE-së.

Aplikimi “grupor” nuk do të jetë i mundur – pra në rast të udhëtimit familjar, çdo anëtar do të duhet të aplikojë veçmas për ETIAS-in.

Sistemi ETIAS do të jetë i disponueshëm në gjuhët e vendeve anëtare dhe sistemi do të pranojë vetëm shkronja latine.

Advertisement

Udhëtari do të mund të ndalojë plotësimin e aplikacionit, t’i ruajë ndryshimet dhe të vazhdojë të fusë të dhëna brenda 48 orësh.

Sa kohë duhet për t’u përpunuar një kërkesë?

Siç thuhet në faqen zyrtare të sistemit ETIAS, përpunimi duhet të zgjasë “disa minuta”.

Nëse zgjat më shumë, pasagjeri duhet ta marrë njoftimin brenda katër ditësh.

Pasagjerëve mund t’u kërkohen edhe informacione ose dokumente shtesë – si për shembull konfirmimi i rezervimit të hotelit dhe konfirmimi i punësimit – të cilat duhet të dorëzohen brenda dhjetë ditësh. Në atë rast, kërkesa duhet të shqyrtohet brenda dy javësh.

Advertisement

Udhëtari mund të ftohet për intervistë në ambasadën e vendit ku planifikon të udhëtojë dhe në atë rast kërkesa shqyrtohet brenda 30 ditësh.

Prandaj, udhëtarët këshillohen që ta plotësojnë formularin së paku një muaj përpara se ta blejnë biletën apo ta rezervojnë akomodimin.

Nëse udhëtarit i lejohet hyrja në BE, ai do ta marrë njoftimin me email.

Leja ETIAS do të jetë e vlefshme për tre vjet, ose derisa të zëvendësohet dokumenti i udhëtimit me të cilin udhëtari ka aplikuar.

Formulari është i lidhur me dokumentin e udhëtimit, që do të thotë se është i vlefshëm vetëm me pasaportën me të cilën ka aplikuar udhëtari.

Advertisement

Pasaporta e re nënkupton aplikim të ri.

Nëse ETIAS-i paguhet dhe miratohet për udhëtimin në një vend, ai është gjithashtu i vlefshëm edhe për një vend tjetër.

Leja ETIAS nuk do të thotë që një person mund të qëndrojë në BE për më shumë se 90 ditë në një periudhë gjashtëmujore, ose të punojë në BE.

Udhëtari do të mund të hyjë dhe të dalë nga BE-ja sa herë të dojë dhe të udhëtojë në çdo destinacion brenda zonës Schengen gjatë periudhës së vlefshmërisë së lejes dhe për aq kohë sa ai e respekton afatin e specifikuar kohor.

Çfarë nëse personi nuk ka internet, kartelë bankare, është analfabet dhe të ngjashme?

Advertisement

Prindërit e plotësojnë formularin për fëmijët e tyre të mitur, të cilët janë të përjashtuar nga pagesa e tarifës prej shtatë eurosh.

Gjithkush mund të autorizojë një palë të tretë – një person tjetër ose një ndërmjetës tregtar – që të aplikojë në emër të tij ose në emër të fëmijëve të tij të mitur.

Me një ndërmjetës – për shembull nga një agjenci udhëtimesh – deklarata e përfaqësimit duhet të nënshkruhet për çdo person individualisht dhe e njëjta gjë vlen në rast se një mik, fqinj, vajza ose djali aplikon për një person.

Personi ose kompania që është ndërmjetëse, do të duhet, gjithashtu, t’i fusë të dhënat e veta.

Ndërmjetësi ka të drejtë të kërkojë një “tarifë të arsyeshme” dhe BE-ja ka parashikuar mundësinë e raportimit anonim të atyre që kërkojnë pagesa të larta.

Advertisement

Ata që vendosin të aplikojnë përmes një ndërmjetësi, këshillohen të kontrollojnë veçanërisht nëse informacioni në aplikacion është i saktë, përpara se ta dërgojnë atë, sepse në rast të ndonjë gabimi, aplikacioni mund të refuzohet ose anulohet.

Në rast se udhëtari vëren ndonjë gabim, ai mund ta plotësojë një aplikacion të ri ose të kërkojë korrigjimin e gabimit në aplikacionin e vjetër. Procedura e përpunimit në atë rast zgjat deri në 30 ditë.

Si të shkoni në një funeral, të vizitoni prindin që është shtetas i BE-së dhe të ngjashme?

Formulari ETIAS nuk do të duhet të plotësohet nga personat që kanë vizë të vlefshme – studentore, pune ose të ngjashme – ose leje qëndrimi në një vend të BE-së.

Formulari nuk plotësohet as nga personat që jetojnë përgjatë kufirit dhe posedojnë kalime kufitare.

Advertisement

Anëtarët e ekuipazhit në anije dhe avionë për disa vende të BE-së do të kenë nevojë për formularin ETIAS.

Përjashtime bëhen në rast të rrezikimit të jetës së aplikuesit apo të të afërmit, vajtjes në varrim të një familjari, detyrimit për t’u paraqitur në gjykatë apo ndonjë “detyrimi të rëndësishëm”.

Në atë rast, udhëtari e plotëson aplikacionin ETIAS për të ashtuquajturën leje të kufizuar që e tregon arsyen.

Leja lëshohet nga shteti në të cilin personi udhëton dhe është e vlefshme për të udhëtuar vetëm në atë vend për maksimum 90 ditë.

Për shembull, nëse bëhet fjalë për të shkuar në një funeral, një vend i BE-së mund ta lejojë hyrjen vetëm për ditët e varrimit.

Advertisement

Nëse personi, ndërkohë, aplikon dhe merr një ETIAS të dytë për udhëtim në të gjitha vendet e Schengenit, leja e kufizuar automatikisht bëhet e pavlefshme.

Çka nëse BE-ja refuzon t’ju japë leje?

Personave pa autorizimin ETIAS do t’u refuzohet hyrja në kufi.

Edhe marrja e kësaj certifikate nuk nënkupton që udhëtarit do t’i lejohet automatikisht hyrja në vendin e BE-së.

Të gjithë udhëtarët do të kontrollohen dhe një oficer kufitar mund t’ia refuzojë hyrjen një personi që nuk i plotëson kërkesat.

Advertisement

Disa nga kushtet për hyrje janë: dokument i vlefshëm i udhëtimit për së paku tre muaj nga data e kthimit të planifikuar; pasaporta të mos jetë më e vjetër se dhjetë vjet; qëndrimi të jetë i justifikuar dhe personi të ketë para të mjaftueshme deri në kthimin e planifikuar.

Shuma e zakonshme është rreth 100 euro në ditë dhe varet nga shteti anëtar i BE-së.

Disa nga arsyet e refuzimit të hyrjes lidhen me kërcënimet për sigurinë ose shëndetin.

Nëse kërkesa për ETIAS refuzohet, revokohet ose anulohet, personi do ta marrë një email që i tregon arsyet e refuzimit dhe emrin e autoritetit që e ka marrë vendimin.

Ekziston mundësia e apelimit dhe emaili do të përmbajë informacione se në cilin vend ose shtet mund të apelohet. Ankesat trajtohen në përputhje me ligjet e atyre vendeve.

Advertisement

Një person, aplikimi i të cilit refuzohet, mund të aplikojë sërish për lejen ETIAS.

Nëse një person e revokon kërkesën e tij, ai nuk mund të ndryshojë mendje më pas, por duhet të plotësojë një formular të ri.

Tarifa nuk rimbursohet nëse aplikacioni refuzohet.

A do të ketë më shumë tollovi në kufij?

Me futjen e EES-it, mbetet skanimi i dokumenteve të udhëtimit, ndërsa vulosja e pasaportave në pikën kufitare ndalon.

Advertisement

Megjithatë, marrja e shenjave të gishtërinjve dhe fotografimi, që do të bëhen në çdo pikë kufitare, mund t’i zgjasin pritjet në radhë.

Në aeroporte, kontrollet do të kryhen pas aterrimit.

Shtetet anëtare i kanë ndryshuar disa ligje për t’i reduktuar tollovitë e mundshme në vendkalimet tokësore.

Pse është krijuar ky sistem?

Sistemi i ri EES është krijuar për t’i bërë bazat e vendeve anëtare të BE-së më të lidhura, për ta lehtësuar gjurmimin e kohës dhe vendit të qëndrimit dhe për të siguruar që udhëtarët nuk qëndrojnë më shumë se 90 ditë brenda një periudhe gjashtëmujore.

Advertisement

Një nga qëllimet e masave të reja është të vështirësohet hyrja e kriminelëve apo terroristëve në BE me pasaporta false, pasi kontrolli biometrik do të kryhet sa herë që kalohet kufiri.

Pasagjerët nuk do të paguajnë tarifë për ofrimin e të dhënave biometrike.

Të dhënat do të jenë të qasshme për shërbimet policore të vendeve anëtare të sistemit Schengen dhe agjencinë policore, EUROPOL, gjatë hetimeve penale, sidomos terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Kontrollet e të dhënave biometrike do të rriten në mes të vitit 2025, por data e saktë nuk është përcaktuar.

Sisteme të ngjashme kanë krijuar tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Australia./koha.mk/

Advertisement
Advertisement

Lajme nga bota

Tensione në Ngushticën e Hormuzit, SHBA-të godet anijet iraniane ndërsa Irani sulmon objektet e naftës në Emiratet e Bashkuara Arabe

Published

on

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë goditur shtatë mjete të shpejta detare iraniane në Ngushtica e Hormuzit, ndërsa Uashingtoni po përpiqet të garantojë kalimin e sigurt të anijeve të bllokuara në këtë korridor jetik detar.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Koreja e Jugut raportuan për sulme ndaj anijeve gjatë së hënës në këtë rrugë strategjike. Autoritetet në Emirate njoftuan gjithashtu për një zjarr në portin e naftës në Fujairah, pas një sulmi që i atribuohet Iranit.

Kompania ndërkombëtare e transportit detar Maersk bëri të ditur se një nga anijet e saj me flamur amerikan ka arritur të largohet nga ngushtica nën mbrojtjen e ushtrisë amerikane, në kuadër të operacionit të quajtur “Projekti Liri”. Sipas kompanisë, kalimi është kryer pa incidente dhe i gjithë ekuipazhi është në gjendje të mirë shëndetësore.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se zhvillimet e fundit tregojnë se “nuk ka zgjidhje ushtarake për një krizë politike”, duke e cilësuar operacionin amerikan si “Projekt bllokimi”.

Continue Reading

Lajme nga bota

Këshilli i Evropës mbush 77 vjet

Published

on

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Është themeluar më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike.

Ideologët më të mëdhenj të Këshillit të Evropës ishin Winston Churchill, Robert Shuman dhe Konrad Adenauer.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Advertisement

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.
Grupi i saj i ekspertëve për Kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Ndryshe nga BE, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje detyruese, por ka fuqinë për të zbatuar marrëveshjet ndërkombëtare të përzgjedhura e të arritura nga shtetet evropiane për tema të ndryshme.

Trupi më i njohur i Këshillit të Evropës është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila zbaton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Advertisement

Anglishtja dhe frëngjishtja janë dy gjuhët zyrtare të saj.

Komiteti i Ministrave, Asambleja Parlamentare dhe Kongresi gjithashtu përdorin gjuhën gjermane, italiane, ruse dhe turke për disa nga puna e tyre.

Continue Reading

Lajme nga bota

Hezbollahu përjashton dialogun me Izraelin dhe paralajmëron vijimin e luftës

Published

on

Sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, deklaroi sot se grupi i mbështetur nga Irani nuk do të përfshihet në negociata të drejtpërdrejta me Izraelin dhe do të vazhdojë atë që e quajti “rezistencë mbrojtëse” ndaj sulmeve në vijim.

Në një deklaratë të gjatë me shkrim, Qassem tha se Izraeli, i mbështetur nga Shtetet  States, ka dështuar të mposhtë Hezbollahun.

Sipas tij, forcat izraelite janë përballur me rezistencë të fortë dhe kanë arritur në një “rrugë pa krye”.

Një armëpushim në konflikt u shpall në mes të prillit nga presidenti amerikan Donald Trump, pas bisedimeve me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin libanez Joseph Aoun.

Marrëveshja pritet të mbetet në fuqi edhe për dy javë të tjera, megjithëse të dyja palët kanë vazhduar shkëmbimin e zjarrit.

Advertisement

Qassem paraqiti kushtet për çdo marrëveshje të mundshme, duke përfshirë ndalimin e plotë të armiqësive në tokë, det dhe ajër, tërheqjen e Izraelit nga territoret e pushtuara, lirimin e të burgosurve, kthimin e banorëve të zhvendosur dhe rindërtimin.

Ai theksoi se Hezbollahu nuk do të çarmatoset, duke i cilësuar armët e tij si të domosdoshme për mbrojtje ndaj asaj që e quajti agresion izraelit, dhe paralajmëroi se grupi do të vazhdojë t’u përgjigjet sulmeve.

Në përfundim, ai deklaroi se Hezbollahu do të vijojë luftën derisa të rikthehet çdo territor libanez i pushtuar.

Ndërkohë, grupi nuk ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në bisedimet për armëpushimin Izrael-Liban, por ka sinjalizuar se do ta respektojë atë, për sa kohë që edhe Izraeli ndalon sulmet.

Qeveria libaneze nuk ka kontroll të drejtpërdrejtë mbi Hezbollahun, megjithatë një rol kyç në negociata po luan kryetari i parlamentit dhe aleati i grupit, Nabih Berri.

Advertisement
Continue Reading

Më të lexuarat